Arkin Jahiji, kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për kryetar të Komunës së Bërvenicës, ka falënderuar qytetarët, bashkëpunëtorët, miqtë dhe mërgimtarët për mbështetjen dhe urimet pas shpalljes së kandidaturës së tij.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Jahiji theksoi se kandidatura e tij për kryetar të komunës nuk duhet të shihet vetëm si një garë politike, por si një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe së ardhmes së Bërvenicës.
“Nuk vij për të ndarë, por për të bashkuar; nuk vij vetëm për të folur, por për të dëgjuar”, është mesazhi i kandidatit të BDI-së, i cili premton një qasje të bazuar në përkushtim, seriozitet dhe ndershmëri.
Jahiji shprehu mirënjohje të veçantë edhe për mërgimtarët nga Bërvenica, duke vlerësuar kontributin dhe lidhjen e tyre të vazhdueshme me vendlindjen.
Ai theksoi se Bërvenica duhet të jetë një shtëpi e përbashkët për të gjithë qytetarët, pavarësisht se ku jetojnë, dhe se rruga drejt së ardhmes duhet të ndërtohet së bashku.
“Bërvenica është e të gjithëve. E ardhmja e saj është përgjegjësi e përbashkët”, theksoi Jahii në përmbyllje të mesazhit të tij.
Kandidatura e Arkin Jahiji vjen në kuadër të garës për drejtimin e Komunës së Bërvenicës, ndërsa fushata pritet të fokusohet në vizionin, programin dhe prioritetet që kandidatët do t’u ofrojnë qytetarëve.
Ja postimi plotë:
Të dashur qytetarë të Komunës së Bërvenicës, të nderuar miq, shokë, bashkëpunëtorë dhe të gjithë ju që më keni uruar dhe më keni përcjellë me fjalë të mira pas shpalljes së kandidaturës sime për Kryetar të Komunës së Bërvenicës. 🤝
Ju falënderoj nga zemra për çdo urim, mesazh, telefonatë dhe fjalë mbështetjeje. Secila prej tyre ka një vlerë të veçantë për mua dhe e bën edhe më të madhe përgjegjësinë që kam marrë.
Falënderim të veçantë u drejtoj mërgimtarëve tanë, të cilët edhe pse janë larg vendlindjes, gjithmonë janë pranë familjeve të tyre dhe fshatrave të tyre. Mbështetja juaj, urimet dhe kujdesi juaj për të ardhmen e vendlindjes sonë janë një nder dhe një shtysë e madhe për mua. Bërvenica është shtëpia jonë e përbashkët, pavarësisht se ku jetojmë.
Kjo kandidaturë nuk është vetëm një garë politike. Është një përgjegjësi ndaj qytetarëve, ndaj vendit tonë dhe ndaj së ardhmes së Bërvenicës. Prandaj, mbështetjen tuaj e shoh jo vetëm si nder, por mbi të gjitha si obligim për të punuar me përkushtim, seriozitet dhe ndershmëri.
Ju kam thënë se nuk vij për të ndarë, por për të bashkuar; nuk vij vetëm për të folur, por për të dëgjuar. Dhe kjo rrugë dua të jetë e përbashkët, me secilin prej jush, pa dallim.
Faleminderit për besimin, për mbështetjen dhe për energjinë pozitive që më keni dhënë. Bashkë do ta hapim një kapitull të ri për Bërvenicën me respekt, përgjegjësi dhe vizion.
Bërvenica është e të gjithëve. E ardhmja e saj është përgjegjësi e përbashkët.
Me mirënjohje të thellë,
