AKTUALE

20 vite “Flaka e Janarit”: Kujtesa që vazhdon të jetojë

Manifestimi tradicional “Flaka e Janarit” në Gostivar ka shënuar 20-vjetorin e veprimtarisë së tij, duke sjellë në vëmendje dy dekada të përkushtimit ndaj kujtesës historike, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.

Në kuadër të këtij jubileu është promovuar një libër që përmbledh rrugëtimin 20-vjeçar të manifestimit, duke dokumentuar njerëzit, aktivitetet, dëshmitë, fotografitë dhe momentet që kanë shënuar ndër vite “Flakën e Janarit”.

Në këtë rrugëtim ka qenë e përfshirë edhe artistja dhe aktorja, Vjollca Baftiu- Zylbehari e cila gjatë viteve ka kontribuar në role të ndryshme – si anëtare e Këshillit, drejtoreshë artistike, aktore, regjisore dhe nikoqire e manifestimit.

Ajo vlerësoi se “Flaka e Janarit” është shumë më tepër se një aktivitet kulturor i përvitshëm, duke e cilësuar atë si një amanet të brezave.

Libri është përgatitur nga anëtari i Këshillit Organizativ, Bekim Adili, ndërsa manifestimi është udhëhequr dhe mbështetur ndër vite nga drejtori i “Flakës së Janarit” dhe njëherësh drejtori i SH.K.A. “Lulet e Malësisë”, Luan Veliu.

Gjatë manifestimit janë kujtuar dhe nderuar personalitete që kanë qenë pjesë e historisë së kohës, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe dëshmive të atyre që e kanë përjetuar drejtpërdrejt periudhën e ilegalës dhe rrugëtimin drejt lirisë.

Në mesin e figurave të pranishme në këtë rrëfim është edhe komandanti Ali Ahmeti, i cili u cilësua si një prej dëshmitarëve dhe protagonistëve të rëndësishëm të asaj periudhe.

“Flaka e Janarit”, sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, nuk përfaqëson vetëm një histori të shkruar në libra apo të treguar në skenë. Ajo përfaqëson një kujtesë të përcjellë nga brezi në brez, përmes artit, fjalës, dëshmive dhe përkushtimit të njerëzve që kanë kontribuar në të gjatë këtyre 20 viteve.

Mesazhi i këtij jubileu ishte i qartë: kujtesa duhet të ruhet dhe të përcillet te brezat e rinj, në mënyrë që historia dhe vlerat e përçueshme përmes “Flakës së Janarit” të vazhdojnë të jetojnë edhe në të ardhmen.

“Flaka e Janarit” mbetet kështu një prej manifestimeve që synon ta mbajë gjallë kujtesën historike dhe ta përcjellë atë përmes kulturës, artit dhe dëshmive te brezat që vijnë.

Banner

Related posts

VLEN me akuza ndaj kandidatit të Frontit Europian

Gjyla Halili

Bujar Osmani: “Gjuha ‘jozyrtare’ në vulat e shtetit? S’kalon!”

Gjyla Halili

Rënie e qarkullimit në tregtinë me pakicë të karburanteve për automobila

Gjyla Halili