Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, zhvilloi sot një takim me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Maqedoninë e Veriut, Özlem Canel, ku në fokus të diskutimeve ishte procesi i integrimit evropian dhe zhvillimet politike në vend.
Ahmeti theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të gjejë rrugën për vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar se çdo vonesë e mëtejshme e largon vendin nga perspektiva evropiane, dobëson institucionet dhe krijon pasiguri për të ardhmen.
Gjatë takimit, ai ngriti shqetësimin për, siç u shpreh, goditjet e vazhdueshme ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjeve që garantojnë barazinë, kohezionin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit. Sipas Ahmetit, Marrëveshja e Ohrit mbetet themeli i paqes dhe funksionimit demokratik të shtetit, ndërsa çdo cenim i saj ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e përgjithshëm.
Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për zhvillimet politike, sundimin e ligjit, sigurinë dhe sfidat rajonale.
Në përfundim, Ahmeti theksoi se partnerët ndërkombëtarë duhet ta dëgjojnë qartë alarmin se rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë dy shtyllat kryesore mbi të cilat mbështeten stabiliteti dhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut.
Ja postimi plotë:
Sot, zhvillova një takim të hapur dhe përmbajtësor me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Özlem Canel.
Në qendër të bisedës ishte domosdoshmëria që vendi të gjejë rrugën për vazhdimin e procesit të integrimit evropian. Çdo vonesë e mëtejshme e largon vendin nga perspektiva evropiane, dobëson institucionet dhe krijon pasiguri për të ardhmen.
Ngrita shqetësimin serioz për goditjet e vazhdueshme ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjeve që garantojnë barazinë, kohezionin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit. Marrëveshja e Ohrit është themel i paqes dhe funksionimit demokratik të shtetit dhe çdo cenim i saj prek drejtpërdrejt stabilitetin e përgjithshëm.
Biseduam gjithashtu për zhvillimet politike, sundimin e ligjit, sigurinë dhe sfidat rajonale.
Partnerët ndërkombëtarë duhet ta dëgjojnë qartë alarmin tonë: rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë dy shtyllat mbi të cilat qëndron stabiliteti dhe e ardhmja e vendit.

