Ish-deputeti dhe veprimtari Azgan Haklaj ka reaguar publikisht duke denoncuar atë që e cilëson si trajtim arbitrar dhe diskriminues nga autoritetet kufitare të Maqedonisë së Veriut në pikën e kalimit kufitar të Dibrës së Madhe.
Sipas Haklajt, ai është ndaluar sërish së fundmi, së bashku me mikun e tij Gjergj Kanani, për një kohë të gjatë, duke iu nënshtruar marrjes në pyetje pa, sipas tij, asnjë bazë ligjore dhe pa shpjegime zyrtare. Ai thekson se këtë rast e bëri publik edhe gjatë një interviste në emisionin e mëngjesit të televizionit shtetëror të Maqedonisë së Veriut.
Në reagimin e tij, Haklaj pretendon se ndalimet kanë nisur pas angazhimit të tij në organizimin, moderimin dhe pjesëmarrjen në protesta në mbrojtje të vlerave të UÇK-së, duke i cilësuar veprimet e policisë kufitare si forma presioni politik ndaj figurave publike dhe veprimtarëve kombëtarë.
Haklaj bën të ditur se ka njoftuar zyrtarisht Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, deputetin e BDI-së Ilir Hasani, si edhe organizatat e veteranëve të UÇK-së, duke kërkuar reagim institucional dhe mbështetje për, sipas tij, mbrojtjen e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë.
Në deklaratën e tij ai kërkon:
Nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, ndërprerjen e menjëhershme të ndalimeve arbitrare dhe të çdo forme presioni ndaj qytetarëve shqiptarë.
Nga diplomacia shqiptare, kërkesë zyrtare për sqarime ndaj autoriteteve në Shkup dhe garantimin e mbrojtjes së qytetarëve shqiptarë.
Nga faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, reagim institucional për mbrojtjen e lirisë së lëvizjes dhe dinjitetit të shqiptarëve.
Në përfundim, Azgan Haklaj shprehet se liria e lëvizjes dhe e drejta për të mbrojtur vlerat e UÇK-së nuk duhet të cenohen nga pengesa burokratike apo politike, duke kërkuar veprime konkrete dhe përgjigje zyrtare nga institucionet e njoftuara.
Ja postimi plotë:
REAGIM ZYRTAR DHE PUBLIK!
PËR:
Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ambasadën e RSH-së në Shkup, Përfaqësuesit Politikë të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Organizatat e Veteranëve të UÇK-së
SUBJEKTI:
Ndalimi i jashtëligjshëm dhe presioni sistematik në pikën kufitare të Dibrës së Madhe.
Kërkesë për ndërhyrje urgjente.
Përmes këtij reagimi, dëshiroj të bëj publik dhe të denoncoj me forcë trajtimin skandaloz dhe diskriminues që po më bëhet në mënyrë të përsëritur nga autoritetet kufitare të Maqedonisë e Veriut në pikën e kalimit në Dibër të Madhe.
Së fundmi së bashku me mikun tim Gjergj Kanani, jam ndaluar sërish dje për një kohë të gjatë me marrje në pyetje pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë shpjegim zyrtar dhe në shkelje të plotë të normave ndërkombëtare të lirisë së lëvizjes.
Këtë fakt e denoncova sot në emisionin e mëngjesit në televizionin shtetëror të Maqedonisë së Veriut ku isha i ftuar.
Sjellja arbitrare e policisë kufitare maqedonase nuk është e rastësishme;
Ajo ka nisur fill pas pjesëmarrjes dhe organizimeve e moderimeve në protestat në mbrojtje të vlerave të UÇK-së.
Përdorimi i pikave kufitare si mjete presioni apo kontrolli politik ndaj figurave publike dhe veprimtarëve kombëtarë është i papranueshëm për një vend fqinj që pretendon standarde evropiane.
Lidhur me këtë situatë represive kam njoftuar zyrtarisht:
Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup, z. Denion Meidani, nga i cili pres një reagim të prerë diplomatik dhe note proteste ndaj autoriteteve të vendit pritës;
Deputetin e BDI-së, z. Ilir Hasani, si përfaqësues politik i shqiptarëve në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, për të ngritur këtë çështje në nivelin më të lartë institucional e parlamentar;
Organizatat e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të mbrojtur dinjitetin e secilit bashkëluftëtar që po përballet me lista të zeza të padeklaruara.
KËRKESAT:
Nga Autoritetet e Maqedonisë së Veriut:
Të ndërpresin menjëherë provokimet, ndalimet arbitrare dhe përdorimin e “listave të dyshimta” ndaj qytetarëve dhe figurave publike shqiptare.
Nga Diplomacia Shqiptare:
Të kërkojë shpjegime të menjëhershme zyrtare nga Shkupi për arsyet e këtyre ndalimeve të përsëritura dhe të garantojë mbrojtjen e plotë të qytetarëve të saj.
Nga Faktori Politik Shqiptar në Maqedoninë e Veriut:
Të mos heshtë përballë sjelljeve të tilla që cenojnë lirinë e lëvizjes dhe dinjitetin e shqiptarëve në rajon.
Liria e lëvizjes dhe e drejta për të mbrojtur të vërtetën e UÇK-së nuk mund të cenohen nga pengesa burokratike e politike në kufi.
Pres veprime konkrete dhe përgjigje zyrtare nga të gjitha institucionet e njoftuara.



