Politologu dhe veprimtari i njohur i diasporës shqiptare, Vislon Sinishtaj, mbajti një ligjëratë para pjesëmarrësve të Akademisë Politike të Forumit Shqiptar me temën: “Konformizmi apo nacionalizmi që ndërton? Mësimi i Tuzit për unitetin politik dhe të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi.”
Gjatë fjalës së tij, Sinishtaj trajtoi sfidat dhe perspektivat e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Mal të Zi, duke theksuar se sfida kryesore nuk është vetëm fitimi i zgjedhjeve, por shndërrimi i fuqisë politike në vendimmarrje, zhvillim dhe institucione të qëndrueshme.
Ai theksoi se ideali kombëtar nuk duhet të mbetet vetëm pjesë e kujtesës historike apo e simbolikës festive, por të materializohet në arsim cilësor në gjuhën shqipe, përfaqësim autentik, administratë funksionale, zhvillim ekonomik dhe mundësi për brezat e rinj në trojet e tyre.
Duke folur për të drejtat e shqiptarëve si popull autokton në Mal të Zi, Sinishtaj nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës shqipe, arsimit, simboleve kombëtare dhe pjesëmarrjes së drejtë në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimore.
Një pjesë e rëndësishme e ligjëratës iu kushtua shembullit të Komunës së Tuzit, të cilën ai e paraqiti si dëshmi konkrete të rezultateve që sjell uniteti politik dhe vetëqeverisja lokale. Sipas tij, përparimi institucional dhe zhvillimor i realizuar në Tuz gjatë viteve të fundit dëshmon se organizimi politik, përgjegjësia dhe menaxhimi i mirë mund të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
Sinishtaj vuri theks të veçantë te roli i brezit të ri në politikë, duke theksuar se akademitë politike duhet të formojnë jo vetëm aktivistë dhe kandidatë të ardhshëm, por edhe drejtues të aftë për të hartuar politika publike, për të menaxhuar institucione dhe për të marrë vendime në interes të komunitetit.
Në përmbyllje, ai theksoi se uniteti politik shqiptar duhet të mbështetet mbi dijen, meritën, disiplinën dhe llogaridhënien, duke nënvizuar se asnjë parti dhe asnjë mandat nuk mund të jetë më i rëndësishëm se ideali kombëtar.
Ligjërata u përcoll me interes nga pjesëmarrësit e Akademisë Politike, të cilët zhvilluan një diskutim të hapur mbi sfidat dhe perspektivat e përfaqësimit politik dhe zhvillimit të shqiptarëve në Mal të Zi.
Ja postimi plotë:
IDEALI KOMBËTAR NUK ËSHTË KUJTIM. ËSHTË PËRGJEGJËSI.
Sot pata nderin t’u drejtohem pjesëmarrësve të Akademisë Politike të Forumit Shqiptar me ligjëratën:
“Konformizmi apo nacionalizmi që ndërton? Mësimi i Tuzit për unitetin politik dhe të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi.”
E zgjodha këtë temë sepse pyetja kryesore para shqiptarëve nuk është vetëm si fitohet një palë zgjedhje. Pyetja e vërtetë është: çfarë bëjmë me fuqinë politike pasi e fitojmë?
A dimë ta kthejmë votën në përfaqësim, përfaqësimin në vendimmarrje dhe vendimmarrjen në zhvillim?
A dimë ta kthejmë idealin kombëtar në gjuhë, shkollë, administratë, buxhet, vende pune dhe institucione që zgjasin më shumë se një mandat apo një individ?
Një popull nuk dobësohet vetëm kur i ndalohet flamuri. Dobësohet edhe kur gjuha e tij largohet nga shkolla dhe administrata, kur rinia ikën, kur vendimet merren pa të dhe kur heshtjen e vet fillon ta quajë maturi.
Konformizmi rrallë vjen si urdhër. Shpesh vjen si këshillë e butë:
Mos kërko shumë.
Mos e ngrit zërin kombëtar.
Përshtatu dhe do të pranohesh.
Por kur pranimi kërkon dorëzimin e interesit kombëtar, kjo nuk është maturi. Është kapitullim.
Pikërisht për këtë fola hapur për idealin kombëtar dhe nacionalizmin shqiptar, pa ndrojtje dhe pa kërkuar falje për atë që jemi.
Ideali kombëtar nuk është nostalgji dhe as folklor që nxirret vetëm për festa. Është bindja se shqiptari duhet të mund të jetojë, të arsimohet, të punojë, të investojë dhe t’i rrisë fëmijët në gjuhën e vet, në trojet e veta dhe me dinjitet.
Shqiptarët në këto treva nuk janë ardhacakë dhe as mysafirë që duhet të jenë mirënjohës për çdo të drejtë minimale.
Jemi popull autokton në trojet tona historike.
Prandaj barazia individuale para ligjit është vetëm pika e nisjes. Si bashkësi autoktone, na takojnë edhe të drejta kombëtare dhe kolektive: përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, arsimi në shqip, simbolet kombëtare, përfaqësimi autentik dhe proporcional, pjesëmarrja në buxhete dhe plane zhvillimore, ruajtja e toponimeve dhe mbrojtja nga asimilimi.
Këto nuk janë privilegje. Nuk janë dhuratë e qeverisë së radhës.
Janë të drejta që na takojnë.
Nacionalizmi që mbroj nuk kërkon epërsi mbi askënd. Nuk kërkon t’ia marrë askujt gjuhën, identitetin apo të drejtat.
Kërkon ekzistencë kombëtare, solidaritet, unitet, vetëqeverisje dhe aftësi për të vendosur mbi çështjet që prekin jetën tonë.
Nuk kërkon që ne të sundojmë tjetrin. Kërkon që populli ynë të mos sundohet pa zërin e vet.
Dashuria për kombin tënd nuk kërkon urrejtje ndaj tjetrit. Por bashkëjetesa është e drejtë vetëm kur popujt hyjnë në të si të barabartë.
Integrim po. Shkrirje jo.
Bashkëjetesë po. Heshtje si çmim i saj, jo.
Prova më e qartë se çfarë prodhon uniteti politik është Tuzi.
Në vitin 2018, kur vendimmarrja ishte e centralizuar dhe larg nesh, buxheti i realizuar ishte rreth 857 mijë euro.
Buxheti i miratuar për vitin 2026 është 12.895.072 euro.
Njëra shifër është buxhet i realizuar dhe tjetra buxhet i miratuar, prandaj krahasimi nuk është kontabël një me një. Por ndryshimi politik dhe institucional është i pamohueshëm.
Votë. Vetëqeverisje. Administratë. Buxhet. Projekte. Zhvillim.
Këto nuk janë vetëm numra. Brenda tyre ka rrugë, ujësjellës, çerdhe, subvencione, sport, kulturë, vende pune dhe arsye që një i ri ta mendojë të ardhmen këtu, jo vetëm biletën e largimit.
Ky është identiteti kombëtar i kthyer në fuqi ekonomike.
Ky është nacionalizmi që ndërton.
Pikërisht për këtë Akademia Politike ishte audienca e duhur.
Të rinjtë që ishin aty nuk janë vetëm votues, aktivistë apo kandidatë të ardhshëm. Ata janë njerëzit që nesër do të lexojnë buxhetet, do të hartojnë politikat, do të drejtojnë administratën dhe do të marrin vendime për arsimin, tokën, investimet dhe zhvillimin e zonave shqiptare.
Një akademi politike nuk duhet të përgatisë vetëm njerëz që dinë si fitohet një post. Duhet të përgatisë njerëz që dinë çfarë të bëjnë me të pasi ta fitojnë.
Aktivisti ngre zërin dhe e bën problemin të dukshëm. Lideri duhet ta kthejë problemin në vendim.
Duhet të njohë ligjin, të lexojë buxhetin, të shkruajë projektin, të kuptojë procedurat dhe të hyjë në institucione pa e humbur boshtin kombëtar.
Zëri të bën të dukshëm. Kapaciteti të bën të dobishëm.
Flamuri, kënga, oda, familja, qëndresa dhe diaspora na kanë ruajtur kur nuk kishim fuqi institucionale. Ai patriotizëm mbetet themeli ynë.
Por sot atij themeli duhet t’i shtojmë edhe patriotizmin institucional.
Kënga ruan kujtesën.
Shkolla ruan gjuhën.
Institucioni ruan të ardhmen.
Padrejtësia nuk korrigjohet vetëm me zemërim. Duhet të kthehet në dokument, procedurë, ligj dhe përgjegjësi.
Emocioni mobilizon.
Organizimi fiton.
Institucioni vazhdon.
Bashkimi politik shqiptar ka krijuar një mundësi të re. Por bashkimi i emrave dhe strukturave nuk mjafton. Ai duhet të mbushet me dije, meritë, disiplinë dhe llogaridhënie.
Uniteti nuk do të thotë heshtje apo bindje e verbër. Mund të debatojmë për mënyrën, pa e humbur qëllimin.
Dhe duhet thënë qartë:
Asnjë parti, asnjë kryetar dhe asnjë mandat nuk është më i madh se ideali kombëtar.
Partia është mjeti. Ideali kombëtar është masa me të cilën gjykohet ai mjet.
Të parët na lanë emrin, gjuhën, kujtesën dhe flamurin. Detyra e brezit tonë është t’u lërë pasardhësve institucione të forta, arsim, zhvillim, vende pune dhe fuqi reale për të vendosur, në mënyrë që e ardhmja e tyre të mos varet nga mëshira apo vullneti i askujt.
Ideali kombëtar është drejtimi.
Nacionalizmi është vullneti.
Uniteti është forca.
Institucionet janë mjeti.
Rezultati është prova.
Ne nuk kërkojmë me qenë më shumë se të tjerët.
Refuzojmë me qenë më pak.
Falënderoj Forumin Shqiptar për ftesën dhe pjesëmarrësit e Akademisë Politike për seriozitetin, pyetjet dhe gatishmërinë për të marrë përgjegjësinë për politikën shqiptare të së nesërmes.




