
Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbajtur Kuvendin e VI-të të Degës në Tetovë, në kuadër të Nëndegës së Reçicës së Vogël 1, ku Faruk Murati është zgjedhur Sekretar në Kryesinë e Degës.
Përmes një mesazhi falënderues , Faruk Murati shprehu mirënjohjen e tij për besimin dhe mbështetjen e dhënë nga kuvendarët dhe strukturat partiake.
“Të nderuar miq dhe shokë, me mirënjohje dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie më lejoni që fillimisht t’i falënderoj të gjithë kuvendarët të cilët morën pjesë në Kuvendin e VI-të të BDI-së, Dega Tetovë, Nëndega Reçicë e Vogël 1, për mbështetjen pa rezervë”, ka deklaruar Murati.
Ai shprehu falënderim të veçantë edhe për Kryetarin e Degës së Tetovës, Bajram Rexhepi, për besimin dhe përgjegjësinë e dhënë.
“Falënderoj me respekt të thellë Kryetarin e Degës, z. Bajram Rexhepi, për vizionin dhe udhëheqjen e tij, si dhe për besimin që tregoi ndaj meje duke më besuar pozitën e Sekretarit në Kryesinë e Degës”, u shpreh ai.
Në mesazhin e tij, Murati adresoi falënderim edhe për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, duke rikujtuar rrugëtimin shumëvjeçar politik pranë tij.
“Një falënderim i veçantë për liderin tonë, z. Ali Ahmeti, të cilit iu reshtuam bashkë plot 24 vite”, theksoi Murati.
Ai premtoi se do të jetë zëri i qytetarëve dhe aktivistëve në Degën e Tetovës, ndërsa kolegëve të zgjedhur u uroi suksese në detyrat e reja.
“Do të jem zëri juaj në Degën e Tetovës. Kolegëve të zgjedhur u dëshiroj mbarësi në punë dhe suksese. Na priftë e mbara!”, përfundon mesazhi i Faruk Muratit.
