AKTUALE

Nikollë Camaj: 28 Nëntori simbolizon përpjekjen shekullore të popullit shqiptar për liri dhe ruajtjen e identitetit kombëtar

Zëvendëskryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit, ka përcjellë urimet e tij për shqiptarët në Mal të Zi dhe mbarë popullin shqiptar.

Camaj ka theksuar se kjo ditë e rëndësishme simbolizon përpjekjen shekullore të popullit shqiptar për liri, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të drejtën për të vendosur në mënyrë të pavarur për të ardhmen e tij.

Sipas tij, 28 Nëntori rikujton gjithashtu vlerat e bashkimit, dinjitetit dhe qëndresës, të cilat kanë formësuar historinë dhe traditën shqiptare ndër breza.

Ai ka nënvizuar se për shqiptarët në Mal të Zi, kjo festë përbën edhe një mundësi për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke mbetur njëkohësisht të përkushtuar ndaj ndërtimit të një shoqërie demokratike dhe multietnike, të bazuar në barazi dhe respekt të ndërsjellë.

Në mesazhin e tij, Camaj bëri të ditur se, me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, ka nderin të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare të organizuara me rastin e kësaj feste, në cilësinë e përfaqësuesit të Kuvendit të Malit të Zi.

Ai vlerësoi se kjo pjesëmarrje përbën një shprehje të marrëdhënieve të mira fqinjësore, miqësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve.

“Nëntori le të na frymëzojë edhe më shumë për të ruajtur vlerat që na bashkojnë dhe për të kontribuar, përmes punës së përbashkët, në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë”, është mesazhi i Nikollë Camajt.

Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë! 🇦🇱

Banner

Related posts

ARTAN GRUBI SHEFI I KABINETIT TË ALI AHMETIT

Gjyla Halili

LSDM: Dimitrievski është kapur “gjallë” në një skandal keqpërdorimi

Gjyla Halili

Mexhiti: Sistemi “One Stop Shop” me Kosovën do jetë i njejtë siç e ka me Shqipërinë

Gjyla Halili