Këtë vit, duhet të zgjidhet Prokurori Publik Republikan, i 9-të me radhë në shtetin e pavarur dhe sovran të Maqedonisë së Veriut. Në krye të këtij institucioni udhëheqës dhe kyç në luftën kundër krimit të profilit të lartë, u votuan individë të emëruar nga pushteti ekzekutiv, mirëpo u larguan nga ky pozicion me kritika të shumta për joprofesionalizëm dhe anshmëri në punën e tyre, shkruan analiza javore e Portalb.mk.
Nga zëvendës në Prokurorinë Publike të Republikës Socialiste të Maqedonisë së atëhershme, në vitet 1988/89, mori drejtimin e këtij institucioni dhe e udhëhoqi atë deri në vitin 1996. Me këtë Marko Bundalevski ishte Prokurori i parë Publik Republikan në shtetin e pavarur dhe sovran.
Kreu i dytë i Prokurorisë Publike të Shtetit u bë Stevan Pavleski, si një zgjidhje e propozuar nga Kryeministri i atëhershëm Branko Cërvenkovski. Pavleski qëndroi në krye të këtij institucioni gjatë një periudhe historike kur LSDM-ja e atëhershme kishte pushtet absolut të pakontestueshëm në vend. Mu gjatë kësaj periudhe u krye operacioni kontravers për të emëruar qindra gjyqtarë në të gjithë vendin – një veprim që edhe sot e kësaj dite komentohet si i diskutueshëm nga analistët. Pavleski e mbajti këtë pozicion nga viti 1996 deri në vitin 1999. Shumë vite më vonë, ai u paraqit si avokat mbrojtës për disa nga të pandehurit në aferën “Reket”, duke përfshirë edhe Katica Janevën, por brenda vetëm pak ditësh, ai u tërhoq nga roli i avokatit të saj.
Në vite historikisht të trazuara dhe kritike për sigurinë dhe të ardhmen e shtetit, Prokurorinë Publike Republikane e udhëhoqi Stavre Xhikov. Ai u emërua në këtë pozicion në vitin 1999 dhe e drejtoi institucionin deri në vitin 2002. Gjatë mandatit të Xhikovit, i cili mbuloi edhe konfliktin e vitit 2001, u nisën hetime dhe u ngritën akuza për krime lufte kundër UÇK-së dhe filloi bashkëpunim me gjykatën e Hagës. Ai u largua nga pozicioni pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2002, kur pushteti kaloi në duart e LSDM-së. Xhikovi u shkarkua me propozim të Qeverisë së atëhershme, me arsyetimin se kishte punuar në mënyrë të pandërgjegjshme dhe joprofesionale, dhe gjatë debatit parlamentar u dëgjuan akuza se ai kishte mbrojtur interesat e Qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja.
Me propozim të Qeverisë, në vitin 2003 Parlamenti e votoi Aleksandar Përçevskin për Prokuror të ri Publik të Shtetit. Ai mbahet mend për deklaratën e tij legjendare: “Ndoshta unë jam budallai i fundit që pranoi të jetë Prokuror Publik i Shtetit” – e cila citohet edhe sot e kësaj dite. Ndryshimi i garniturës politike në qeveri solli një episod të ri të “përsëritur” për Prokurorin e ardhshëm Publik – Përçevski u akuzua se kishte mbrojtur interesat e qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja.
Në vitin 2007, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja propozoi dhe Parlamenti e votoi për pasardhësin e Përçevskit – Prokuror i ri Publik i Shtetit u bë Ljupço Shvërgovski. Ai do të jetë në krye të Prokurorisë deri në vitin 2013. “Kur ndryshon qeveria, është normale që secila qeveri dëshiron të propozojë prokurorin e vet, dhe kur them “e vet” nuk kam parasysh të vetin, por një prokuror tek i cili ka besim”, tha Shvërgovski menjëherë pas largimit nga detyra, pas mandatit të tij të dytë. Gjatë udhëheqjes së tij, lëndë të mëdha, gjegjësisht të profilit të lartë, “ranë” në Gjykatën e Apelit, por Shvërgovski nuk e konsideroi këtë si dështim. Gjatë mandatit të tij, shef i policisë sekrete ishte Sasho Mijallkov, i cili më vonë u akuzua dhe dyshua në disa lëndë të PSP-së, ndërsa një nga avokatët e tij mbrojtës ishte Shvërgovski.
Në prag të zgjedhjes së Prokurorit të ri Publik, Shvërgovski vendosi të mos kandidojë edhe për një mandat tjetër. Në janar të vitit 2013, për Kryeprokuror Publik të Shtetit u zgjodh Marko Zvërlevski. Pasoi një periudhë e trazuar, në të cilën publiku kërkoi përgjigje për pyetje të shumta që lidheshin me mënyrën se si shpenzoheshin paratë publike. Zvërlevski u kritikua ashpër për mungesën e iniciativës në trajtimin e aferate të tilla si “Shkupi 2014”, “Banka Maqedonase” dhe “Aktor”, e veçanërisht i dukshëm mbetet mosreagimi i tij në lidhje me incidentet e rënda në Parlament më 24 dhjetor 2012, kur deputetët e LSDM-së, në atë kohë në opozitë, u nxorën me dhunë nga salla gjatë debatit për miratimin e Buxhetit. Më vonë, puna e Zvërlevskit do të kritikohej ashpër për procedurën në rastin “Puç”-i, si dhe për mënyrën se si e udhëhoqi hetimin për rastin e 27 prillit.
Pas zgjedhjeve të vitit 2017, qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja propozoi urgjentisht një Prokuror Publik të ri Republikan – Ljubomir Joveskin, i cili do të marrë drejtimin e këtij institucioni në fund të vitit 2017 dhe do ta drejtojë atë deri në fund të vitit 2023. Si ai ashtu edhe Shvërgovski janë dy prokurorë që mbeten në krye të Prokurorisë Republikane për dy mandate radhazi. Jovevski e udhëhoqi prokurorinë kur doli në shesh njëra prej aferave më të mëdha – ‘Reket’, e lidhur me kolegët e tij nga PSP-ja e atëhershme, dhe ishte gjithashtu në fokus për shkak të zënkës së tij të hapur me Villma Ruskovskën, shefen e atëhershme të PTHP NKOK.
Jovevski u largua nga detyra pasi doli në pension, rreth një vit e gjysmë më parë. Për pasardhës të tij u votua Ljupço Kocevski. Nga pozicioni i opozitës, VMRO-DPMNE-ja e kritikoi ashpër punën e tij, dhe pas ndërrimit të qeverisë filloi procedura për shkarkimin e tij, por u ndërpre për shkak të tragjedisë së Koçanit. Mandati i Kocevskit do të shënohet nga rasti “Puls”, i cili konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë dhe më kompleksët në historinë e vendit. Kocevski, pak para votimit për shkarkimin e tij në Kuvend, dha dorëheqje.
Maqedonia e Veriut duhet ta fitojë Prokurorin e saj të 9-të Publik Republikan si shtet i pavarur dhe të 19-tin që nga Lufta e Dytë Botërore. Procedura e përzgjedhjes tashmë ka filluar dhe për këtë pozicion ka pesë kandidatë. Bëhet fjalë për ushtruesen aktuale të detyrës së prokurores publike të shtetit, Anita Topollova-Isaillovska, prokuroren Lençe Ristovska, gjykatësin e Gjykatës Penale Nenad Savevski, ish-kryetarin e Gjykatës Penale Vlladimir Pançevski dhe prokuroren nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Rajiçeviq.
Procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik të shtetit filloi me shpalljen e publikuar nga Kuvendi më 12 janar të këtij viti, me afat aplikimi prej 15 ditësh nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare”. Ndërsa më 28 janar Kuvendi i dorëzoi kandidaturat në Qeveri.
Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, kandidaturat e pranuara i dërgohen Qeverisë. Pas aplikimit, Qeveria kërkon mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i obliguar të dorëzojë mendime brenda 15 ditësh. Nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për asnjë nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të përcaktojë propozim dhe i propozon Kuvendit shpalljen e thirrjes së re. Prokurori i ri publik i shtetit duhet të zgjidhet me 61 vota të deputetëve.