
Nga Soni Memoci
Në Belgjikë u përkujtua sot në 621-vjetorin e lindjes Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, figurë emblematike që mishëron qëndresën, vizionin dhe identitetin e kombit shqiptar ndër shekuj.
Në përvjetorin e lindjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, në Bruksel u zhvillua një ceremoni përkujtimore pranë shtatores së tij në komunën e Schaerbeek-ut.
Në aktivitet morën pjesë Ambasadorja e Shqipërisë në Belgjikë, znj. Albana Dautllari, Ambasadori i Kosovës, z. Agron Bajrami, si dhe historiani i njohur shqiptar, z. Ragip Zakolli. Gjatë ceremonisë u vendosën buqeta me lule në nderim të figurës së heroit kombëtar, i cili vazhdon të mbetet simbol i bashkimit dhe krenarisë shqiptare.
Atmosfera ishte e qetë dhe solemne, e mbushur me respekt për figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe për trashëgiminë historike që ai përfaqëson për shqiptarët kudo në botë.
Historia e shtatores së Skënderbeut në Bruksel
Shtatorja e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut në Schaerbeek ka një rëndësi të veçantë për diasporën shqiptare në Belgjikë.
Pak shqiptarë e dinë se shtatorja e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut në Bruksel është një nga monumentet më të hershme shqiptare të ngritura në Europën Perëndimore nga vetë diaspora shqiptare
Monumenti ndodhet pranë parkut Josaphat dhe është vendosur aty që nga viti 1968, në kuadër të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Ajo u inaugurua nga mërgata shqiptare në Belgjikë dhe nga shqiptarët e diasporës në “botën e lirë”, si simbol i identitetit kombëtar dhe i lidhjes së fortë me historinë shqiptare.
Në mbishkrimin e monumentit përmendet se kjo përmendore iu kushtua Skënderbeut nga “mërgata shqiptare në botën e lirë”, duke dëshmuar rolin që diaspora shqiptare ka pasur në ruajtjen e figurës dhe trashëgimisë së heroit kombëtar.
Për shqiptarët e asaj kohe, ngritja e kësaj shtatoreje nuk ishte vetëm një akt simbolik, por edhe një deklaratë identiteti dhe krenarie kombëtare në zemër të Europës.
Schaerbeek – një simbol i pranisë shqiptare në Belgjikë
Zgjedhja e Schaerbeek-ut për vendosjen e shtatores nuk ishte rastësi.
Që nga vitet ’50 dhe ’60, kjo komunë e Brukselit u bë vendbanim për shumë familje shqiptare që mbërritën në Belgjikë për arsye ekonomike, politike apo studimore. Me kalimin e viteve, Schaerbeek u kthye në një pikë takimi për shqiptarët e diasporës, ku u ruajtën traditat, gjuha dhe ndjenja e përkatësisë kombëtare.
Për këtë arsye, shtatorja e Skënderbeut është kthyer ndër vite në një pikë referimi për komunitetin shqiptar në Belgjikë.
Aty organizohen aktivitete përkujtimore, homazhe dhe ngjarje kulturore që mbajnë gjallë historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporë.
Edhe sot, kjo zonë konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Belgjikë. Shtatorja e Skënderbeut vazhdon të jetë vendi ku shqiptarët mblidhen në data historike, festa kombëtare dhe aktivitete kulturore.
Për shumë emigrantë shqiptarë, ajo përfaqëson jo vetëm historinë e kombit, por edhe historinë e vetë diasporës shqiptare në Belgjikë.
Skënderbeu – simbol i përjetshëm i identitetit shqiptar
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i lindur më 6 maj 1405, mbetet figura më e rëndësishme e historisë shqiptare dhe simbol i rezistencës, lirisë dhe bashkimit kombëtar.
Edhe pas shumë shekujsh, emri i Skënderbeut vazhdon të frymëzojë shqiptarët kudo në botë. Për diasporën shqiptare, ai mbetet simbol i ruajtjes së identitetit, kulturës dhe krenarisë kombëtare.

