Më 15 nëntor 2025, Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” – Tetovë, në ambintet e Komunës së Tetovës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, realizoi me sukses edicionin e VIII-të të Manifestimit Mbarëkombëtar të Poezisë “Festat e Nëntorit”. Ky manifestim tradicional i kushtohet dy prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare: Ditës së Alfabetit dhe Ditës së Flamurit.
Kryetarja e Shoqatës, Sadije Aliti, në fjalën e saj para të pranishmëve theksoi rëndësinë e këtyre festave në forcimin e identitetit kulturor dhe ngritjen e vetëdijes qytetare për vlerat kombëtare, si dhe rolin e Shoqatës “Oeneum” në kultivimin e këtyre traditave të çmuara.
Në kuadër të manifestimit, si portret letrar i këtij edicioni u prezantua figura e poetit, aktorit dhe publicistit të njohur Selim Ramadani, të cilit Shoqata i ndau post mortum një mirënjohje për kontributin e tij të vyer në fushën e letrave, artit dhe publicistikës. Me mirënjohje për veprimtarinë e tij letrare e publicistike u nderua gjithashtu edhe Ismail Arsllani.
Manifestimi u moderua me profesionalizëm nga anëtarja e Shoqatës dhe poetja e talentuar Azra Alija, ndërsa me pika muzikore në flaut ngrohu atmosferën artistja Merita Emurllahu, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë artistik.
Në Orën e Madhe Poetike, para publikut u prezantuan poetë nga Kosova, Tetova, Dibra, Shkupi, Kumanova dhe Gostivari, të cilët sollën krijimet e tyre më të reja dhe e pasuruan këtë ngjarje me zëra të shumëllojshëm poetikë nga hapësira mbarëkombëtare.
Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” – Tetovë falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe mbështetësit, duke ritheksuar angazhimin e saj të vazhdueshëm në promovimin e krijimtarisë letrare dhe vlerave kulturore shqiptare.





