Prishtina të dielën u rikthehet ndeshjeve zyrtare derisa do të përballet me Dukagjinin e Klinës, në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Kosovës. Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Trajneri, Ismet Munishi ka folur para ndeshjes për faqen zyrtare të klubit.
“Normalisht se do të jetë ndeshje e vështirë, pasi kemi një kundërshtar të fortë dhe kushtet atmosferike për lojë nuk pritet të jenë të favorshme, por ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Jo vetëm në këtë ndeshje, por në çdo takim ne hyjmë për fitore. Është shumë e rëndësishme për neve të luftojmë maksimalisht dhe të sjellim trofe në klub, sepse siç dihet e kemi 100-vjetorin e themelimit”, ka thënë Munishi.
“Dukagjini është ekip i organizuar mirë që lufton shumë dhe ka në radhët e saj edhe lojtarë cilësorë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por nuk duhet harruar se ne jemi Prishtina”, ka shtuar numri një i bankinës bardhekaltër.