AKTUALE

HISTORIKE NË TUZ: SHQIPTARËT BASHKOJNË FORCAT, NIK GJELOSHAJ ZGJIDHET KRYETAR

Në Tuz u mbajt Kuvendi i Forumit Shqiptar, ku Nik Gjeloshaj u zgjodh kryetar i subjektit të bashkuar politik, ndërsa Ferhat Dinosha u shpall kryetar nderi.

Në Tuz, më 31 tetor, u mbajt Kuvendi i Forumit Shqiptar, i cili shënon një etapë të re në organizimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi.

Në këtë kuvend, Nik Gjeloshaj u zgjodh kryetar i Forumit Shqiptar. Për nënkryetar i parë u zgjodh Ivan Ivanaj, ndërsa për nënkryetar të dytë Artan Çobi. Ndërkaq, Ferhat Dinosha u zgjodh kryetar nderi i Forumit Shqiptar.

Kuvendi miratoi dokumentet programore dhe statutare, si dhe zgjodhi organet drejtuese të organizatës së re politike.

Pas zgjedhjes, Gjeloshaj theksoi se bashkimi nuk është rezultat i veprimit të një individi, por i punës së përbashkët, besimit të ndërsjellë dhe pjekurisë politike.

“Qëllimi ynë nuk ishte vetëm të bashkonim subjektet politike, por të bashkonim popullin tonë rreth një ideje të përbashkët. Dëshmuam se mund të arrijmë rezultate kur veprojmë së bashku. Asnjë individ nuk është mbi idenë e Forumit Shqiptar”, u shpreh Gjeloshaj.

Forumi Shqiptar ka karakter kombëtar dhe synon të përfaqësojë shqiptarët nga Malësia, Ulqini, Kraja, Ana e Malit, Tivari, Plava, Gucia, Rozhaja dhe trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi, duke ruajtur një lidhje të fuqishme edhe me diasporën.

Në deklaratën e publikuar pas kuvendit, theksohet se rezultatet e deritanishme, përfshirë fitimin e statusit të komunës së pavarur të Tuzit, përfaqësimin institucional dhe realizimin e projekteve të shumta zhvillimore, përbëjnë bazën për fazën e ardhshme të veprimtarisë politike.

Forumi Shqiptar ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për të ardhmen evropiane të Malit të Zi, barazinë e qytetarëve, decentralizimin dhe avancimin e të drejtave të popujve pakicë.

Banner

Related posts

Taravari sfidoi me zgjedhje të parakohshme, Elezi nga VLEN: Jemi të gatshëm

Gjyla Halili

Komisioni për Politikë Sociale mbetet i bllokuar, Fronti nuk ka ndërmend të propozoj emër të ri

Gjyla Halili

Llukarevska: Pendarovski shkon në raundin e dytë

Gjyla Halili