AKTUALE

Vilson Sinishtaj: Bashkimi i tri partive në Forumin Shqiptar, një kapitull i ri për shqiptarët në Mal të Zi

Politologu Vilson Sinishtaj ka vlerësuar bashkimin e tri partive politike shqiptare në Forumin Shqiptar si një zhvillim me rëndësi të veçantë kombëtare dhe politike, duke theksuar se ky bashkim krijon një bazë më të qëndrueshme për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për të ardhmen e Malësisë.

Sinishtaj thekson se për realizimin e këtij bashkimi ka punuar për shtatë vite me radhë, së bashku me bashkëkombës nga Malësia dhe diaspora. Ai shprehet se gjatë gjithë kësaj periudhe e ka mbështetur këtë proces, i bindur se interesi kombëtar shqiptar kërkon unitet, qëndrueshmëri dhe përgjegjësi politike.

Sipas tij, Malësia ka shënuar zhvillime të rëndësishme në afirmimin e identitetit kombëtar, kulturor dhe institucional. Si simbole të këtij afirmimi, ai përmend shtatoren e Gjergj Kastriotit në zemër të Tuzit, sukseset sportive të Deçiqit, Arenën Besa dhe aktivitetet e shumta kulturore e kombëtare.

Sinishtaj ndalet edhe te zhvillimi ekonomik dhe investimet në Malësi, duke vënë në pah rritjen e buxhetit të Komunës së Tuzit. Sipas të dhënave të përmendura në deklaratën e tij, buxheti i miratuar për vitin 2026 arrin në rreth 15 milionë euro, krahasuar me rreth 857 mijë euro të realizuara në vitin 2018.

Duke folur për të ardhmen e Forumit Shqiptar, Sinishtaj vlerëson se ai duhet të shndërrohet në një shtëpi të përbashkët politike për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi, ku të ketë hapësirë për mendime të ndryshme, respekt dhe bashkëpunim.

Ai paralajmëron se përçarjet politike mund të dobësojnë përfaqësimin shqiptar dhe të krijojnë hapësirë për ndikime të jashtme në vendimmarrjen politike të shqiptarëve.

Në përfundim, Sinishtaj thekson se bashkimi është një përgjegjësi e përbashkët, e cila kërkon përkushtim, ndershmëri dhe rezultate konkrete në shërbim të qytetarëve.

“Për një Tuz me udhëheqje shqiptare dhe drejtësi për çdo qytetar. Për një Malësi të bashkuar, me dinjitet kombëtar dhe zot të së ardhmes së vet. Rrnoftë Shqipnia!”, përfundon mesazhi i Vilson Sinishtajt.

Ja postimi plotë:

Bashkimi i tri partive në Forumin Shqiptar është një arritje me rëndësi kombëtare. Ai forcon përfaqësimin shqiptar dhe vendos një themel më të qëndrueshëm për të ardhmen e Malësisë.

Për këtë bashkim kam punuar gjatë këtyre shtatë viteve, bashkë me disa bashkëatdhetarë në Malësi e në diasporë. Nga mërgata, e kam mbështetur këtë rrugë me bindjen se interesi ynë kombëtar kërkon bashkim, qëndrueshmëri dhe përgjegjësi.

Malësia sot e shpreh më fuqishëm identitetin e saj. Gjergj Kastrioti qëndron në zemër të Tuzit. Arena Besa, trofetë e Deçiqit dhe veprimtaritë kulturore e kombëtare na japin krenari dhe e forcojnë lidhjen me vendlindjen. Gjuha, flamuri dhe historia jonë kanë përkrah tyre institucione me zë e peshë.

Të rinjtë punësohen e ndërtojnë karrierë. Investimet po ndryshojnë infrastrukturën. Buxheti i miratuar për vitin 2026 arrin në rreth 15 milionë euro, mbi 17 herë shifra prej rreth 857 mijë eurosh të realizuara në vitin 2018.

Besoj se Forumi Shqiptar duhet të jetë shtëpia e përbashkët politike ku çdo shqiptar në Mal të Zi të gjejë vendin e vet, me respekt për mendimin ndryshe. Nuk e kemi luksin që përçarjet tona të na bëjnë sërish pjesë të lojërave politike të Podgoricës. Interesi ynë kërkon që të qëndrojmë bashkë dhe të vendosim vetë për drejtimin tonë.

Këtë arritje e kemi ndërtuar së bashku, në vendlindje e në diasporë. Na përket të gjithëve. Bashkë do ta mbështesim, do të kujdesemi për të dhe do të kërkojmë punë, ndershmëri e rezultate.

Për një Tuz me udhëheqje shqiptare dhe drejtësi për çdo qytetar. Për një Malësi të bashkuar, me dinjitet kombëtar dhe zot të së ardhmes së vet.

Rrnoft Shqypnia! 🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱

Nik Gjeloshaj Ivan Ivanaj Forumi shqiptar

Banner

Related posts

Limaj: Koha që LVV të lëshojë rrugë

Gjyla Halili

Blerim Bexheti edhe pse u la jashtë Kryesisë Qendrore e ka uruar Ali Ahmetin në krye të BDI-së

Gjyla Halili

Ndalim qarkullimi për mjetet e rënda në Gjavato dhe Tetovë – Kodra e Diellit

Gjyla Halili