Në traditën e lashtë shqiptare ekziston një thënie që ka kaluar brez pas brezi, vajza i ngjan Babait dhe i nderon miqtë, bashkëpunëtorët e bashkëluftëtarët e Tij!
Kjo nuk është vetëm shprehje popullore, por është kod nderi, kod besnikërie brezash dhe mirënjohjeje që ka mbajtur të lidhura familjet, fiset dhe shoqërinë shqiptare ndër dekada, shekuj e mijëvjeçar!
Pikërisht për këtë arsye, qëndrimet publike të politikanes dhe deputetes Saranda Imeri-Stafai kanë ngjallur reagime dhe habi te shumë njerëz që e kanë njohur dhe respektuar figurën e Babait të saj, Dr. Imer Imeri, Kryetar i PPD-së dhe një personalitet me peshë në jetën politike shqiptare në Maqedoni të Veriut dhe jashtë saj!
Dr. Imer Imeri ndërtoi marrëdhënie me njerëz të angazhuar për çështjen kombëtare, duke kultivuar dialog, bashkëpunim, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë!
Dhe kur sot sulmohen apo zhvlerësohen figura që kanë qenë bashkëveprimtarë, miq ose bashkëudhëtarë e bashkëluftëtarë të Tij, krijohet përshtypja se po mohohet edhe vetë fryma që ai mbillte kudo dhe që e përfaqësonte!
Rasti i Komandantit të UÇK-së dhe Udhëheqësit Ali Ahmeti e Kryetarit të BDI-së, është një shembull shumë domethënës!
Marrëdhëniet ndërmjet Ali Ahmetit dhe Kryetarit të PPD-së Dr. Imer Imerit nuk ishin të rastësishme, por ato ishin të ndërtuara mbi një periudhë të rëndësishme të angazhimeve kombëtare dhe në periudhën e luftës së armatosur për të drejta kombëtare, barazi e jetë me dinjitet !
Për këtë arsye, polemikat apo sulmet ndaj një figure të tillë nuk perceptohen thjesht si debat politik, por edhe si një shkëputje nga tradita shekullore shqiptare, kultura e respektit që karakterizonte brezat e mëparshëm!
Askush nuk është i detyruar të ketë të njëjtat bindje politike si prindërit e tyre!
Çdo brez e çdo shtresë, ka të drejtën të ndërtojë rrugën e tij!
Por ka një dallim të madh mes ndryshimit të bindjeve dhe mohimit të miqësive apo kontributit të njerëzve që kanë qenë pjesë e historisë së familjes!
Historia nuk ndërtohet mbi fyerje, as mbi përbuzje, as mbi thashetheme!
Ajo ndërtohet mbi drejtësi, mbi nderim dhe mbi respekt!
Ata që nuk respektojnë urat e ndërtuara nga të parët, nga brezat para tyre, e veçanërish nga Babai, siç është rasti me vajzën e Dr. Imerit, Sarnda Imeri-Stafain, rrezikojnë të mbeten të përbuzur dhe do t’i gjykojnë pasardhësit dhe do të mbeten për faqe të zezë në histori!
Fjalët harrohen, polemikat kalojnë dhe mbyllen në sirtarë, por respekti dhe mosrespekti lënë gjurmë të përhershme në ndërgjegjen e një kombi!
Prandaj, respekti për miqtë, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e Babait nuk është dobësi, përkundrazi!
Është nder!
Është kulturë!
Është qytetrim!
Por mbi të gjitha, është një detyrim moral ndaj historisë njëzore e kombëtare shqiptare, dhe ndaj trashëgimisë që të ka lënë Babai!
Vetëm guri për guri nuk ka nevojë, njeriu për njeriun po!
Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 17 Korrik 2026!
