
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i shoqëruar nga kryetari i BDI-së, Ali Ahneti, ka zhvilluar mbrëmë në Prishtinë një takim me kongresmenin amerikan Keith Self, lryetar i Nënkomisionit për Evropën në Kongresin Amerikan, në kuadër të vizitave dhe takimeve që kongresmenët amerikanë po realizojnë këto ditë me faktorët politikë shqiptarë në rajon.
Sela bëri të ditur se takimi u zhvillua në formatin e një tryeze të rrumbullakët me liderët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku u diskutua për zhvillimet politike në vend, sfidat me të cilat përballen shqiptarët dhe proceset euro-atlantike të rajonit.
Ai vlerësoi lartë mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe orientimin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, ndërsa para kongresmenit amerikan shpalosi shqetësimet për, siç tha, ngecjen dhe regresin e shënuar në disa fusha gjatë periudhës së fundit në vend.
Në fokus të bisedës ishte edhe çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Sela tha se kongresmenin amerikan e ka njoftuar për tendencat që, sipas tij, synojnë goditjen e statusit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
“E njoftova kongresmenin amerikan me qëndrimin tonë për vendosjen e parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese, si mekanizëm mbrojtës ndaj majorizimit në një institucion të rëndësishëm që kohëve të fundit është kthyer në burim krizash dhe tensionesh ndëretnike”, theksoi Sela.
Ai ngriti shqetësime edhe për sistemin e drejtësisë në vend, duke akuzuar se gjyqësia funksionon mbi baza etnike dhe jo mbi bazën e drejtësisë dhe ligjit.
Në këtë kontekst, Sela përmendi rastin “Alfa”, ku sipas tij Agim Islami dhe tashmë i ndjeri Rexhail Qerimi janë dënuar padrejtësisht me nga 18 vite burg, ndërsa bëri krahasime me lirimin e personave të dënuar për terrorizëm lidhur me ngjarjet e 27 prillit.
Në takim u diskutua edhe për, siç u tha, goditjet e vazhdueshme ndaj të drejtave të shqiptarëve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit dhe për sfidat me të cilat përballet bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.