AKTUALE

Rasti “Grubi” në udhëkryq, Prokuroria në vendnumëro për aktakuzën

Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili në fund të shkurtit, pas 14 muajsh në arrati, u paraqit në pikën kufitare të Bllacës, është në arrest shtëpiak për gjashtë muaj, ndërkohë që Prokuroria, ndryshe nga më herët, tani hesht. Madje, nuk ka përgjigje nëse do të ngrihen akuza kundër tij apo nëse procedurat do të ndërpriten për dyshimet për vendim qeveritar në prokurimin e makinave të lojërave të fatit për nevojat e Lotarisë Shtetërore. Veç kësaj, Grubi akoma nuk ka dhënë deklaratë të re në Prokurori për dyshimin që ka prokurori i rastit.

“Çështja ështja është nën hetim, po ndërmerren veprime dhe më shumë detaje nuk mund të ndahen në këtë kohë”, kanë thënë shkurt për Sloboden Peçat nga Prokuroria. Kur u pyetën nëse Grubi ka dhënë ndonjë deklaratë, Zyra e Prokurorit as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi atë, duke u përgjigjur vetëm shkurt: “Detajet e procedurës nuk mund të ndahen në këtë kohë”.

Dënim selektiv për vendim kolektiv, nuk ka
Megjithatë, e vërteta duket krejtësisht ndryshe: hetimet kanë përfunduar madje pa nis mirë ato, pasi nuk ka një prokuror që mund të iniciojë një lëndë që mund të hidhet poshtë nga gjykata. “Dënim selektiv për vendim kolektiv nuk ka patur ndonjëherë dhe nuk mund të ketë”, thonë njohësit e çështjeve penale.

“Është shumë e vështirë, konkretisht e pamundur që ndonjë gjykatës, apo jurist, të pranojë ta gjykojë një vepër që nuk është e paraparë në asnjë nen dhe në asnjë ligj. Vota e një anëtari të Qeverisë nuk mund të jetë më e madhe se vota e ndonjë anëtari tjetër! Ose, nënshkrimi i një ministri të jetë më i rëndësishëm se nënshkrimi i ministrave tjerë. Dënim selektiv në vendim kolektik nuk ka askund në Maqedoni, kjo është ABC e drejtësisë”.

Se është kështu, e tha muaj më parë edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili në një intervistë për “360 Shkallë”, tha se “nuk mund të ketë përgjegjësi individuale për vendim kolektiv”.

Rastin e ka bllokuar edhe një Raport i Revizionit të shtetit. Siç merr vesh gazeta KOHA, Raporti thotë se nuk është gjetur dëm financiar dhe nuk janë gjetur gabime procedurale në kërkesën e Lotarisë për furnizim me makina të lojërave të fatit.

Ndërkohë, në deklaratën e fundit, Prokurori Publik i Shtetit, Nenad Saveski shpjegoi se çdo prokuror publik përgatit një plan hetimor që përcakton se cilat prova duhet të sigurohen.

“Në këtë pikë, nuk do të hyja në raste specifike, sepse nuk është e përshtatshme të komentoj publikisht për to ndërsa janë në vazhdim. Lidhur me kohëzgjatjen e hetimeve, afati ligjor është gjashtë muaj, me mundësi zgjatjeje, nëse është e nevojshme. Nuk ka një masë të saktë se kur provat janë të mjaftueshme, është vlerësimi i prokurorit publik”, tha Saveski i pyetur për rastin Grubi.

Ndryshe, prokurori i mëparshëm publik, i cili dha dorëheqjen para se të shkarkohej, Lupço Kocevski, pati thënë vitin e kaluar se hetimi në të cilin dyshohet Grubi është pothuajse i përfunduar, se të gjitha provat janë mbledhur dhe se e vetmja gjë që pritet është ekstradimi i tij. Megjithatë, gjashtë muaj pasi Grubi u kthye në Shkup, ende nuk ka një vendim të prokurorit publik.

VLEN: A po e “blen” Artan Grubi lirinë me sekretet e BDI-së?
Ka reaguar koalicioni VLEN. Partia shqiptare në pushtet ka kërkuar nga Prokuroria Publike sqarime lidhur me ecurinë e rastit “Lotaria” dhe mungesën, sipas tyre, të një aktakuze ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, duke ngritur dyshime se procedura po zvarritet.

Në reagimin e VLEN-it thuhet se po bëhen gati gjashtë muaj nga caktimi i masës së arrestit shtëpiak ndaj Grubit, të cilin koalicioni e quan “kutia e zezë e BDI-së”, ndërsa pretendohet se ende nuk ka aktakuzë për rastin “Lotaria”. Sipas VLEN-it, më 22 gusht skadon afati maksimal i kësaj mase, ndërsa Prokuroria, siç shprehen ata, po vazhdon të veprojë “me hapa breshke”. Koalicioni ngre edhe pyetjen nëse zvarritja e procedurës mund të lidhet me ndonjë bashkëpunim të mundshëm të Grubit me organet e ndjekjes.

“Mos vallë Artan Grubi e ka hapur gojën, ka kënduar si bilbil dhe për këtë arsye po zvarritet e gjithë çështja?”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Nga ky koalicion kërkojnë informacione edhe për procedurat që lidhen me vendosjen e Grubit në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. VLEN rikujton se autoritetet amerikane e kanë sanksionuar ish-zëvendëskryeministrin për pretendime për korrupsion të nivelit të lartë. VLEN i referohet gjithashtu rastit të gjykatësit Enver Bexheti, duke pretenduar se Grubi dhe Bexheti kanë qenë të përfshirë në veprime korruptive lidhur me çështjen e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov.

Në reagim, VLEN e përshkruan Grubin si një nga ish-funksionarët që, sipas tyre, ka njohuri të hollësishme për mënyrën e funksionimit të BDI-së dhe për vendimmarrjen brenda saj. Në fund, VLEN i bën thirrje Prokurorisë që të informojë publikun për fazën në të cilën ndodhet procedura në rastin “Lotaria”, arsyet pse, sipas koalicionit, ende nuk është ngritur aktakuzë dhe veprimet eventuale të ndërmarra pas konstatimeve të autoriteteve amerikane.

VLEN kërkon nga Prokuroria të mos luajë kukafshehta me drejtësinë, por të dalë e të tregojë pse ende nuk ka aktakuzë në rastin ‘Lotaria’, ku kanë ngecur procedurat dhe çfarë ka ndërmarrë pas konstatimeve të autoriteteve amerikane”, përfundon reagimi.

BDI akuzon VLEN-in për presion ndaj drejtësisë: Prokuroria të vendosë mbi prova, jo mbi direktiva partiake
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj qëndrimeve të fundit të koalicionit VLEN, duke e akuzuar atë për, siç thotë, “presion skandaloz dhe të papranueshëm” ndaj organeve të drejtësisë, veçanërisht ndaj Prokurorisë.

Nga BDI thonë se opinioni publik është përballur me një situatë shqetësuese pas reagimit të VLEN-it dhe adresimit të drejtpërdrejtë të Prokurorisë.

“Sot i gjithë opinioni është skandalizuar nga reagimi i partisë VLEN dhe apostrofimi i tyre ndaj Prokurorisë”, thuhet në reagimin e BDI-së. Sipas partisë opozitare, shqetësimet për ndërhyrje politike në sistemin gjyqësor janë ngritur vazhdimisht edhe nga faktori ndërkombëtar, ndërsa reagimi i VLEN-it, sipas BDI-së, vetëm sa i përforcon dyshimet për presione politike ndaj institucioneve të drejtësisë.

BDI i referohet edhe Raportit të Bashkimit Evropian, duke pretenduar se ai ngre alarmin për ndërhyrje politike dhe probleme në sundimin e ligjit.

“Prokuroria dhe gjykatat duhet të vendosin në bazë të provave e jo direktivave politike dhe partiake. Drejtësi selektive partiake nuk u duhet as qytetarëve, as Maqedonisë së Veriut”, theksojnë nga BDI.

Partia e Ali Ahmetit bën të ditur se shqetësimet e saj lidhur me këtë çështje ua ka përcjellë edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, përfshirë, siç thotë, edhe komunikatën e sotme të VLEN-it. BDI kërkon që prokurorët dhe institucionet gjyqësore të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe vendimet e tyre t’i bazojnë vetëm në ligj, prova dhe ekspertiza.

BDI bën thirrje për drejtësi evropiane, joselektive. Prokurorët bartin përgjegjësi dhe duhet të vendosin në bazë të ligjit, provave, ekspertizave, e jo në bazë të urdhëresave dhe dëshirave partiake”, thuhet më tej në reagim. Nga BDI akuzojnë VLEN-in se, përmes presionit ndaj Prokurorisë dhe asaj që opozitarja e cilëson si përndjekje politike, po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga rezultatet e veta në qeverisje.

“Paaftësinë e vet dhe dështimin e tërësishëm, VLEN tenton ta kamuflojë me përndjekje politike dhe presion ndaj Prokurorisë”, akuzon BDI. Në fund, BDI i bën thirrje VLEN-it që, nëse kërkon hetime dhe përgjegjësi penale, të fillojë, sipas saj, nga personat brenda radhëve të veta.

BDI përmend konkretisht Izet Mexhitin dhe Visar Ganiun, të cilët i lidh me pretendime për “mbi 250 milionë euro dëm” nga ndërtimet pa leje, si dhe Burim Latifin, për të cilin pretendon se bëhet fjalë për “mbi 19 milionë euro dëm ndaj buxhetit”. Në reagim përmendet edhe Nedim Rama dhe persona të tjerë nga VLEN-i. (koha.mk)

Banner

Related posts

MORALI POLITIK IMPRESIONANT I AFGANIT

Gjyla Halili

LSDM: Me ne rroga mesatare arriti në 40 mijë denarë, me VMRO ishte 22 mijë denarë

Gjyla Halili

Mexhiti: Do të jemi pjesë e një qeverie të orientuar drejt integrimeve europiane

Gjyla Halili