Shkruan: Azgan Haklaj
REKUIEM PËR ILUZIONET LINDORE!
FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA!
SHTETKOMBI SHQIPTAR DOMSDOSHMËRII HISTORIKE!
Perëndimi dhe Rajoni sot përballen me një kornizë të re dhe komplekse kërcënimesh gjeopolitike, ku ballafaqimi nuk zhvillohet vetëm me mjete ushtarake konvencionale, por përmes asaj që njihet si lufta hibride dhe terrorizmi modern informativ e politik.
Në këtë operacion hibrid kundër shqiptarëve, Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një nga sheshbetejat më të ndjeshme të këtij konflikti interesash, ku rrethimi hibrid i shqiptarisë nga aksi ruso-serbo-oriental synon drejtpërdrejt cenimin e shtetësisë dhe zbejen e së vërtetës historike.
Strategjia e përbashkët e këtij aksi mbështetet në destabilizimin e vazhdueshëm të aleancave euro-atlantike në rajon.
Rusia përdor dezinformimin, sulmet kibernetike dhe instrumentalizimin e varësisë energjetike për të mbajtur tensionet hapura dhe për të penguar integrimin e plotë të rajonit në NATO dhe BE.
Serbia shërben si urë lidhëse dhe eksponent lokal i këtij aksi, duke mbajtur gjallë retorikën e radikalizmit etnik dhe duke sprovuar sovranitetin e shteteve fqinje, veçanërisht të Kosovës.
Kina ndjek një strategji më subversive përmes “diplomacisë së borxhit”, investimeve strategjike në infrastrukturë dhe depërtimit në teknologji, duke krijuar varësi afatgjata ekonomike.
Paralelisht, një rrezik i ndjeshëm vjen nga iranofilët e instrumentalizuar dhe rrethet e ndikuara nga regjimi i Teheranit, të cilët përmes propagandës klerikale, ideologjive antiamerikane dhe infiltrateve dixhitale përpiqen të mbjellin ekstremizëm ideologjik e të minojnë orientimin perëndimor.
Në këtë kuadër, islamizmi politik si doktrinë dhe mekanizëm i shërbimeve pansllave e anti-perëndimore zë një vend kyç në strukturën e operacioneve të posaçme të akseve armiqësore. Përmes financimeve të errëta dhe rrjeteve të infiltruara, instrumentalizimi i radikalizmit klerikal synon zbehjen e identitetit kombëtar europian të shqiptarëve dhe zëvendësimin e tij me përkatësi sektare apo ideologji teokratike që bien në kundërshtim të hapur me vlerat tradicionale, tolerancën fetare dhe orientimin perëndimor.
Ky ekstremizëm shërben objektivisht si një armë plotësuese e doktrinave shoviniste fqinje, duke u përpjekur të provojë rrejshëm se shqiptarët nuk janë një komb i orientuar nga perëndimi, por një popullsi me vija demarkacioni të paqëndrueshme.
Në vakumin e krijuar nga kjo luftë asimetrike, faktorët neo-osmanë dhe qarqet prapavijë shfrytëzojnë krizat identitare për të zgjeruar ndikimin e tyre kulturor, fetar dhe ekonomik. Përmes investimeve selektive dhe rekrutimit ideologjik, synohet tjetërsimi i boshtit natyral të rajonit dhe zëvendësimi i tij me varësi të reja gjeopolitike.
Kjo goditje hibride godet drejtpërdrejt shtyllat e identitetit kombëtar, gjuhën dhe historinë përmes tentativave për të rishkruar ngjarjet historike e për të zbehur vlerat e Rilindjes Kombëtare; flamurin dhe simbolet përmes nxitjes së përçarjeve krahinore e fetare; si dhe synimin përfundimtar për shkëputjen e shqiptarëve nga traseja e tyre natyrore europiane.
Operacionet inxhinierike në terren!
Strategjia e përbashkët e këtij aksi nuk mbetet vetëm në rrafshin e dezinformimit kibernetik apo të retorikës boshe, por konkretizohet përmes operacioneve inxhinierike në terren që synojnë tkurrjen demografike, shfytyrimin identitar dhe deformimin e drejtësisë.
Inxhinieria e asimilimit, lëvizja e Deçanit!
Infiltrimi i “Kombit Kosovar”!
Nën petkun e nismave kulturore, akademike apo humanitare, për kthim në “identitet” në hapësirat e ndjeshme të Kosovës operojnë skema të strukturuara të financuara nga qendra anti-perëndimore për t’u nxitur konvertime identitare e fetare, apo teza për t’imponuar artificialisht teorinë e rreme të një “kombi kosovar” përpjekje për t’u shkëputur nga trungu mëmë.
Këto tendenca, përmes Lëvizjes së Deçanit dhe platformave të ngjashme, shfrytëzojnë dobësitë ekonomike dhe deorientimin ideologjik për të goditur bërthamën tradicionale të identitetit kombëtar shqiptar dhe për ta ndalur udhën drejt bashkimit kombëtar dhe krijimin e shtetkombit shqiptar.
Testimi diplomatik përmes Konsullatës Serbe në Shkodër!
Në këtë mozaik presionesh, projekti për hapjen e një konsullate serbe në zemër të Shkodrës, djep i historisë dhe i rezistencës kombëtare nuk është thjesht një lëvizje burokratike diplomatike, por një operacion i mirëfilltë inxhinierik në terren për të matur pulsin e rezistencës identitare, për të normalizuar penetrimin e strukturave fqinje në viset autoktone dhe për të krijuar nyja të reja të ndikimit të doktrinës së “Botës Serbe” brenda territorit shqiptar.
Spastrimi burokratik dhe pasivizimi i adresave në Luginën e Preshevës (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë)!
Përmes metodës perfide të pasivizimit administrativ të adresave, autoritetet e Beogradit po zbatojnë një formë moderne të spastrimit etnik.
Ky operacion sistematik dhe i mirëmenduar synon shpopullimin e trojeve autoktone shqiptare në Luginën e Preshevës, duke fshirë nga regjistrat qytetarët shqiptarë, duke u mohuar të drejtën elementare të pronës, votës dhe lëvizjes, dhe duke zvogëluar artificialisht peshën demografike e politike të shqiptarëve në vatrat e tyre mijëvjeçare.
Goditja e Gjuhës Shqipe, majorizimi e zhbërja e Badenterit në Maqedoninë e Veriut!
Përmes ndërhyrjeve institucionale dhe vendimeve gjyqësore e politike që synojnë kufizimin e përdorimit zyrtar të Gjuhës Shqipe, si dhe shkeljen, zhbërjen apo anashkalimin e mekanizmit të Badenterit si garanci e të drejtave të komuniteteve, po cënohet rëndë barazia kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Kjo shfaqet si një përpjekje e hapur për të kthyer kohën e pabarazisë dhe për të nxitur një majorizim etnik që minon bashkëjetesën dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Manipulimet gjyqësore dhe përdorimi i drejtësisë ndërkombëtare!
Vendimet e instrumentalizuara të Gjykatës së Hagës shpesh shërbejnë jo për të vendosur drejtësi, por për të barazuar agresorin me viktimën, duke synuar njollosjen e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe cënimin e shtetësisë së Kosovës përmes mjeteve ligjore ndërkombëtare.
Helenizimi i jugut dhe platformat inxhinierike!
Në jugun e Shqipërisë, përpjekjet recidiviste të aktorëve të tipit Beleri dhe rrjeteve të tyre satelitore shfaqen si pjesë e një platforme të mirëfilltë inxhinierike për tjetërsimin e pronave, rishkrimin e demografisë dhe nxitjen e tensioneve artificiale territoriale, në shërbim të agjendave shoviniste fqinje.
Heshtja institucionale ndaj Kauzës Çame!
Mbi këtë mozaik goditjesh rëndon një heshtje e pajustifikuar gjeopolitike dhe diplomatike ndaj çështjes dhe të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Çamërisë, duke lënë në harresë një plagë të hapur historike dhe pronësore që kërkon trajtim të barabartë në arenën ndërkombëtare.
Ofensiva identitare dhe provokimet nga Rozhaja në Plavë, Guci e Ulqin!
Në Malin e Zi, presioni ndaj faktorit shqiptar ka marrë trajta gjithnjë e më agresive.
Kjo dëshmohet qartë nga provokimet sistematike të shtrira nga Rozhaja në qendrat tona identitare si Plava dhe Gucia, ku u shënua rasti i rëndë i heqjes publikisht të flamurit kombëtar shqiptar në makinat e dasmës, e deri te përpjekjet e vazhdueshme për tjetërsimin e pronave dhe dhënien e plazheve dhe hapësirave strategjike të Ulqinit në duar të huaja.
Kësaj linje i shtohen edhe provokimet institucionale, siç është emërimi i drejtorëve jo-shqiptarë në shkollat e zonave me shumicë shqiptare, me qëllim të qartë të asimilimit arsimor, zhbërjes së gjuhës dhe shkuljes së rrënjëve autoktone nga trojet e tyre historike.
UÇK-ja, Kepi i Shenjtë i Lirisë dhe Rezistencës Kombëtare!
Në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe të dinjitetit mbarëshqiptar qëndron Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Si mishërimi më i lartë i sakrificës sublime për liri, UÇK-ja nuk ishte thjesht një forcë e armatosur, por përgjigja legjitime e një populli të shtypur ndaj spastrimit etnik dhe gjenocidit të regjimit serb. Tentativat e qarqeve antishqiptare, të mbështetura nga mekanizma të ndryshëm rajonalë e ndërkombëtarë, për të njollosur këtë luftë të pastër çlirimtare përmes gjykatave speciale dhe montimeve politike, përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë mbi të vërtetën historike dhe mbi vetë themelet e paqes në Ballkan.
Mbrojtja e vlerave të UÇK-së është detyrë kombëtare dhe një mburojë e pakompromis kundër çdo përpjekjeje për të barazuar agresorin serb me viktimën shqiptare.
Korrupsioni politik!
Goditja fatale dhe mjeti i prapavijës kundër Kombit Shqiptar!
Në strukturën e luftës hibride që synon nënshtrimin dhe tkurrjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, korrupsioni sistematik nuk është thjesht një dukuri negative e brendshme, por një armë strategjike e orkestruar nga qarqet antishqiptare.
Përmes financimit të fshehtë, mbështetjes së klaneve oligarkike dhe kapjes së institucioneve të drejtësisë, aktorët e huaj keqdashës gjejnë te politika e korruptuar aleatin ideal për të minuar demokracinë dhe për të dobësuar shtetin nga brenda.
Politikanët e korruptuar, të kapur pas interesave të ngushta klienteliste dhe pasurimit personal, shërbejnë si aktorë të përshtatshëm për të bërë pazar në kurriz të sovranitetit kombëtar.
Duke sakrifikuar interesat strategjike të vendit, ata krijojnë një mjedis ku ligji shkelet, meritokracia asfiksohet dhe pasuritë kombëtare tjetërsohen.
Ky model qeverisjeje prodhon në mënyrë të pashmangshme shpopullim masiv, duke i detyruar qytetarët, e sidomos rininë, të braktisin vatrat e tyre për shkak të padrejtësisë sociale dhe mungesës së perspektivës.
Në këtë kuadër, mbrojtja e vërtetë e identitetit dhe sigurisë kombëtare nuk mund të shkëputet nga lufta e pakompromis kundër pandëshkueshmërisë. E vetmja shpresë për të thyer këtë cikël shkatërrues është largimi i politikës së korruptuar që bën pazare në kurriz të popullit, duke i hapur rrugë një drejtimi të përgjegjshëm, të lidhur ngushtë me vlerat euroatlantike dhe me arkitekturën e besueshme të partneritetit me Uashingtonin.
Keto janë arsyet pse sovrani ka më shumë se 80- të ditë që proteston në sheshet e Tiranës kundër kastës së vjetër që nuk ka qeverisur por ka sundur prej më shumë se tre dekada duke konstruktuar rebublikën e korrupsionit që minon demokracinë, pengon drejtësinë dhe cenon sigurinë kombëtare.
Enklavizimi i kombit, kurrizorja e re e asfiksimit gjeopolitik!
Në këtë mozaik goditjesh, rreziku më afatgjatë mbetet enklavizimi i kombit.
Përmes nismave artificiale të ndarjes funksionale, krijimit të korridoreve të kontrolluara ekonomike, siç ishte projekti i dështuar tashmë deklaruar nga vete autori Edi Rama “Open Ballkan”, apo dhënies së portit të Shëngjinit për refugjatët, si dhe nxitjes sistematike të shpopullimit, aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë synojnë të shpërbëjnë hapësirën mbarëshqiptare në një mori “enklavash” të shkëputura nga njana-tjetra.
E gjithë kjo platformë inxhinierike ka si synim strategjik transplantimin e racës së pastër shqiptare, prishjen e strukturës apo fortifikatës kombëtare dhe kthimin e Gadishullit Ilirik në një rajon -banesë internacionale me qëllim pengimin e bashkimit kombëtar dhe shtetkombit shqiptar.
Ky proces synon:
Fragmentimin e tregut dhe të ekzistencës ekonomike!
Krijimin e varësive lokale dhe nismave të dështuara si “Open Balkan” që e izolonin Kosovën, Luginën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nga një treg i unifikuar, një Komunuelthi Panshqiptar duke i bërë ekonomitë tona pre e monopoleve të huaja.
Ballkanizimin e vetëdijes qytetare:
Zëvendësimin e horizontit panshqiptar dhe evropian me mikroklima krahinore, ku problemet e mbijetesës ditore shërbejnë për të zbehur kauzën e madhe kombëtare të bashkimit dhe integrimin e plotë, shkëputjen e gjakimit shpirtëror dhe kulturor, dobësimin e bashkëpunimit arsimor, kulturor dhe institucional përmes burokracive dhe barrierave artificiale që pengojnë qarkullimin e lirë të ideve, librit, artit dhe dijes.
Manipulimet kushtetuese dhe eksperimentet e rrezikshme (Shteti Bektashi dhe Precedenti i ekstrateritorialitetit)!
Një hallkë tejet e rrezikshme e këtij enklavizimi dhe e shkeljes së hapur të kushtetutës është edhe projekti artificial për krijimin e një tak-vendi apo “shteti bektashi” brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Kjo nismë antikushtetuese, e sponsorizuar nga agjenda të errëta prapavije dhe e huaj për traditën e pastër të bashkëjetesës fetare shqiptare, synon copëtimin e sovranitetit territorial, shndërrimin e komuniteteve në entitete enklaviste, dhe krijimin e një precedenti tejet të rrezikshëm që jo vetëm cenon rëndë unitetin kombëtar dhe rendin kushtetues të shtetit shqiptar, por hap gjithashtu rrugën e precedentit të rrezikshëm të kërkesave për shtete të tjera fetare në Shqipëri dhe aq më keq në Kosovë u hapë rrugë pretendimeve serbe për krijimin e mini-shteteve dhe zonave me ekstraterritorialitet të plotë rreth manastireve ortodokse në Dardaninë Antike.
Enklavizimi nuk është thjesht një pasojë e gjeografisë politike, por një produkt i inxhinierisë hibride që do të thithte dhe shuante ngadalë energjinë vitale të Kombit Shqiptar.
Përballë këtij rreziku ekzistencial, thyerja e mureve artificiale dhe ngritja e strukturave të përbashkëta strategjike, arsimore e ekonomike, të lidhura ngushtë me arkitekturën e sigurisë së Uashingtonit, mbetet detyra më urgjente e kohës.
Aleanca ekzistenciale me SHBA-në dhe mburoja e autoktonisë.
Përballë këtyre kërcënimeve, mbrojtja e autoktonisë dhe e identitetit kombëtar shqiptar shërben si diga përfundimtare kundër akseve të huaja.
Lidhja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleat strategjik në rrugëtimin historik nuk është thjesht një partneritet diplomatik i ditës, por një aleancë ekzistenciale e provuar nga mbrojtja e shtetësisë shqiptare në fillim të shekullit XX e deri te çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.
SHBA-ja mbetet garanti kryesor i sigurisë, trase e stabilitetit dhe e orientimit demokratik të shqiptarëve.
Kjo aleancë plotësohet nga Platforma Panshqiptare për Ruajtjen e Identitetit, e cila mbështetet në konsolidimin e vetëdijes arsimore e kulturore, në një doktrinë të përbashkët të sigurisë të koordinuar me Uashingtonin, si dhe në kultivimin e shpirtit kombëtar mbi çdo ndasi.
Vëmendja dhe përkushtimi i Uashingtonit ndaj rajonit konfirmohen edhe nga hapat konkretë diplomatikë dhe ligjvënës të Kongresit Amerikan. Në këtë kuadër, letra e 12-të senatorëve amerikanë për Ballkanin Perëndimor përbën një dokument me rëndësi të veçantë strategjike:
LETRA E 12-të SENATORËVE AMERIKANË PËR BALLKANIN PERËNDIMOR!
Drejtuar:
Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit të SHBA-së!
Nga:
Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit të SHBA-së (Nënshkruar nga 12 senatorë dypartiakë)
Përmbledhje e letrës zyrtare:
“Të nderuar zotërinj:
Po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të thellë për përshkallëzimin e tensioneve dhe rritjen e ndikimit malinj të fuqive të treta në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë te përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për të minuar arritjet demokratike dhe euro-atlantike në rajon.
Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi kritike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë të NATO-s.
Përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të mbjellë përçarje, për të destabilizuar institucionet përmes sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit, si dhe retorika nacionaliste që kërcënon sovranitetin e shteteve si Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, kërkojnë një përgjigje të menjëhershme, të prerë dhe të koordinuar nga Uashingtoni.
Senatorët i bëjnë thirrje administratës amerikane të ndërmarrë këto hapa urgjentë:
Përforcimi i pranisë diplomatike dhe i sigurisë:
Të rritet angazhimi i drejtpërdrejtë i SHBA-së në rajon për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve aleate, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.
Lufta kundër ndikimit hibrid!
Të ofrohet ndihmë teknike dhe financiare për mbrojtjen kibernetike, si dhe për përballimin e fushatave të dezinformimit rus e iranian që synojnë t’i largojnë popujt e rajonit nga orientimi perëndimor.
Zbatimi i sanksioneve të targetuara!
Të përdoren instrumentet ligjore (përfshirë urdhrat ekzekutivë) për të sanksionuar aktorët politikë dhe rrjetet e korruptuara në Ballkan që bashkëpunojnë me Moskën apo Pekinin për të destabilizuar rajonin.
Përshpejtimi i Integrimit Euro-Atlantik!
Të punohet ngushtë me Bashkimin Evropian për të garantuar një rrugë të qartë dhe të shpejtë drejt integrimit, si e vetmja garanci për paqe afatgjatë.
Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i lejojnë që fitoret e arritura me aq mund për paqen dhe demokracinë në Ballkan të zhbëhen nga agjendat autoritare.
Aleatët tanë historikë në rajon duhet ta dinë se Uashingtoni qëndron i palëkundur krah tyre.”
Përfundimi!
Për t’iu kundërvënë me vendosmëri çdo ideologjie përçarëse, teokratike apo hibride, vetëdija jonë politike e kulturore ruan të paprekur testamentin kombëtar si mburojë ekzistenciale.
Këtu po sjell në vëmendje porosinë e pashlyeshme e Pashko Vasës:
“Feja e shqiptarit është shqiptaria”, e cila bashkë me devizën ideologjike të ideologëve të Rilindjes sonë dhe Bektashizmit se:
“Pa atdhe nuk ka fe”, përbëjnë themelin dhe janë udhërrëfyese absolute të qenies sonë.
Përpara se të jem mysliman, katolik apo ortodoks, jemi shqiptar.
Në këtë udhëkryq historik, thirrja e At Gjergj Fishtës jehon si udhërrëfyes i pashmangshëm:
“Lësho kushtrimin në toskë e n’gegë,
mblidhuni tok si kokrrat n’shegë!”
Një komb, një histori:
Kjo është mburoja jonë e vetme identitare dhe garancia e pashmangshme për konsolidimin e faktorit shqiptar në krahun e Aleancës Euro-Atlantike.
Shtetkombi është domosdoshmëri historike.
