Shkruan: Azgan Haklaj
Sfidat dhe reflektimet përtej datës 16-të shtator!
Në skenën e trazuar të drejtësisë ndërkombëtare, ku kufijtë mes ligjit dhe gjeopolitikës shpesh shpërbehen, njoftimet nga Haga vazhdojnë të mbajnë pezull vëmendjen e opinionit publik. Ndërkohë që në rrafshin global fuqitë e mëdha hyjnë në përplasje të hapura me mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë, siç dëshmohet nga masat e fundit ndëshkuese të Uashingtonit ndaj udhëheqjes së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, në Kosovë sytë janë drejtuar nga një tjetër stacion i kësaj gjeografie gjyqësore, caktimi i datës 16-të shtator 2026 për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky moment kulmor kërkon një reflektim të thellë, i cili ndërtohet mbi tri shtylla themelore.
Dimensioni juridik dhe ai historik:
Përgjegjësia Individuale dhe shpirti i lirisë!
Gjykata Speciale, sipas mandatit të saj, operon në rrafshin e drejtësisë penale individuale, duke u përqendruar te veprimet ose përgjegjësia e pretenduar e individëve të caktuar.
Mirëpo, në kujtesën kolektive dhe në themelet e shtetësisë së Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është thjesht një strukturë ushtarake, por mishërimi i vullnetit popullor për mbijetesë dhe liri.
Beteja e UÇK- së është një luftë mes qenies sonë autoktone, identitetit dhe dinjitetit tonë dhe shtypjes shekullore sllave ndaj një populli në trojet e veta, e cila ka ripërtërirë epokën e Kreshnikëve të Jutbinës, të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa qëndresat e saj legjendare shëmbëllejnë me betejat e Termopileve dhe Qerbelasë,
Betejat e UÇK- së janë sprovat më të rënda të historisë sonë.
Asnjë vendim gjyqësor, pavarësisht natyrës së tij teknike apo dispozitivit të dt 16- të shtator, nuk mund të zhbëjë karakterin e pastër, çlirimtar dhe mbrojtës të luftës së popullit të Kosovës.
Përpjekja për të barazuar ose njollosur luftën e një populli përmes përgjegjësisë individuale mbetet një dështim i thellë i historografisë dhe drejtësisë substanciale.
Data 16 shtator ndan epokat.
Gjykata nuk mund të penalizojë historinë.
Çlirimtarët janë dalëzotës të vullnetit të një populli të shtypur me dhunë të pashembullt, genocid mesjetar të makinerisë ushtarake gjakatare të Sllobodan Millosheviçit.
Çlirimtarët që ndodhen në Hagë prej 6- të vitesh nën akuzat të fabrikuara nga sherbimet sekrete sllave janë themelues të shtetit të Kosovës.
Standardet, kohëzgjatja dhe kthesat gjeopolitike të drejtësisë ndërkombëtare!
Ky proces gjyqësor është zvarritur tej mase, duke shfaqur dobësi serioze në respektimin e parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe duke mbajtur në paraburgim të pandehur për një periudhë të pajustifikueshme.
Vonesat, vëllimi i stërmadh i provave dhe ndryshimet e vazhdueshme në skenën ndërkombëtare dëshmojnë brishtësinë e mekanizmave të drejtësisë ad-hoc.
Për më tepër, informacionet dhe manovrat e prapaskenave për të ngritur lëndë apo pretendime të reja siç kanë vepruar deri tani ndaj Hashim Thaçit, me qëllim zvarritjen apo shtyrjen e mëtejshme të vendimit, dëshmojnë se ky proces shpesh udhëhiqet nga kalkulime që shkojnë përtej drejtësisë formale.
Thirrje për aksion dhe mobilizim për dinjitetin qytetar më 16-të shtator!
Shpallja e aktgjykimit nuk është thjesht një datë kalendarike në sallën e gjyqit në Hagë, por një test maturie dhe zgjimi për të gjithë shqiptarët.
Sot kërkohet aksion dhe mobilizim i mbarë kombit reagim panshqiptar kudo që jetojnë në trojet etnike për të mbështetur UÇK-së dhe drejtuesit e saj.
Të gjithë në sheshe më 16-të shtator!
Taktika e dënimeve individuale dhe konstruktet e padrejta si “ndërmarrja e përbashkët kriminale” do të dështojnë përballë së vërtetës historike dhe zërit të bashkuar të popullit.
Historia, identiteti dhe dinjiteti ynë nuk gjykohen dot në sallat e izoluara.
Forca e një kombi matet te mënyra se si ngrihet në këmbë për të mbrojtur themelet e lirisë së tij.
