AKTUALE

Nik Gjeloshaj: Çështjet e Malësisë zgjidhen me dialog, jo me përplasje

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, u bëri thirrje qytetarëve për maturi, dialog dhe unitet lidhur me zhvillimet e fundit që kanë nxitur reagime në Malësi.

Në një reagim publik, Gjeloshaj theksoi se, pavarësisht dallimeve në qëndrime apo reagimeve emocionale, interesi i Malësisë duhet të mbetet mbi çdo interes tjetër.

“Malësia është në duar të sigurta. Jo sepse i takon dikujt, por sepse nuk do të lejojmë kurrë që për të të vendoset pa vullnetin e qytetarëve të saj. Malësia nuk është pronë e askujt – as e një individi, as e një partie. Është e të gjithëve dhe vetëm të bashkuar mund ta mbrojmë”, deklaroi ai.

Gjeloshaj bëri të ditur se për arsye private nuk ndodhet këto ditë në Mal të Zi, por theksoi se, po të ishte i pranishëm, do të ishte takuar me protestuesit për t’i dëgjuar dhe për t’u dhënë informacion të saktë.

Sipas tij, çështjet që prekin interesin e Malësisë nuk mund të zgjidhen përmes protestave, polemikave në rrjetet sociale apo përfitimeve politike, por vetëm përmes dialogut, argumenteve dhe përgjegjësisë.

Në cilësinë e kryetarit të Forumit Shqiptar, Gjeloshaj njoftoi se në ditët në vijim do të propozojë hapa konkretë për një bashkërendim të gjerë me të gjithë faktorët shoqërorë e politikë, si dhe me diasporën, me synim arritjen e një qëndrimi të përbashkët për çështjet me rëndësi për Malësinë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të ndalin përplasjet në rrjetet sociale, duke vlerësuar se ato nuk i shërbejnë interesit të Malësisë.

“Sot kemi nevojë për maturi, unitet dhe përgjegjësi”, përfundoi Gjeloshaj.

Ja postimi plotë:

Mundemi me mendua ndryshe, me veprua nga inati apo si reagim emocional. Emocionet janë pjesë e jetës dhe e politikës. Por Malësinë e kemi të përbashkët dhe për të duhet me punua bashkë.

Malësia është në duar të sigurta. Jo sepse i takon dikujt, por sepse nuk do të lejojmë kurrë që të vendoset për të pa vullnetin e qytetarëve të saj. Malësia nuk është pronë e askujt, as individualisht e as partiakisht. Është e të gjithëve dhe vetëm të bashkuar mund ta mbrojmë.

Për arsye private nuk jam në Mal të Zi këto ditë. Po të isha aty, do të kisha bisedua me protestuesit, me i dëgjua dhe me i informua drejt. Çdo qytetar që ka një brengë apo pyetje meriton përgjigje.

Këto janë çështje serioze. Nuk zgjidhen në rrugë, nuk zgjidhen përmes personave që nga kjo çështje e ndjeshme duan të fitojnë poena politikë, e as në rrjete sociale, por me dialog, argumente dhe përgjegjësi.

Si drejtues i Forumit Shqiptar, që kam legjitimitetin e fituar nga populli përmes shumë fitoreve zgjedhore gjatë këtyre viteve, në ditët në vijim do të propozoj hapa konkretë për një bashkërendim të gjerë me të gjithë ata që mund të japin kontribut, pa dallim bindjeje politike, bashkë me diasporën. Për çështjet madhore të Malësisë duhet të kemi një zë dhe një qëndrim të përbashkët.

Deri atëherë, i ftoj të gjithë të ndalin përplasjen në rrjetet sociale.
Ajo nuk i shërben Malësisë. Sot kemi nevojë për maturi, unitet dhe përgjegjësi.

Nik Gjeloshaj

Banner

Related posts

Bujar Osmani fitues në komunat Bogovinë dhe Bërvenic, ja rezultatet e para jozyrtare

Gjyla Halili

Pritje në Kuvend me rastin e Ditës së pavarësisë

Gjyla Halili

ZNAM: Nuk do të shkëmbejmë resorë me VMRO-DPMNE-në, do të kemi kandidatin tonë në Kumanovë

Gjyla Halili