Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Doganore dhe funksionar i VLEN-it, Mustafa Dauti, ka reaguar me akuza të ashpra ndaj BDI-së, duke vlerësuar se partia po kalon një krizë të thellë politike dhe se protesta e mbajtur në Tetovë dëshmoi, sipas tij, mungesën e mbështetjes qytetare.
Sipas Dautit, BDI pas dy dekadave në pushtet \”po fundoset duke u përpëlitur për të mbijetuar\”, ndërsa protesta e fundit ishte, siç tha ai, \”pasqyra më e qartë se populli nuk është kundër subjektit, por kundër mashtrimeve të tyre të përsëritura\”.
Ai kujtoi se, sipas tij, protestat u shndërruan në mjet politik i BDI-së që pas largimit nga pushteti në vitin 2024.
\”Protestat i sollën si ide që nga viti 2024 kur populli i nxori nga pushteti që e kishin shndërruar në pashallëk. Me tenda para Gjykatës Kushtetuese, rreth zjarreve fërkonin duart dhe kujtonin ditët në pushtet me nostalgji\”, u shpreh Dauti.
Ai i referohet edhe protestave të studentëve, duke pretenduar se BDI tentoi t\’i shfrytëzonte ato për përfitime politike.
\”Më vonë, kur studentët u bashkuan për një kërkesë krejt legjitime, ata që duhej ta zgjidhnin këtë çështje u turrën të parët në protestë. Tentuan të keqpërdorin të rinjtë, por dështuan. Në fakt ishte hera e parë që një parti protestonte kundër mosveprimeve të veta pas 22 viteve qeverisje. Ata nuk e zgjidhën çështjen e studentëve, dolën në protestë, por përgjegjësia jonë institucionale po e zgjidh këtë çështje përfundimisht\”, deklaroi ai.
Dauti shton se BDI vazhdoi me të njëjtën qasje edhe në protestën e fundit.
\”BDI-së i pëlqeu protesta kundër vetes. Pas dy daljeve radhazi për një problem që vetë e kishin krijuar, fituan vetëbesim të gabuar dhe thirrën edhe një protestë tjetër, po ashtu si pasojë e moszgjidhjeve të tyre. Por edhe këtë po e bëjnë në vendin e gabuar, pasi qytetarët e Tetovës i dëbuan nga Tetova që në vitin 2021. Siç dështuan në zgjedhje, po dështojnë në protesta dhe gjithkund tjetër\”, theksoi ai.
Sipas tij, qytetarët po e braktisin BDI-në për shkak të mënyrës se si ka qeverisur.
\”Subjekti më jetëgjatë në pushtet po përfundon aty ku e ka vendin. Po braktiset nga populli sepse është e njëjta parti që boshatisi shtëpitë shqiptare, braktisi të rinjtë e të moshuarit, nuk pa dhe nuk dëgjoi. Sot populli po u përgjigjet me të njëjtën kartë\”, tha Dauti.
Ai shtoi se BDI gabon nëse mendon se ka monopol mbi çështjen kombëtare.
\”Nëse BDI mendon se ndjesinë kombëtare e ka më të fortë se VLEN-i, gabon rëndë, pasi shqiptaria nuk matet me fjalë, por me vepra. Me veprat tuaja po e shohim shumë mirë se në çfarë halli i keni lënë shqiptarët. Me qindra mijëra i keni detyruar ta braktisin vendin për të kërkuar një jetë më të mirë\”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Dauti krahasoi edhe qeverisjen lokale të BDI-së me atë të komunave që drejtohen nga VLEN.
\”Kur BDI kishte pushtet lokal, komunat tona kundërmonin nga mbeturinat. Sot, kur pushteti lokal po udhëhiqet nga VLEN, gjithandej në çdo komunë po vjen era asfalt, gjelbërim dhe projekte të dobishme për qytetarët\”, deklaroi ai.
Ai premtoi gjithashtu se VLEN do ta zgjidhë edhe çështjen e emërtimit të rrugëve në Tetovë.
\”Si shumëçka tjetër, edhe emrat e rrugëve në Tetovë, që BDI për 22 vite pushtet nuk i bëri me ligj, por gjithçka e la shkel e shko, VLEN do t\’i bëjë me ligj, që të njëjtat rrugë me emra shqip askush asnjëherë të mos mundet t\’i kontestojë apo t\’i rrëzojë më\”, theksoi Dauti.
Në fund, ai vlerësoi se VLEN përfaqëson alternativën politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
\”VLEN është e tashmja dhe e ardhmja e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, pasi ne po punojmë me dinjitet, përgjegjësi dhe profesionalizëm, drejt të drejtave të plota dhe zgjidhjeve të vërteta, e jo atyre gjysmake\”, përfundoi Mustafa Dauti.
