AKTUALE

Mickoski si “Vuçiçi i vogël” apo Filipçe si “Zaevi i vogël”

Përplasja politike mes LSDM-së dhe VMRO-së intensifikohet pas deklaratës së Venko Filipçes, i cili e quajti kryeministrin Hristijan Mickoski “Vuçiçi i vogël”. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE iu kundërpërgjigj me akuza se Filipçe është “Zaev i vogël” dhe se duhet të japë llogari për lidhjet dhe pasurinë në Dubai

Shkup, 26 dhjetor – Përplasja politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së është ashpërsuar ndjeshëm pas deklaratave të kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, i cili e quajti kryeministrin Hristijan Mickoski “Vuçiçi i vogël”, duke e akuzuar për imitimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe për adoptimin e modelit të tij autoritar të qeverisjes. Reagimi i VMRO-DPMNE-së ishte i menjëhershëm, me kundërakuza se Filipçe është “Zaev i vogël” dhe se duhet të japë llogari për lidhjet dhe pasurinë e tij në Dubai. Në konferencën e djeshme për shtyp, Filipçe përsëriti qëndrimin e tij se bashkëpunimi i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut me qeverinë serbe dhe Partinë Progresive Serbe (SNS) është i dukshëm dhe i qëllimshëm. Ai theksoi se, sipas tij, kryeministri Mickoski ka filluar ta imitojë presidentin Vuçiq edhe në paraqitjet publike.

“Është e dukshme bashkëpunimi i kësaj qeverie me pushtetin serb të Aleksandar Vuçiqit dhe SNS-së, përkatësisht personalisht me të. Qytetarëve tashmë u bie në sy se si kryeministri Mickoski përpiqet ta imitojë Vuçiqin në lëvizje, në qëndrim, në mënyrën e dhënies së deklaratave dhe në konceptet e politikës. Nofkën tashmë e ka marrë: Vuçiçi i vogël”, deklaroi Filipçe.

Sipas tij, modeli i qeverisjes autoritare që zbatohet në Serbi po reflektohet gjithnjë e më shumë edhe në Maqedoninë e Veriut. “Ajo që bën Vuçiqi në Serbi, Mickoski përpiqet ta bëjë edhe këtu – një njeri i vetëm të përfaqësojë të gjithë politikën dhe partinë, ndërsa të tjerët vetëm të zbatojnë urdhrat e tij”, tha ai. Filipçe iu referua edhe zhvillimeve në Serbi pas tragjedisë në Novi Sad dhe protestave masive që pasuan, duke theksuar se dialogu atje është pothuajse i pamundur dhe shoqëria thellësisht e përçarë. “Në Serbi kjo shkon deri në përplasje, ndërsa vendi po përballet me kolaps ekonomik dhe izolim nga Evropa. E njëjta matricë e rrezikshme sot po zbatohet edhe në Maqedoni”, paralajmëroi ai. Në këtë kontekst, kreu i LSDM-së theksoi se kjo politikë çon drejt izolimit nga Bashkimi Evropian dhe shërben si alibi për fshehjen e krimit dhe korrupsionit. “Kërkohen vetëm justifikime që vendi të mbahet i izoluar nga Bashkimi Evropian. Nuk ka shpjegim tjetër”, u shpreh Filipçe.

Duke folur për çështjen me Bullgarinë, ai tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është vetëm një mekanizëm për përparimin drejt BE-së. “Kjo do të na çojë aty ku kemi synuar strategjikisht për dekada. Por kjo po paraqitet si tradhti, ndërsa në thelb mungojnë reformat, mungojnë prokurorët evropianë dhe transformimi i gjyqësorit, ndërsa krimi dhe korrupsioni vazhdojnë të lulëzojnë”, akuzoi Filipçe.

Ai përfundoi se qytetarët e shohin qartë se ky model çon drejt autoritarizmit, pasigurisë ekonomike dhe izolimit evropian, duke paralajmëruar se LSDM-ja do të vazhdojë ta denoncojë publikisht këtë kurs politik. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE reagoi me kundërakuza, duke theksuar se Filipçe është “i impresionuar nga bota serbe”, por sipas tyre, “dera e vetme për botën serbe në Maqedoni është vetë Venko Filipçe, i cili sillet si një Zaev i vogël”. “Nëse Zaevi luftonte për Bullgarinë, Venko lufton edhe për Bullgarinë edhe për një pjesë të botës serbe”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Partia në pushtet vazhdoi akuzat duke e lidhur Filipçen me ish-kryeministrin Zoran Zaev dhe me investime të dyshuara në Dubai. “Pranimi i Filipçes se ai nuk po ndërton ndërtesa me Zaevin në Dubai do të thotë pranim se Zaev po ndërton. Zaevi i vogël, Venko, duhet të përgjigjet se për çfarë dhe si e ka marrë vizën e artë në Dubai, ndërsa Zaev duhet të përgjigjet se si arriti te milionat me të cilat po ndërton atje”, theksojnë nga VMRO-DPMNE. Sipas partisë në pushtet, këto pretendime janë konfirmuar edhe gjatë një brifingu të Filipçes me gazetarët, ku ai mohoi përfshirjen personale në ndërtimet në Dubai, por, sipas VMRO-DPMNE-së, nuk e mohoi aktivitetin e Zaevit. Në fund, VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në se gjatë shtatë viteve në pushtet ka shkatërruar shtetin, ekonominë dhe dinjitetin e qytetarëve./ koha.mk

Banner

Related posts

Thaçi shkon në konak të Ali Ahmetit në Reçicë

Gjyla Halili

Disa pjesë të Sarajit, Çairit dhe Aerodromit pa rrymë

Gjyla Halili

Lëvizja Besa largon nga uebfaqja nënkryetaren Besa Kadriu dhe njofton se ajo ka dhënë dorëheqje nga organet e partisë

Gjyla Halili