Pas përfundimit të zgjedhjeve në Komunën e Bërvenicës, njëri nga drejtuesit e VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar përmes një postimi publik, duke bërë thirrje që të tejkalohen përplasjet dhe retorika polarizuese që shoqëruan procesin zgjedhor. “Zgjedhjet mbaruan. Sot Bërvenica ka kryetar komune, ndërsa jeta vazhdon dhe të gjithë ne u kthehemi obligimeve tona”, shkroi Mexhiti.
Ai deklaratat nxitëse të bëra gjatë fushatës tha se i kishte konsideruar si “folklor parazgjedhor”, ndërsa me të njëjtën gjuhë i cilësoi edhe deklaratat polarizuese të bëra pas përfundimit të zgjedhjeve. Sipas Mexhitit, vota është shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe asnjë subjekt apo aktor politik nuk mund të pretendojë se i ka votat në pronësi.
“Votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe askush nuk i ka në pronësi ato. Në politikë, pozicionimi kundër të gjithëve nuk është strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që herët a vonë prodhon zhgënjim”, shkroi Mexhiti.
Në reagimin e tij, Mexhiti u ndal edhe te raportet ndëretnike, duke theksuar se në demokracitë multietnike ndarja e qytetarëve në “ne” dhe “ata” krijon pabarazi dhe rrezikon përjashtimin e tjetrit. Ai vlerësoi se dialogu dhe bashkëpunimi janë parakushte për funksionimin e çdo shoqërie, ndërsa në shoqëritë multietnike përgjegjësia për dialog u takon të gjithë aktorëve shoqërorë.
“Në demokracitë multietnike nuk guxon të ekzistojë ndarje në ‘ne’ dhe ‘ata’, sepse kjo implikon pabarazi dhe tendenca për të suprimuar tjetrin. Dialogu dhe bashkëpunimi në çdo shoqëri janë imperativ dhe parakusht për funksionim të mirëfilltë”, theksoi Mexhiti.
Duke iu referuar reagimeve pas rezultatit zgjedhor, Mexhiti tha se nuk duhet t’u kushtohet rëndësi arsyetimeve dhe interpretimeve politike që, sipas tij, shfaqen sa herë që rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e aktorëve të caktuar. “Qytetarët vendosin me votë, ndërsa politika duhet të dijë të marrë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e veta”, përfundoi Mexhiti.
