AKTUALE

Meidani me mesazh të koduar: Burrat e shtetit mendojnë për brezin e ardhshëm

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka reaguar në mënyrë të tërthortë lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës, duke shpërndarë një thënie të njohur të James Freeman Clarke: “Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme. Një burrë shteti mendon për brezin e ardhshëm”.

Mesazhi i diplomatit shqiptar vjen në një moment kur debati për të drejtën e studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin në gjuhën shqipe është intensifikuar, ndërsa interpretohet si një përgjigje indirekte ndaj qëndrimeve të fundit të Qeverisë dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.

Pas peticionit të nënshkruar nga mbi 380 studentë shqiptarë, Mickoski fillimisht deklaroi se “studentët kanë të drejtë”, por vetëm një ditë më vonë ndryshoi qëndrim duke theksuar se “ligji nuk e lejon një gjë të tillë”. Linjë të ngjashme ndoqën edhe përfaqësuesit e koalicionit VLEN, të cilët në fillim pranuan të drejtën e studentëve, për të kaluar më pas në qëndrimin se “nevojiten ndryshime ligjore dhe harmonizim i kornizës ekzistuese”.

Ndërkohë, si përgjigje institucionale ndaj thirrjes për protestë nga studentët u paralajmërua formimi i një Grupi Pune në Qeveri për trajtimin e kësaj çështjeje.

Megjithatë, sipas informatave të gazetës KOHA, ky Grup ende nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje, duke ngritur pikëpyetje mbi seriozitetin e qasjes institucionale.

Në anën tjetër, ekspertë juridikë vlerësojnë se kërkesa e studentëve ka bazë të qartë ligjore. Sipas tyre, Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në procese të tilla, duke e bërë të panevojshme çdo vonesë apo interpretim kufizues. (koha.mk)

Banner

Related posts

Humanisti Mark Nikollë Pjetrushi Lulgjuraj, me rastin e Festës së Bajramit, gëzon fëmijët në vendlindje me 300 dhurata

admin

Erjola Xheko, kryetarja e Vatrës në Utah vizitoi Selinë Qëdrore të Vatrës

Gjyla Halili

SPAK sekuestron apartamentin e ish-kreut të Bashkisë Lushnjë

Gjyla Halili