AKTUALE

MBËSHTETJA PËR FEDERATËN VATRA E GAZETËN DIELLI SI AMANET I PËRJETSHËM PATRIOTIK

Sokol Paja

Federata Vatra e gazeta Dielli janë pasuria më e çmuar atdhetare, shpirtërore, patriotike e kulturore e shqiptarëve të Amerikës. Këto dy institucione të shenjta kombëtare përgjatë historisë i kanë dhënë shtetit, kombit dhe individëve krenari, identitet, dinjitet, nder dhe privilegj. Përgjatë një shekulli e një dekade, askush si Federata Vatra nuk e ka ndërkombëtarizuar çështjen kombëtare në diplomacinë e perëndimore e institucionet e shtetit amerikan. Askush si Dielli nuk zhvilloi, promovoi, debatoi, kultivoi dhe luftoi për çështjen kombëtare, historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë e identitetin kombëtar. Çdo shqiptar patriot i ka borxh të përjetshëm Vatrës e Diellit, sidomos mërgimtarët e Amerikës. Këto dy institucione të vyera kombëtare, dy superfuqi patriotike përgjatë historisë së mundimshme të shtetit e kombit tonë, kanë pasur rol deçiziv duke shkruar e promovuar historinë e lavdishme të shqiptarëve të Amerikës e jo vetëm. Vatrës e Diellit të gjithë i kemi borxh, dhe mbështetja është detyrë, detyrim e amanet i përjetshëm ndër brezat pasardhës. Të gjithë shqiptarët duhet të sakrifikojnë pak për ti shërbyer, mbështetur, promovuar aktivitetet e Federatës Vatra, pasi janë shpirti i komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës. Kontributi fenomenal dhe veprimtaria gjeniale në shërbim të Atdheut e Vatrës dhe Diellit kanë lartësuar kombin e flamurin tonë.

Kombëtarisht Vatra luftoi për të drejtat e shqiptarëve në trojet etnike, për pavarësinë e Shqipërisë, për konsolidimin e zhvillimin e shtetit shqiptar, luftën kundër komunizmit, ardhjen e demokracisë, lidhjen e fortë me Amerikën, luftën e UÇK, pavarësinë e Kosovës, proceset euroatlantike e forcimin e marrëdhënieve të kombit tonë me aleatin e përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithçka do harrohej nëse çdo sukses historik dhe arritje kombëtare nuk do të promovohej e shënohej në Diellin e shqiptarëve të Amerikës, Diellin e kombit, Diellin e shenjtë të Vatrës. Federata Vatra e gazeta Dielli u “shkrinë” për komb, atdhe e komunitet.
Sukseset historike të Federatës Vatra si: përpjekjet e fuqishme për pavarësinë e Shqipërisë, mbledhja e fondeve nga diaspora e Amerikës për shpëtimin e Shqipërisë (fushata: Mbahu nëno mos ki frikë se je djemtë në Amerikë), pjesëmarrja për mbrojtjen e kufijve jugor të Shqipërisë, vendosja e një përfaqësuesi nga shqiptarët e Amerikës në Washington para se të vendoseshin zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Amerikë, lobimi për Shqipërinë në Konferencën e Paqes, dërgimi i deputetit shqiptar nga Amerika në Parlamentin e Shqipërisë, oponenca ndaj regjimit komunist nëpërmjet veprimtarisë së fuqishme publicistike në gazetën Dielli, mbledhja e fondeve me fushata të herëpashershme për komb e komunitet si dhe organizimi i diasporës shqiptare në USA për çlirimin e Kosovës, protestat për çështjen kombëtare në Uashington, New York, Boston etj, pritje-përcjelljet e delegacioneve kombëtare politike, diplomatike e kulturore prej shteteve amë, promovimet e librave të krijuesve, artistëve e shkencëtarëve shqiptarë, botimi i Abetareve për zhvillimin e gjuhës shqipe në Amerikë, bashkimi i komunitetit shqiptar në Amerikë në darkën e flamurit kombëtar, reagimet e fuqishme e deklaratat publike ndaj padrejtësive të shqiptarëve në trojet etnike etj tregojnë për një veprimtari të jashtëzakonshme të Federatës Vatra në shërbim të kombit e komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës e jo vetëm. Vatra është lideri i padiskutueshëm patriotik i Shqiptarëve të Amerikës.

Federata Vatra mbetet organizata më e vjetër e diasporës shqiptare jashtë kufijve politik të Shqipërisë e gazeta Dielli media më e fuqishme në diasporat shqiptare nëpër botë ku nëpërmjet zërit dhe fuqisë intelektuale atdhetare, Vatra e Dielli me angazhim, përkushtim dhe devotshmëri e ndershmëri patriotike ngritën gjithmonë lart vlerat kombëtare shqiptare. Ndaj, për këto arsye e shumë e shumë te tjera, kërkojmë mbështetjen e fuqishme e kontributin e shqiptarëve në Amerikë e jo vetëm për të lartësuar dhe çuar përpara këto institucione të vlerave dhe kontributeve më të larta kombëtare shqiptare.
Sot Vatra dhe Dielli rrezatojnë patriotizëm, atdhedashuri, e krenari kombëtare me vazhdimësinë e palëkundur në shekullin e dytë. Federata Vatra e gazeta Dielli i kanë promovuar, nderuar e dekoruar shqiptarët e Amerikës, si asnjë institucion tjetër. Sot është koha për mirënjohje të paktën. Forcimi i Vatrës e Diellit, do të thotë të forcosh komunitetin dhe kombin shqiptar. Askush si Federata Vatra e gazeta Dielli nuk e ka luajtur rolin e ambasadorit e promotorit të shqiptarizmës. Punët e mëdha kombëtare të Vatrës e Diellit janë dëshmi e aspiratave për liri, demokraci, përparim e qytetnim të shqiptarëve. Vatra e Dielli kanë pasqyruar e rrezatuar vlerat më të larta kombëtare, vyrtytet më të çmuara e aspiratat më të veçanta shoqërore, patriotike e atdhetare. Gazeta Dielli e Federata Vatra u dhanë gjithçka ndër vite të dimrit e beharit e sot shqiptarët nuk duhet të kursehen për të mbajtur të fortë institucionet e shenjta të kombit tonë, Vatrën e Diellin, identitet, vlerë, dinjitet, frymëzim e krenari e çdo shqiptari në Amerikë e trojet etnike. Mbështetja është detyrë, përkrahja amanet i përjetshëm. Rroftë Vatra, rroftë Dielli.

Banner

Related posts

BALLI KOMBETAR NGA KOSOVA PERKRAH KANDIDATIN AZGAN HAKLAJ

Gjyla Halili

MASH po punon për një zgjidhje të re ligjore për cilësi më të lartë të teksteve shkollore

admin

Parashikimi i motit për sot

Gjyla Halili