Kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në mbrojtje të historisë, identitetit dhe dinjitetit të Tetovës, pas zhvillimeve të fundit që lidhen me emërtimin e rrugëve në qytet.
Në një takim të strukturave partiake të BDI-së në Tetovë, Rexhepi theksoi se qyteti nuk do të heshtë përballë, siç u shpreh ai, tentativave për të zbehur trashëgiminë historike dhe kulturore shqiptare.
Ai kritikoi Komunën e Tetovës për mosreagimin ndaj kërkesave për sqarime dhe dokumentacion, duke u thirrur edhe në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit për një periudhë të gjatë nuk janë dorëzuar përgjigjet e kërkuara.
“Ky nuk është vetëm një debat për emrat e rrugëve. Bëhet fjalë për respektimin e historisë sonë, të rilindësve dhe të gjitha arritjeve që janë ndërtuar me përkushtim e sakrificë”, deklaroi Rexhepi.
Sipas tij, Tetova ka qenë dhe mbetet një nga qendrat kryesore të kulturës, arsimit dhe identitetit shqiptar, ndërsa çdo përpjekje për të cenuar këtë trashëgimi do të përballet me reagim qytetar.
Në këtë drejtim, ai ftoi qytetarët, intelektualët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të gjithë të interesuarit që t’i bashkohen marshit protestues që do të mbahet të premten, më 26 qershor, në ora 20:00, me nisje nga Sheshi Iliria në Tetovë.
“Zëri i qytetarëve është zëri i Tetovës dhe i dinjitetit të saj”, theksoi Rexhepi.
Ja postimi plotë:
TETOVA NË KËMBË: HISTORIA NUK ABROGOHET❗️
Sot, në mbledhjen e strukturave partiake të BDI – Dega Tetovë, në prani të liderit Ali Ahmeti, u vendos qartë: Tetova nuk do të heshtë përballë këtij akti poshtërues ndaj historisë, identitetit dhe dinjitetit të saj.
Pas heshtjes së Komunës së Tetovës ndaj kërkesës sonë për seancë urgjente dhe pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, ku dëshmohet se për gati një vit Komuna katër herë nuk i është përgjigjur kërkesave për dokumentacion, bëhet e qartë se kjo nuk është pakujdesi, por bashkëautorësi.
Kjo nuk është vetëm çështje emrash rrugësh. Është tentativë për të mohuar Rilindasit, historinë, trashëgiminë dhe çdo të arritur shqiptare të ndërtuar me sakrificë në 20 vitet e fundit.
Tetova është djepi i kulturës, arsimit dhe krenarisë shqiptare. Këtu kanë nisur dhe do të nisin lëvizjet që i çojnë shqiptarët përpara. Prandaj, nuk pranojmë të kthehemi pas dhe nuk pranojmë asgjë më pak se dinjitetin tonë të plotë.
👉Të premten, më 26 qershor, në ora 20:00, nga Sheshi Iliria, ftojmë çdo qytetar, çdo intelektual, çdo zë të lirë dhe çdo atdhetar, pa dallim bindjeje politike, të bashkohet në Marshin Protestues.
Eja edhe ti. Zëri yt është zëri i Tetovës!



