Kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës, Lazim Destani, ka përshëndetur zgjedhjen e Akademikes Justina Shiroka-Pula në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një lajm të gëzueshëm dhe të rëndësishëm për vendin.
“Urime popull i Kosovës, urime Akademike e nderuar, Justina Shiroka-Pula”, shprehet Destani në mesazhin e tij.
Ai thekson se zgjedhja e Shiroka-Pulës si Presidente dhe përmbyllja e procesit të konsolidimit të institucioneve shtetërore përbëjnë një moment të rëndësishëm për Kosovën, duke e lidhur atë me stabilitetin institucional dhe vizionin për të ardhmen.
“Ky moment shënon triumfin e pjekurisë politike, stabilitetit dhe vizionit të përbashkët për të ardhmen”, shprehet Destani.
Kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës thotë se i ka ndjekur nga afër sfidat e këtij procesi dhe përgëzon krerët e vendit dhe liderët politikë për, siç shprehet ai, urtësinë, frymën e kompromisit dhe përgjegjësinë shtetërore të treguar në momente vendimtare.
Sipas Destanit, vendosja e interesit të atdheut dhe qytetarëve në plan të parë krijon mundësi për tejkalimin e ngërçeve dhe forcimin e institucioneve.
Duke e parë zhvillimin nga perspektiva e komunitetit të biznesit dhe e angazhimit të diasporës, Destani e konsideron stabilitetin institucional si një bazë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ai vlerëson se institucionet e plota dhe funksionale mund të krijojnë kushte më të favorshme për investime të qëndrueshme, zhvillim ekonomik, fuqizim të kapitalit njerëzor dhe realizimin e projekteve në shërbim të mirëqenies së qytetarëve.
“Një shtet me institucione të plota dhe funksionale është shtet që frymëzon besim te partnerët ndërkombëtarë dhe te vetë rinia e tij e mrekullueshme”, thekson Destani.
Në fund të mesazhit, ai uron që kapitulli i ri institucional të shënojë fillimin e një periudhe me bashkëpunim, zhvillim dhe prosperitet për Kosovën.
“Uroj që ky kapitull i ri të jetë fillimi i një epoke me suksese të pandalshme, bashkëpunim të ngushtë dhe prosperitet të gjithanshëm. Ju priftë e mbara!”, përfundon Lazim Destani.
