AKTUALE

Karaxhenemi: Vetëm 35,37% e investimeve kapitale në Shëndetësi janë realizuar, Tetova kërkon veprim konkret

Realizimi i investimeve kapitale në shëndetësi dhe trajtimi i projekteve të planifikuara për Spitalin Klinik të Tetovës janë vënë në pikëpyetje nga mjeku Haris Karaxhenemi.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën e Ministrisë së Financave për investimet kapitale, Ministria e Shëndetësisë ka realizuar 35,37% të planit të shpenzimeve kapitale. Të dhënat paraqesin 4,26 milionë euro të realizuara nga rreth 7,78 milionë euro të planifikuara.

Karaxhenemi pretendon se, përkundër nevojave të Spitalit Klinik të Tetovës, projektet e planifikuara për këtë institucion nuk janë realizuar në nivelin e kërkuar. Në reagimin e tij, ai përmend ndër të tjera renovimin e sallave operative, rikonstruksionin e pediatrisë, kujdesin intensiv dhe furnizimin me pajisje mjekësore.

Ai e cilëson situatën si “neglizhencë institucionale” dhe ngre shqetësimin se projektet konkrete dhe urgjente nuk duhet të shtyhen duke u arsyetuar me investimet e paralajmëruara për të ardhmen.

74 milionë euro për Tetovën – projekti është paralajmëruar, por kërkohet realizim konkret

Në muajt e fundit, institucionet kanë bërë të ditur një projekt të madh për modernizimin e Spitalit Klinik të Tetovës, me vlerë rreth 74 milionë euro. Projekti parashikon ndërhyrje në infrastrukturën ekzistuese, ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe pajisje moderne mjekësore. Në gusht janë bërë publike edhe përgatitjet për realizimin e projektit.

Megjithatë, Karaxhenemi kërkon që paralelisht me projektet afatgjata të ndërmerren edhe masa konkrete për nevojat që, sipas tij, janë të pranishme sot në spital.

“Ministër, vepro tani!”, është mesazhi i tij drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.
Karaxhenemi kërkon që një nga hapat e parë të jetë realizimi i parkut memorial, duke e cilësuar atë si një simbol të respektit ndaj qytetarëve dhe të përgjegjësisë institucionale.

Debati për investimet në Spitalin Klinik të Tetovës pritet të vazhdojë edhe në kuadër të projektit të paralajmëruar prej 74 milionë eurosh, ndërsa mbetet për t’u parë ritmi dhe dinamika konkrete e realizimit të investimeve.
#MinistërVepro

Ja postimi plotë:

Neglizhencë institucionale ndaj Spitalit Klinik të Tetovës!

Ministria e Shëndetësisë deri në shtator 2026 ka realizuar vetëm 35,37% të buxhetit kapital, ndërkohë që për Spitalin Klinik të Tetovës nuk është investuar asnjë denar.

Qasja selektive është e dukshme: projektet për Tetovën janë tërhequr si të parealizuara, ndërsa për institucionet tjera janë realizuar pothuajse të gjitha projektet e parashikuara.
Edhe pse në planin e furnizimeve publike të vitit 2024 ishin paraparë investime për renovimin e sallave operative, rikonstruksionin e pediatrisë, kujdesin intensiv dhe furnizimin me aparatura mjekësore, ato mbetën pa zbatim.
Justifikimi i vetëm mbetet premtimi për 74 milionë euro investime në të ardhmen – një arsye e papranueshme për të bllokuar projektet ekzistuese dhe urgjente për qytetarët.

Ministër, vepro tani!
Të paktën fillo nga parku memorial, si simbol i respektit ndaj qytetarëve dhe i vullnetit për veprim konkret.

#MinistërVepro

Banner

Related posts

Takim i presidentes Siljanovska Davkova me sekretarin e përgjithshëm e Këshillit për bashkëpunim rajonal, Amer Kapetanoviq

Gjyla Halili

Ministri Osmani publikon vendimin e Komisionit Shtetëror kundër korrupcionit dhe prokurorisë

Gjyla Halili

Grupi i Zjarrit: Është momenti të propozojmë ligj për statusin e familjeve të dëshmorëve të UÇK-së

admin