AKTUALE

Gjeloshaj dënon fyerjet që DPS ia drejtoi Camajt: “Nuk do t’u nënshtrohemi presioneve tuaja”

Më së ashpërmi i dënoj fyerjet që DPS ia ka drejtuar Nikollë Camajt dhe familjes së tij për shkak të qëndrimit të tij personal se nuk do ta nënshkruajë iniciativën e tyre, deklaroi kryetari i Forumit Shqiptar dhe zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj.

“Të quash një kundërshtar politik ‘idiot të dobishëm’ dhe të sulmosh dinjitetin e tij personal dhe familjar nuk është polemikë politike, por një formë e papranueshme e linçimit publik. Një fjalor i tillë është i padenjë për një parti që pretendon të flasë në emër të Malit të Zi qytetar dhe evropian.

Bëhet fjalë për qëndrimin personal të deputetit tonë dhe anëtarit të Kryesisë, dhe jo për një vendim të Forumit Shqiptar, siç e ka bërë të qartë edhe vetë kolegu Camaj. Qëndrimi përfundimtar do të përcaktohet në mbledhjen e Kryesisë, organi i vetëm kompetent për marrjen e një vendimi të tillë.

Nëse ka qenë e nevojshme që qëndrimi personal të bëhej publik para vendimit të Kryesisë, është një çështje që do ta zgjidhim brenda Forumit Shqiptar. DPS nuk ka as të drejtë politike dhe as morale të rregullojë marrëdhëniet tona të brendshme”, tha Gjeloshaj në një deklaratë për mediat.

Forumi Shqiptar vendos në mënyrë të pavarur, shtoi ai, duke mos u udhëhequr as nga interesat e ish-pushtetit dhe as nga interesat e disa pjesëve të shumicës aktuale.
“Vendimet tona i bazojmë në parime, në orientimin evropian dhe euroatlantik të Malit të Zi, në vlerat që ndajmë me partnerët në Bruksel dhe Uashington dhe në respektimin e plotë të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Lavdërimi i kriminelëve të luftës të dënuar përfundimisht është për ne i papranueshëm.
Ndaj vlerësimin e kolegut Camaj për qëndrimin shumëvjeçar të DPS-së ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë pakicë. Asnjëherë nuk i jemi nënshtruar DPS-së, përkundrazi, ishim ndër të parët që nisëm procesin e largimit të saj nga pushteti.

Nuk do t’i nënshtrohemi as kujtdo nga shumica aktuale parlamentare dhe as pjesë të komunitetit mediatik të komprometuar nuk do të ndikojnë në vendimet tona me gënjeshtra, manipulime dhe insinuata.

Edhe pse me sjelljen tuaj keni merituar përgjigjen më të ashpër, ne nuk do të fyejmë dhe as nuk do t’i përfshijmë familjet tuaja në konfliktet politike. Nuk do t’ju quajmë as me emrat me të cilët tashmë ju cilëson një pjesë e madhe e qytetarëve të Malit të Zi, e as nuk do të kujtojmë çfarë kredibiliteti keni fituar te partnerët ndërkombëtarë.

Jo për shkakun tuaj, por për shkakun tonë — sepse, për nga kultura elementare politike, jemi shumë mbi nivelin në të cilin po përpiqeni ta ulni dialogun publik”, tha Gjeloshaj.
Ai porositi që familjet të përjashtohen nga përplasjet politike.

“Prisni vendimin e Kryesisë së Forumit Shqiptar dhe më pas përballuni me të me argumente politike, nëse i keni. Vendimet tona nuk do të jenë rezultat i fyerjeve dhe presioneve tuaja, por i vlerave dhe parimeve tona”, tha Gjeloshaj.

Banner

Related posts

Dauti: Në Tetovë janë hapur të gjitha vendvotime, në dy janë paraqitur probleme me pajisjen biometrike

Gjyla Halili

Mbështetje e madhe për Blerand Ramadanin në fshatrat Kopanicë dhe Rashçe

Gjyla Halili

Lazim Destani me Lladrovcin e urojnë 28 Nëntorin nga Tirana

Gjyla Halili