Dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve është një dukuri shqetësuese ndaj së cilës Komuna e Çairit nuk do të jetë indiferente. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se Komuna ka nisur hapat konkretë për krijimin e një platforme të përbashkët për parandalimin dhe menaxhimin e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve në shkollat e territorit të Komunës së Çairit.
Sipas kryetarit Mexhiti, siguria dhe mirëqenia e fëmijëve kërkon një qasje të organizuar dhe afatgjatë, e cila nuk duhet të kufizohet vetëm në reagimin pas incidenteve.
“Ne duam të veprojmë para se dhuna të ndodhë, jo vetëm të reagojmë ndaj pasojave të saj. Siguria dhe mirëqenia e fëmijëve tanë janë përgjegjësi e përbashkët dhe kërkojnë bashkëpunimin e të gjithë aktorëve relevantë”, theksoi Mexhiti.
Platforma e re synon të bashkojë Komunën, shkollat, psikologët dhe shërbimet profesionale, mësimdhënësit dhe prindërit, me qëllim krijimin e një mekanizmi të koordinuar për parandalimin, identifikimin dhe trajtimin në kohë të rasteve të dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve.
Në kuadër të kësaj qasjeje parashikohet realizimi i aktiviteteve edukative, puna e drejtpërdrejtë me nxënësit dhe prindërit, si dhe forcimi i mekanizmave institucionalë për identifikimin e hershëm dhe trajtimin profesional të rasteve.
Kryetari Mexhiti theksoi se synimi është krijimi i një mjedisi shkollor ku çdo fëmijë ndihet i sigurt, i respektuar dhe i mbrojtur.
“Çdo fëmijë ka të drejtë të ndihet i sigurt, i respektuar dhe i mbrojtur në shkollën e tij. Për këtë qëllim, institucionet, shkollat dhe familjet duhet të veprojnë së bashku. Komuna e Çairit do të jetë pjesë aktive e këtij procesi dhe do të vazhdojë të ndërmarrë hapa konkretë në interes të fëmijëve tanë”, deklaroi Mexhiti.
Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, shkollave dhe familjeve, me qëllim që parandalimi i dhunës të jetë pjesë e një politike të qëndrueshme për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.



