Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë për, siç ka thënë ai, fokusimin në projekte jashtë Kosovës në vend të përfundimit të projekteve infrastrukturore të nisura prej vitesh.
Haradinaj ka deklaruar se në vend që të përurohej autostrada e Gjilanit dhe ajo Klinë–Gjakovë, të cilat sipas tij kanë nisur para rreth shtatë vitesh, kryeministri dhe kabineti i tij kanë udhëtuar në Maqedoninë e Veriut për t’u mburrur me projekte të nisura gjatë kohës kur BDI ishte në pushtet.
“Kryeministri në detyrë ka harruar detyrën që e ka!”, ka shkruar Haradinaj, duke e akuzuar qeverinë për neglizhencë ndaj projekteve në Kosovë.
Ai ka përmendur në veçanti premtimin për përfundimin e autostradës së Gjilanit, duke thënë se ishte premtuar që ajo do të përfundonte në vitin 2023.
“Hajde o zotni, e kryej punët e shtëpisë, se e more në qafë këtë vend”, ka deklaruar Haradinaj.
Në reagimin e tij, Haradinaj ka kritikuar edhe shpenzimet e qeverisë, duke pretenduar se janë shpenzuar rreth 25 miliardë euro pa u ndërtuar, sipas tij, asnjë metër autostradë.
Ai e ka mbyllur reagimin me një tjetër kritikë ndaj qeverisë, duke iu referuar simbolikisht nisjes së punimeve dhe kostos së saj për vendin.
“Ajo lopatë me zhavor i kushtoi Kosovës 3 milionë tonë qymyr, dhuratë nga ti”, ka shkruar Haradinaj.
