Në seancën e djeshme të Parlamentit të Malit të Zi, nënkryetari i Parlamentit, Nikollë Camaj, ngriti dy çështje të rëndësishme gjatë diskutimit për Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale: statusin e Ulqinit si qytet historik dhe çështjen e territorit historik të Malësisë në kuadër të Komunës së Tuzit.
Camaj theksoi se statusi i Ulqinit, si një nga qytetet më të lashta historike të rajonit, nuk duhet të vihet në pikëpyetje mbi bazën e kritereve që lidhen vetëm me treguesit ekonomikë.
“Ulqini nuk është fajtor pse ka mbetur prapa në zhvillim. Ai ka një identitet historik dhe kulturor të vazhdueshëm, i cili duhet të tejkalojë kritere të tilla. Ulqini ishte qytet para shumë të tjerëve”, u shpreh Camaj.
Sipas tij, identiteti historik dhe kulturor i Ulqinit duhet të respektohet dhe të mbrohet përmes zgjidhjeve ligjore që marrin parasysh specifikat dhe rëndësinë e këtij qyteti.
Çështja e dytë e ngritur nga nënkryetari i Parlamentit lidhej me Komunën e Tuzit dhe territorin historik të Malësisë.
Camaj vlerësoi se, nëse territorit të Zetës i është njohur emri dhe identiteti i tij, nuk ka arsye që territori historik i Malësisë të mos i përkasë Komunës së Tuzit.
Ai tërhoqi vëmendjen për nevojën e zgjidhjes së kësaj çështjeje në interes të komunës dhe banorëve të Malësisë, veçanërisht të banorëve autoktonë – malësorëve.
“Sepse, nëse ata mbeten në një komunë ku përbëjnë më pak se 1 për qind të popullsisë, në kuadër të Kryeqytetit, humbin shumë nga të drejtat që Kushtetuta ua garanton në komunat ku përqindja e tyre është më e lartë”, theksoi Camaj.
Në përfundim, nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi bëri thirrje për mirëkuptim dhe pajtim ndërmjet qytetarëve dhe forcave politike, duke vlerësuar se një zgjidhje e drejtë për territoret ku malësorët jetojnë prej shekujsh është në interes të një të ardhmeje më të mirë për Malësinë dhe për Malin e Zi.
Për çështjen e statusit të Ulqinit janë paraqitur amendamente, për të cilat Camaj falënderoi nënshkruesit e tyre, ndërsa për çështjen e Malësisë ai shprehu shpresën për mirëkuptimin dhe mbështetjen e nevojshme institucionale.


