Vendimi i fundit për anulimin e emrave të rrugëve në Tetovë ka nxitur reagime të ashpra politike. Sekretari organizativ i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bajram Rexhepi, e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si “sulm ndaj çdo vlere shqiptare” dhe përpjekje për të zhbërë realitetin e krijuar pas Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas Rexhepit, me anulimin e vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës të vitit 2007, po goditen emrat e rrugëve që pasqyrojnë historinë, identitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve në Tetovë.
“Ky është skandal dhe provokim i drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës, barazisë dhe themeleve të shtetit të ndërtuar pas vitit 2001. Tetovën po mundohen ta kthejnë prapa, në një realitet të dhimbshëm diskriminimi, përjashtimi dhe mohimi”, ka deklaruar Rexhepi.
Ai ka akuzuar edhe udhëheqësinë aktuale të Komunës së Tetovës për, siç tha, paaftësi në mbrojtjen e vendimeve institucionale të trashëguara nga periudha kur komuna drejtohej nga BDI.
Rexhepi vlerëson se nuk bëhet fjalë thjesht për një çështje juridike, por për një mesazh politik kundër historisë dhe identitetit shqiptar.
“Autorët dhe porositësit e kësaj fryme janë të njëjtët që publikisht proklamonin se Maqedoninë do t’ua kthejnë maqedonasve, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë në pushtet vazhdojnë të heshtin”, thuhet në reagimin e tij.
Në fund, ai ka dërguar një mesazh të prerë, duke theksuar se “kjo nuk kalon” dhe se Tetova gjithmonë ka pasur njerëz që mbrojnë historinë, dinjitetin dhe identitetin e saj.
“Këtu vendoset vija e kuqe”, përfundon reagimi i Rexhepit.
