Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përshëndetur miratimin e ligjit për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të dinjitetit të pjesëtarëve të saj.
Ahmeti ka vlerësuar se institucionet e Kosovës, duke u udhëhequr nga përgjegjësia ndaj shtetit dhe gjeneratave të reja, kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e asaj që ai e konsideron pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës.
“UÇK-ja, ashtu siç ka ditur në të kaluarën t’i bashkojë shqiptarët rreth lirisë, dinjitetit dhe të drejtës për të jetuar të lirë, edhe sonte dëshmoi se mbetet vlerë që na bashkon”, është shprehur Ahmeti.
Sipas tij, ligji duhet të shoqërohet me efekte konkrete juridike në mbrojtje të vlerave të luftës dhe të dinjitetit të pjesëtarëve të UÇK-së.
“Ky ligj duhet të prodhojë efekte konkrete juridike në mbrojtje të vlerave të luftës, të dinjitetit të pjesëtarëve të saj dhe të pastërtisë së përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për t’u mbrojtur nga shtypja, pushtimi, gjenocidi dhe spastrimi etnik”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka uruar për këtë, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm në përpjekjen për ruajtjen e së vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Urime për këtë arritje! Është një hap i rëndësishëm në një betejë ku duhet të mbizotërojë e vërteta historike dhe të ruhet pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftë për liri, dinjitet dhe shtet”, ka përfunduar Ahmeti.
Ja postimi plotë:
Më gëzon fakti që autoritetet politike të Kosovës, duke u udhëhequr nga përgjegjësia e tyre ndaj kombit, shtetit dhe së ardhmes së gjeneratave të reja, më në fund gjetën zgjidhjen dhe në Kuvendin e Republikës miratuan ligjin për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dinjitetit të pjesëtarëve të saj, ndaj të cilëve po zhvillohet një proces i tjetërsuar dhe i padrejtë.
UÇK-ja, ashtu siç ka ditur në të kaluarën t’i bashkojë shqiptarët rreth lirisë, dinjitetit dhe të drejtës për të jetuar të lirë, edhe sonte dëshmoi se mbetet vlerë që na bashkon. Ky ligj duhet të prodhojë efekte konkrete juridike në mbrojtje të vlerave të luftës, të dinjitetit të pjesëtarëve të saj dhe të pastërtisë së përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për t’u mbrojtur nga shtypja, pushtimi, gjenocidi dhe spastrimi etnik.
Urime për këtë arritje! Është një hap i rëndësishëm në një betejë ku duhet të mbizotërojë e vërteta historike dhe të ruhet pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftë për liri, dinjitet dhe shtet.
