Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përshëndetur zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe zgjedhjen e Prof. Dr. Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit.
Ahmeti ka vlerësuar pjekurinë politike dhe përgjegjësinë shtetërore të autoriteteve politike të Kosovës, të cilat, sipas tij, arritën të gjejnë një zgjidhje për krizën politike duke shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare.
“Me një vëmendje të veçantë, sonte përcolla pjekurinë politike dhe përgjegjësinë e lartë shtetërore të autoriteteve politike të Kosovës, të cilat arritën të gjejnë zgjidhje për krizën politike, duke shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare dhe duke zgjedhur në krye të shtetit Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se stabiliteti institucional dhe interesi shtetëror e qytetar duhet të jenë mbi interesat partiake.
“Stabiliteti institucional, përqendrimi te zgjidhjet që i ofrojnë të ardhme më të mirë qytetarëve dhe vendosja e interesit shtetëror e qytetar mbi atë partiak duhet të jenë gjithmonë udhërrëfyes për autoritetet politike të Republikës së Kosovës”, është shprehur Ahmeti.
Duke iu referuar historisë së Kosovës, Ahmeti ka theksuar sakrificën për lirinë dhe rolin e aleatëve në çlirimin e vendit.
“Mos të harrojmë se lirinë e kemi fituar me gjak, çlirimin me aleatë!”, ka shkruar ai.
Në mesazhin e tij, Ahmeti i ka uruar presidentes së re sukses në detyrën e saj.
“Presidente Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, urime për përgjegjësinë e re dhe detyrën e lartë shtetërore! Ju uroj shumë sukses, urtësi dhe arritje në ushtrimin e këtij misioni të rëndësishëm në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka përfunduar Ahmeti.
Ai ka uruar gjithashtu Republikën e Kosovës, duke shprehur dëshirën për më shumë stabilitet, unitet dhe përgjegjësi në të ardhmen.
Ja postimi plotë:
Me një vëmendje të veçantë, sonte përcolla pjekurinë politike dhe përgjegjësinë e lartë shtetërore të autoriteteve politike të Kosovës, të cilat arritën të gjejnë zgjidhje për krizën politike, duke shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare dhe duke zgjedhur në krye të shtetit Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Stabiliteti institucional, përqendrimi te zgjidhjet që i ofrojnë të ardhme më të mirë qytetarëve dhe vendosja e interesit shtetëror e qytetar mbi atë partiak duhet të jenë gjithmonë udhërrëfyes për autoritetet politike të Republikës së Kosovës, shtetit më të ri të Evropës, të krijuar mbi sakrificën dhe gjakun e bijve më të mirë të kombit. Mos të harrojmë se lirinë e kemi fituar me gjak, çlirimin me aleatë!
Presidente Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, urime për përgjegjësinë e re dhe detyrën e lartë shtetërore! Ju uroj shumë sukses, urtësi dhe arritje në ushtrimin e këtij misioni të rëndësishëm në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Urime, Republikë e Kosovës! Të gëzohemi bashkë me sukseset tuaja dhe të ecim përpara me stabilitet, unitet dhe përgjegjësi për të ardhmen e brezave të rinj.
