Pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar edhe kreu i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj , i cili e ka cilësuar vendimin si të padrejtë.
“Lajm shumë i keq dhe vendim jashtëzakonisht i padrejtë! Sot mund të jetë ditë zie për shqiptarët, por qëndrimi dinjitoz i të akuzuarve i jep forcë popullit shqiptar ta përballojë këtë dhimbje, me besimin se kjo dënim i tmerrshëm do të rrëzohet në instancat më të larta”, ka deklaruar Gjeloshaj.
Ai ka shprehur solidaritetin e tij me ish-drejtuesit e UÇK-së dhe familjet e tyre, duke theksuar rëndësinë që, sipas tij, ka lufta çlirimtare në kujtesën e shqiptarëve.
Në reagimin e tij, Gjeloshaj ka përmendur edhe figurën e komandantit legjendar Adem Jashari, duke theksuar se lufta e UÇK-së mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës kombëtare shqiptare.
Reagimi vjen pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kurrë nuk kam besuar se një vendim gjyqësor mund të ishte kaq i padrejtë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte çlirimtare, deklaroi në Facebook zëvendëskryeministri për politikën ekonomike, ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe lideri i Forumit Shqiptar (FSH), Nik Gjeloshaj, duke komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë.
Kjo gjykatë sot dënoi ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me nga 25 vjet burgim, ndërsa bashkë të pandehurit Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin me përkatësisht 18 dhe 13 vjet burgim, duke i shpallur fajtorë për krime lufte në Kosovë dhe Shqipëri, gjatë viteve 1998–1999.
