AKTUALE

Nik Gjeloshaj pas aktgjykimit në Hagë: “Besojmë deri në fund në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, beteja për drejtësi vazhdon!”

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për politikën ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjeloshaj e ka cilësuar vendimin si “lajm shumë të keq dhe një vendim jashtëzakonisht të padrejtë”, duke shprehur besimin se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar dhe se vendimi mund të shqyrtohet në instancat më të larta.

“Sot mund të jetë ditë zie për shqiptarët, por qëndrimi dinjitoz i të akuzuarve i jep forcë popullit shqiptar që ta përballojë këtë dhimbje, me besimin se ky aktgjykim i tmerrshëm do të rrëzohet në instancat më të larta”, është shprehur Gjeloshaj.

Ai thekson se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë dhe shpreh bindjen se beteja ligjore do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të procesit.

Sipas Gjeloshajt, lufta e UÇK-së ishte vetëmbrojtëse dhe çlirimtare, ndërsa synimi i saj, sipas tij, ishte mbijetesa, liria dhe shteti i Kosovës. Ai nënvizon gjithashtu mbështetjen që Kosova mori nga aleatët e saj perëndimorë.

Në reagimin e tij, Gjeloshaj kujton se të akuzuarit janë paraqitur para drejtësisë dhe, sipas tij, kanë respektuar institucionet ndërkombëtare.

“Ata as nuk kanë ikur, as nuk janë fshehur, por janë paraqitur para drejtësisë dhe do ta vazhdojnë betejën e tyre ligjore deri në fund.”

Zëvendëskryeministri shqiptar në Qeverinë e Malit të Zi shpreh gjithashtu solidaritet me ish-krerët e UÇK-së dhe me familjet e tyre, duke përmendur në reagimin e tij edhe figurën e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Çdo shqiptar e ka në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së dhe komandantin legjendar Adem Jashari. Çdo shqiptar beson në pafajësinë e tyre!”, deklaron Gjeloshaj.

Në përmbyllje, ai përcjell një mesazh të fortë:
“Liria dhe pavarësia kanë një vulë: UÇK-ja dhe Amerika!” 🇦🇱🇺🇸
Gjeloshaj ka reaguar edhe ndaj, siç e quan ai, nxjerrjes së një deklarate të mëparshme nga konteksti. Ai sqaron se diskutimi i tij kishte të bënte me respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare nga shqiptarët dhe jo me ndonjë qëndrim kundër institucioneve të drejtësisë.

Duke iu referuar rastit të Ante Gotovinës, Gjeloshaj thekson se ka pasur raste kur vendimet e shkallës së parë janë ndryshuar në apel.
“Besojmë deri në fund; beteja për drejtësi vazhdon!”, përfundon ai.

Ja postimi plotë:

Lajm shumë i keq dhe një vendim jashtëzakonisht i padrejtë!

Sot mund të jetë ditë zie për shqiptarët, por qëndrimi dinjitoz i të akuzuarve i jep forcë popullit shqiptar që ta përballojë këtë dhimbje, me besimin se ky aktgjykim i tmerrshëm do të rrëzohet në instancat më të larta.

Nuk kam besuar kurrë se një vendim gjyqësor mund të ishte i tillë dhe kaq i padrejtë. Ky është vendim i shkallës së parë dhe procesi gjyqësor nuk ka përfunduar.
Besojmë se, deri në përfundimin e plotë të procesit, do të dëshmohet pafajësia e të gjithëve.

Lufta e UÇK-së ishte vetëmbrojtëse, çlirimtare dhe e drejtë. Ishte luftë për mbijetesën, lirinë dhe shtetin e Kosovës, e përkrahur nga aleatët tanë perëndimorë. Agresori nuk mund dhe nuk duhet të barazohet me atë që është detyruar të mbrohet.

Shqiptarët dhe vetë të akuzuarit i kanë respektuar institucionet ndërkombëtare. Ata as nuk kanë ikur, as nuk janë fshehur, por janë paraqitur para drejtësisë dhe do ta vazhdojnë betejën e tyre ligjore deri në fund.

Çdo shqiptar e ka në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së dhe komandantin legjendar Adem Jashari. Çdo shqiptar beson në pafajësinë e tyre!

Liria dhe pavarësia kanë një vulë: UÇK-ja dhe Amerika!

P.S.
Nuk ia vlen të komentohet nxjerrja e një deklarate sime nga konteksti dhe manipulimi me të. Biseda ishte për respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare nga shqiptarët, për dallim nga qëndrimi i palës tjetër.

Kurrë nuk kam besuar se gjykatat ndërkombëtare mund të bëjnë padrejtësi. Edhe Ante Gotovina përjetoi padrejtësi në shkallën e parë, por në shkallën e dytë fitoi drejtësia.

Besojmë deri në fund; beteja për drejtësi vazhdon!

NGJ

Banner

Related posts

MPB: Gjatë Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Gjyla Halili

“Gjuha”/ Kushtetuesja ende s’e ka caktuar datën

Gjyla Halili

Mobilizohen mbështetësit e Bajram Rexhepi, përkrahje masive edhe në Shkumbin

Gjyla Halili