AKTUALE

SHKOLLA SHQIPE “BESA”, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË MALTË

Luljeta Bushi, themeluese e shkollës shqipe “BESA” në Maltë: “Komuniteti shqiptar është miqësi, mbështetje, bashkëpunim dhe ndjenjë përkatësisë”.

Intervistoi: Sokol Paja

1. E nderuar mësuese Luljeta si lindi ideja e hapjes së shkollës “BESA” në Maltë?

Jam emigrante e gjeneratës së parë në UK, kam dy fëmijë që kanë lindur dhe rritur në Londër. Të dy fëmijët e mi në Londër kanë pasur mundësinë të mësojnë shqipen në shkollat shqipe që janë hapur atje. Si nënë, si mësuese dhe si atdhetare e di sa e rëndësishme është të mbash gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat tona shumë shekullore. Jetoj në Maltë prej 10 muajsh. Në takime dhe biseda me bashkëatdhetarë që jetojnë këtu vura re që shumë nga fëmijët e tyre nuk flasin shqip, gjithashtu vura re dhe shqetësimin e prindërve në lidhje me këtë fenomen. Dëshira dhe eksperienca ime (35 vjet) në lidhje me edukimin e brezit të ri, bëri të mundur që të hap këtë shkollë për familjet shqiptare këtu në Maltë. Numri i shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Maltë është mbi 6000 vetë, disa nga këta kanë më shumë se 20 vjet këtu. Pa mendoni çfarë do të thotë, gjithë këto familje këtu pa një shkollë ose një komunitet të tyre?

2. Cilat ishin hapat dhe përpjekjet e para, vështirësitë dhe sfidat për hapjen e shkollës shqipe në Maltë?

Vështirësitë dhe sfidat në jetën e një emigranti janë të panumërta, sidomos në shtete të vogla si Malta apo vende të ngjashme me të, ndryshe nga UK, USA apo shtete e tjera të Europës.

Ideja dhe dëshira për të hapur Shkollën Shqipe BESA ishte guri i parë, nuk më mori shumë kohë për të krijuar një imazh të qartë të shkollës BESA, ku u mbështeta nga disa prindër duke më dhënë kurajo dhe më motivuan në çdo hap. Kuptova që nuk jam vetëm.

Guri i dytë ishte vështirësia më e madhe që më mori mbi 4 muaj për ta realizuar. Ishte vështirë ku do të krijonim një klasë për fëmijët tanë. Për 4 muaj rresht kam dërguar mbi 100 mesazhe në shkolla dhe bashki të ndryshme të Maltës për të marrë me qira një ambient për shkollën dhe nismën tonë. Asnjë përgjigje. Pastaj fillova të shkoj vetë në person, në disa nga shkollat dhe bashkitë, por asnjë ndihmë. Më vonë fillova kërkimet online dhe rashë në kontakt me një kishë që kishte lidhje dhe misione në Shqipëri prej shumë vitesh. Ata m’u përgjigjën dhe lashë takim me FR Alan që më ndihmoi për të gjetur një hall në një nga kishat në Valletta. Dhe kjo ishte kënaqësia më e madhe imja gjatë kësaj kohe. Me këtë rast doja të jepje një big THANK YOU to Fr Alan!!!

Guri i tretë ishte, idetë dhe mënyrat për ta bërë këtë shkollë të njohur te bashkëatdhetarët tanë në Maltë. Me ndihmën e disa prindërve bëmë të mundur të hapim FB ku të gjithë të kishin mundësinë të shikonin qëllimin dhe mundësitë që do të ofronte shkolla BESA. Gjithashtu kemi folur në lidhje me këtë nismë, me prindër, miq e të afërm kudo që i takonim. Unë në çdo park që kaloja dhe dëgjoja shqip u ndala dhe u flisja për Shkollën BESA.

Vështirësi vazhdojmë të kemi, por jo sfida. Mendoj që sfidë për mua ishte guri i tretë. Por dua të theksoj që vështirësi kemi akoma, me durim dhe me përkushtim dhe dëshirën për këtë nismë do t’ia dalim. Mos harroni, ne jemi EMIGRANTË, fjalët vështirësi dhe sfidë janë refreni i jetës sonë. Më thoni, NE si shqiptarë çfarë nuk jemi në gjendje të bëjmë?

3. Si organizohet komuniteti i shqiptarëve në Maltë?

Ne shqiptarët kemi një thënie të bukur: “Gur gur bëhet mur, mur mur bëhet kala.” Shpresoj që Shkolla Shqipe BESA të jetë një themel i fortë për të krijuar një komunitet tonin këtu në Maltë, sepse gjithë kjo popullsi shqiptare nuk ka një komunitet. Pse komuniteti është i rëndësishëm në një vend të huaj Kur jetojmë në një vend të huaj, komuniteti bëhet një urë që na lidh me rrënjët, gjuhën, kulturën dhe traditat tona.

Për fëmijët tanë, është veçanërisht e rëndësishme të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën shqipe, të njohin historinë dhe traditat e prindërve të tyre dhe të ndihen krenarë për origjinën e tyre.

Por komuniteti nuk është vetëm gjuhë dhe kulturë. Është edhe miqësi, mbështetje, bashkëpunim dhe ndjenja e përkatësisë.

Në një vend të huaj, të kesh njerëz me të cilët mund të ndash gjuhën, traditat dhe përvojat e përbashkëta të bën të ndihesh më afër shtëpisë. Bashkë ruajmë gjuhën. Bashkë ruajmë kulturën. Bashkë ndërtojmë komunitet.

4. Cilat janë ndjesitë dhe pritshmëritë e vitit të ri shkollor?

Të qenurit mësuese është kënaqësi më vete, do më merrte faqe të tëra ta përshkruaja. Por të qenit mësuese e një shkolle shqipe në vend të huaj ka një ndjesi krenarie, malli dhe përgjegjësie, do të thoja. Të jem e vërtetë me ju, prita që do të kishim më shumë fëmijë si ditë e parë për këtë vit të ri shkollor, por shpresoj dhe dëshiroj që në ditët në vijim të kemi më shumë fëmijë. Si person mundohem të shikoj anët pozitive që jeta më ofron. Më poshtë doja vetëm të citoja disa thënie nga Rilindasit tanë:

Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. FK (Albania 15-30 janar 1899 C).

Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. FK (Albania 4, 1906).

Nga poema “O moj Shqypni” PV
“Mos shikoni kisha e xhamia,
Feja e shqyptarit asht shqyptarija!
Bashkohuni të gjithë në nji fe,
Të gjithë si vllazën në nji kthe?!”

5. Cili është bashkëpunimi me shoqatat dhe institucionet shtetërore në Maltë?

Shqiptarët këtu nuk kanë asnjë organizatë shoqërore dhe asnjë instancë shtetërore për të diskutuar problemet e tyre shoqërore, shtetërore që hasin përditë në jetën e tyre këtu në Maltë. Ata për një vizë apo për një letër duhet të shkojnë në ROME për çdo aplikacion apo aprovim. Pra, nuk kanë një konsullatë shqiptare. Nuk mund të shtoj asgjë në lidhje me këtë pikë.

Motoja e Shkollës Shqipe “BESA” në Maltë:

We want our children to grow proud of:
To be Albanian by heritage.
To be Maltese by opportunity.
To be global by education.

Banner

Related posts

Fronti Europian hap shtabin në lagjen Migjeni në Tetovë

Gjyla Halili

Zylbeari: Rrahja brutale e nxënësve shqiptarë në Tetovë dhe incidenti i ngjashëm në Manastir janë tregues të qartë se klima e urrejtjes dhe diskriminimit po përshkallëzohet

Gjyla Halili

Taravari ndaj kritikave të sotme: Reagim s’ia vlen

Gjyla Halili