Qeveria e Kanadasë ka njoftuar zgjerimin e shërbimit për rinovimin online të pasaportave, i cili tashmë është i disponueshëm për të gjithë qytetarët kanadezë të rritur që plotësojnë kriteret e përcaktuara.Njoftimi u bë nga ministrja Lena Metlege Diab, e cila theksoi se kjo nismë synon ta bëjë procesin e rinovimit të pasaportës më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të qasshëm për qytetarët në mbarë vendin. Përmes platformës online, aplikantët mund të plotësojnë kërkesën për rinovimin e pasaportës, të ngarkojnë fotografinë dhe dokumentacionin e nevojshëm, si edhe të kryejnë pagesën në mënyrë elektronike, pa pasur nevojë të dërgojnë dokumente me postë ose të paraqiten fizikisht në zyrat e Service Canada.Sipas autoriteteve kanadeze, ky shërbim do të lehtësojë ndjeshëm qasjen në shërbimet publike, veçanërisht për qytetarët që jetojnë në zona rurale ose të largëta, si dhe për personat me vështirësi në lëvizje. Ndërkohë, aplikimet me postë dhe shërbimet në zyrat e Service Canada do të vazhdojnë të jenë në dispozicion për qytetarët që preferojnë ose kanë nevojë t’i përdorin këto forma aplikimi.Me këtë hap, Qeveria e Kanadasë synon të modernizojë më tej ofrimin e shërbimeve publike dhe t’u ofrojë qytetarëve një proces më të lehtë, më efikas dhe më të përshtatshëm për rinovimin e pasaportave.
