Lajme

Vrasja e Liridona Ademajt u inskenua si grabitje, motivi ishte përfitimi pasuror

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas aktgjykimit të arsyetuar, vrasja ishte planifikuar dhe inskenuar si grabitje, ndërsa motivi kryesor ishte përfitimi pasuror nga polisa e sigurimit jetësor dhe motive personale të Murselit.

Themelorja, më 21 prill 2026, ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, pasi janë shpallur fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt. Më 6 korrik 2026, Gjykata publikoi edhe aktgjykimin e arsyetuar të këtij rasti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 6 korrik 2026, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari Naim Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, si dhe për shkak të mllefit e dëshirës për hakmarrje, kishte bërë plan ta largonte Liridonën nga jeta e tij. Sipas aktgjykimit, pas datës 25 qershor 2022, kur ishte paguar polisa e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt, në shumën prej 3,000,000 kronash suedeze, ai kishte synuar që, përveç vrasjes, të përfitonte edhe dobi financiare.

Për këtë qëllim, Naim Murseli ia kishte shpalosur planin e tij Kushtrim Kokallës, duke i kërkuar që të gjente mundësi për vrasjen e saj. Fillimisht, Kokalla kishte refuzuar, por më pas kishte gjetur të akuzuarin Granit Plava, të cilin e kishte njoftuar me Naim Murselin. Sipas aktgjykimit, të tre ishin dakorduar që Plava ta kryente vrasjen, ndërsa Murseli t’ia paguante kompensimin në shumën prej 30,000 eurosh.

Ndërkaq, më 29 nëntor 2023, Murseli kishte siguruar armën e zjarrit të markës “Zastava”, të cilën e kishte blerë nga i akuzuari Tom Dodaj për shumën prej 280 eurosh. Më pas, atë armë ia kishte dorëzuar të akuzuarit Granit Plava, i cili e kishte përdorur për vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas aktgjykimit, po atë ditë, në intervalin kohor nga ora 20:11 deri në orën 20:18, në vendin e dakorduar me të akuzuarin Murseli, ku ngjarjen e kishin inskenuar si grabitje, Naim Murseli, në mënyrë dinake, e kishte mbajtur me dorën e tij të djathtë tani të ndjerën Liridonë për krahun e saj të majtë, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit. Më pas, Murseli kishte dalë nga vetura së bashku me fëmijët dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Tutje, Gjykata ka vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari Granit Plava, pas marrëveshjes paraprake me Naim Murselin, më 29 nëntor 2023, në intervalin kohor nga ora 20:11 deri në orën 20:18, në fshatin Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, në lagjen “Chelsea Point”, Komuna e Prishtinës, kishte vepruar sipas planit të dakorduar. Sipas aktgjykimit, Murseli, me veturën e tij BMW, i kishte dhënë shenjë me dritat e automjetit të akuzuarit Granit Plava, i cili më pas kishte dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar.

Në ato çaste, Naim Murseli kishte ndaluar dhe fikur motorin e veturës, ndërsa me dorën e tij e kishte mbajtur Liridonën për krahun e dorës së majtë. I akuzuari Granit Plava, për kompensimin e dakorduar prej 30,000 eurosh, nga afërsia dhe drejtpërdrejt përmes dritares gjysmë të hapur në anën e pasagjerit, kishte shtënë një fishek nga pistoleta në drejtim të Liridonës, duke e qëlluar në kokë, prapa veshit të djathtë. Si pasojë e lëndimeve të marra, ajo kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Ndër tjerash, Gjykata ka konstatuar se Granit Plava, nga data 29 nëntor 2023 rreth orës 14:00 deri më 1 dhjetor 2023 rreth orës 16:15, kur është kryer bastisja në shtëpinë e tij në fshatin Cërmjan, Komuna e Gjakovës, ka mbajtur pa autorizim dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore armën e markës “Zastava” dhe 19 fishekë të kalibrit 6 mm, armë me të cilën, sipas aktakuzës, është kryer vepra penale. Kjo armë, sipas aktgjykimit, ishte blerë nga Naim Murseli prej Tom Dodajt për shumën prej 280 eurosh.

Në vendim thuhet se po ashtu është vërtetuar se Kushtrim Kokalla, pasi Naim Murseli i kishte kërkuar të gjente mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt, fillimisht kishte refuzuar, mirëpo më pas e kishte gjetur Granit Plavën, të cilin e kishte njoftuar me Naim Murselin. Sipas aktgjykimit, të tre ishin dakorduar që Plava ta kryente vrasjen.

Ndërkaq, Gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se Kushtrim Kokalla, edhe pse kishte pasur njohuri për veprën penale të kryer, nuk i kishte lajmëruar organet kompetente për kryerësit apo për veprën penale të vrasjes, planifikimi i së cilës ishte bërë me pjesëmarrjen e tij aktive, së bashku me Naim Murselin dhe Granit Plavën, e që fillimisht nga organet kompetente ishte hetuar si rast grabitjeje.

Gjykata ka analizuar edhe elementet e veprës penale. Për veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, përcaktohet: “Privon nga jeta anëtarin e familjes”, ndërsa për ekzistimin e kësaj forme të vrasjes duhet të plotësohet kushti objektiv, i cili konsiston në faktin se vrasja kryhet ndaj një anëtari të familjes. Në rastin konkret, Naim Murseli dhe viktima kanë qenë anëtarë të familjes, përkatësisht bashkëshortë.

Po ashtu, nënparagrafi 1.4 përcakton: “Privon nga jeta personin tjetër në mënyrë mizore apo dinake”, që nënkupton se, në mënyrë dinake, mashtruese dhe me qëllim të keq, duke shfrytëzuar besimin e veçantë të viktimës, kryhet vrasja me qëllim që viktima të privohet nga jeta pa rezistencë ose me rezistencë sa më të vogël.

Ndërsa, nënparagrafi 1.6 i po këtij neni përcakton se: “Privon nga jeta personin tjetër me qëllim të fitimit të dobisë pasurore”, element që plotësohet edhe kur kryesi synon të përfitojë dobi pasurore dhe është i vetëdijshëm për shkaktimin e vdekjes, duke u pajtuar që ajo të ndodhë.

Banner

Related posts

“I ka pa tre të vdekur” – Qytetari tregon momentin ku tre kosovarët u gjeten të vdekur nga aksidenti në Maqedoni

Admin2

Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar shkarkimit nga kryetari i LDK-së

Admin2

Ministri Hoxha viziton punimet në Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”: Projekti strategjik po merr formë konkrete

Admin2