AKTUALE

Lladrovci: Nderimi për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vazhdon çdo ditë, çdo ditë të vitit

Me rastin e përvjetorit të 250-të të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ramiz Lladrovci ka shkruar: “Katër Korriku është nesër dhe pastaj vije Pesë Korriku dhe vijon deri në përvjetorin tjetër, por, mua besoj edhe të tjerëve si unë që ishim në gjendje të japim çdo gjë për lirinë e Kosovës, nderimi për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vazhdon çdo ditë, çdo ditë të vitit”.

Opinioni i z. Lladrovci në rrjetin social:

Nderimi për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vazhdon çdo ditë, çdo ditë të vitit
Ta ndjesh Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), në shtetin më pro amerikan në botë, nuk është aq e thjeshtë. Nuk është e thjeshtë, sepse, qytetarët e Kosovës, te Amerika, nuk e shohin vetëm shtetin aleat, por, vet krijuesin e lirisë, në Kosovë dhe në botë. Sigurisht, ka shtete e mendësi të caktuara, të cilat nuk e mendojnë kështu, ndërsa ne, shtetasve të Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, nuk kemi asnjë dyshim se ShBA është vet liria.
Mbase, te disa të rinj që dalin në media apo pjesëtarë të gjeneratave të reja nuk ua ngroh shumë zemrën sa duhet kur thuhet “Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ndërsa lavdërimi i përjetshëm për aleatin tonë historik nga ata që e përjetuan robërinë dhe lirinë, disave ju duket servilizëm. Për më keq, mirënjohja dhe falënderimi për aleatin tonë historik, për dorën e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, ju duket e fryrë.
Kur e mendoj se si u zhvillua historia jonë (Kosovë e Shqipëri ose e shqiptarëve me ShBA-në), kronologjia e një marrëdhënieje, nga shekulli i 19-të, veçanërisht nga Presidenti Wilson, Lufta e Dytë Botërore, vlerësimet për shqiptarët në kohën e “mbledhjes së armëve”, Kushtetuta e vitit 1974, ardhja e kongresmenëve në Prishtinë më 1990, ngritja e flamurit te “Zyra e Informimit” në Prishtinë e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është tregim i një miqësie sa krenare për neve, aq edhe historike.
Prandaj, festa e 4 Korrikut dhe shënimi i 250 vjetorit të Pavarësisë së ShBA-së, nuk është vetëm një ditë e cila prezanton begatinë e fjalorit diplomatik e politik të politikanëve me rrogë për një datë, është ditë që na përkujton detyrimin moral, ta kujtojmë Amerikën çdo ditë të zotit. “Nuk ju prehet dam” atyre që nuk e njohin kohën e robërisë, okupimit, dhunës dhe gjenocidit serb. Keqardhja për mosmirënjohjen ndaj Amerikës është për ata që e njohin kohën e territ dhe dritës (okupimin dhe çlirimin).
Katër Korriku është nesër dhe pastaj vije Pesë Korriku dhe vijon deri në përvjetorin tjetër, por, mua besoj edhe të tjerëve si unë që ishim në gjendje të japim çdo gjë për lirinë e Kosovës, nderimi për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vazhdon çdo ditë, çdo ditë të vitit.

https://www.facebook.com/share/p/1EE5TAuCrM/?mibextid=wwXIfr

Banner

Related posts

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Gjyla Halili

Bajrami: Dita zgjedhore po zhvillohet pa shkelje dhe parregullsi më të mëdha

Gjyla Halili

Kryesuesi i OSBE-së Osmani viziton Serbinë

admin