Lajme

Dimitrieska-Koçoska: Me ribalancin e buxhetit sigurojmë më shumë mjete për projektet në komuna, bujqësi, rritjen e pagave, përmirësimin e standardit të studentëve dhe nxënësve, mbrojtjen sociale, investimet kapitale dhe përshpejtimin e ciklit investues

Ndryshimet dhe plotësimet e ndryshuara të buxhetit për vitin 2026, duke filluar nga dita e sotme, janë në rend dite të Komisionit për Financim dhe Buxhet në Kuvend. Para anëtarëve të Komisionit, Propozimin e ribalancit e arsyetoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila theksoi se me këto ndryshime dhe plotësime konfirmohet përkushtimi i Ministrisë së Financave dhe Qeverisë për stabilitet ekonomik, zhvillim dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike. Njëkohësisht, ato paraqesin vazhdimin e politikave që tashmë po japin rezultate, të reflektuara në trendet pozitive të ekonomisë.

“Aspekti më i rëndësishëm dhe thelbësor është që ndryshimet dhe plotësimet në buxhetin e vitit 2026, të cilat po i paraqes sot para jush dhe publikut nuk rezultojnë nga mungesa e të ardhurave ose likuiditeti i përkeqësuar i buxhetit. Përkundrazi. Ky ribalanc është rezultat i nevojës për t’i harmonizuar projeksionet buxhetore me kushtet e reja ekonomike, për të siguruar mjete shtesë për detyrimet ligjore që nënkuptojnë pagesë të rregullt dhe të plotë të pagave në sektorët ku kemi siguruar rritje, më shumë mjete për përkrahjen e mëtejshme të bujqësisë, më shumë mjete për mbrojtjen sociale dhe për komunat dhe ajo që ka veçorinë më të rëndësishme në këtë ribalanc është sigurimi i mjeteve shtesë për përshpejtimin e ciklit të investimeve në infrastrukturë”, tha ministrja.

Ajo ritheksoi se ndryshimet dhe plotësimet po vendosen gjatë periudhës së pasigurisë globale dhe se zhvillimet e jashtme gjeopolitike kanë reflektuar trendet ekonomike dhe kanë ndikuar në realizimin e buxhetit të vitit 2026 dhe për këtë arsye, ndryshimet e propozuara në buxhetin e vitit 2026 bëjnë përshtatje në supozimet makroekonomike dhe projeksionet fiskale, kryesisht në anën e shpenzimeve të buxhetit.

“Ribalanci i buxhetit nuk është vetëm ndryshim teknik në shifra, pas tij qëndrojnë politikat që Qeveria destinon drejt përkrahjes së ekonomisë dhe qytetarëve. Ai është reagim ndaj rrethanave të ndryshuara ekonomike, respektivisht instrument përmes të cilit Qeveria i përshtat financat publike me nevojat reale të ekonomisë, institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve.

Kurse veçanërisht në kushtet kur ekonomia botërore po përballet me pasiguri në rritje, detyra jonë është që të reagojmë në kohën e duhur, t’i njohim risqet, por në të njëjtën kohë t’i shfrytëzojmë mundësitë që po hapen”, theksoi ministrja, me ç’rast potencoi masat që u ndërmorën me qëllim mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive.

Ministrja theksoi se me ribalancin e buxhetit vazhdon politika e pagesës në kohë e të gjitha detyrimeve ligjore, menaxhimi i disiplinuar i mjeteve publike dhe financimi prioritar i politikave zhvillimore.

Me ribalancin e propozuar të buxhetit, të ardhurat e përgjithsme rishikohen në nivel prej 379.5 miliardë denarëve. Në anën e të ardhurave, të ardhurat tatimore mbeten pothuajse në nivelin e planifikuar fillimisht dhe projketohen në 213.2 miliardë denarë. Të ardhurat jotatimore shënojnë përmirësim të dukshëm dhe rriten për rreth 2 miliardë denarë, ndërsa donacionet shënojnë rritje prej rreth 2.7 miliardë denarësh.

Në anën e shpenzimeve, shpenzimet e përgjithshme janë rishikuar në 425.8 miliardë denarë, kurse mjetet shtesë janë destinuar drejt prioriteteve të përcaktuara qartë.

Janë siguruar mjete shtesë për subvencionet bujqësore (1.4 miliardë denarë më shumë ose gjithsej 8.7 miliardë denarë), më shumë mjete për subvencionet në transportin hekurudhor, mbështetje për sportin, 500 milionë denarë mjete shtesë për standardin e studentëve dhe nxënësve. Është siguruar mbështetje shtesë edhe për kategoritë e shtresave në nevojë të qytetarëve përmes mjeteve për kompensime sociale prej 1.3 miliardë denarë mjete shtesë, për shoqëritë mbrojtëse, kuzhinat popullore dhe masat e deinstitucionalizimit, si dhe 1.2 miliardë denarë mjete shtesë për mbrojtjen shëndetësore, nga të cilat 600 milionë janë mjete shtesë nga buxheti qendror për pagesën e detyrimeve ndaj pushimit të lehonisë.

Ministrja theksoi se përcaktimi për disiplinë fiskale reflektohet në këto ndryshime të propozuara dhe se me ribalancin, te shpenzimet për mallra dhe shërbime bëhet zvogëlim prej rreth 837 milionë denarësh përmes rialokimit të mjeteve dhe destinimit të tyre drejt nevojave prioritare, kurse nga ana tjetër, me ribalancin, rëndësi të veçantë i jepet komponentit zhvillimor dhe sigurohen mjete shtesë për investime kapitale që arrijnë rreth 46 miliardë denarë dhe rriten për rreth 5.8 miliardë denarë ose rritje prej 14.5% krahasuar me buxhetin fillestar.

Për herë të parë, korrigjimi i deficitit është kryesisht rezultat i shpenzimeve më të larta kapitale dhe investimeve në infrastrukturë, respektivisht bëhet fjalë për deficit që do të financojë zhvillimin dhe do të rezultojë me rritje prej 0.6 pikë përqindjeje krahasuar me projeksionin fillestar, i cili e rishikon deficitin buxhetor në 46.3 miliardë denarësh ose 4.1% të PBB-së. Mjetet janë të orientuara drejt realizimit të projekteve kapitale me rëndësi strategjike për shtetin dhe qytetarët dhe ky do të mbetet parimi i funksionimit të kësaj Qeverie“, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Në ekspozenë, ministrja u ndal edhe te arritjet më të rëndësishme makroekonomike në vitin 2026, si dhe te zbatimi i buxhetit, duke theksuar rritjen e zbatimit të shpenzimeve kapitale me 53.5% krahasuar me vitin e kaluar, si dhe pagesat e detyrimeve në tregjet vendore dhe të jashtme në vlerë prej 72.7 miliardë denarësh.

Ministrja tha se buxheti është dokumenti më i rëndësishëm strategjik që përmban të gjitha politikat e Qeverisë dhe se me të Qeveria mbetet në trajektoren afatmesme për kryerjen e politikës fiskale dhe realizimin e konceptit dhe vizionit për norma më të larta rritjeje. Ajo është një platformë për prosperitet, që synon stabilitetin për ekonominë dhe qytetarët. Platformë për stabilitet ekonomik, zhvillim dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike, e cila siguron stabilitetin e financave publike, por në të njëjtën kohë krijon edhe kushte për më shumë investime, aktivitet më të madh ekonomik dhe standarde më të mira jetese për qytetarët.

Debati në Komisionin e Financave dhe Buxhetit mbi ndryshimet dhe plotësimet e propozuara në buxhetin e vitit 2026 në kuadër të Komisionit të Financave dhe Buxhetit zgjat maksimumi 10 ditë. Në këtë propozim janë paraqitur gjithsej 226 amendamente.

Banner

Related posts

Milloshoski dhe Hricova: Mbështetja sllovake për integrimin evropian u konfirmua

Admin2

Filloi Misioni Monitorues i WBIF në Maqedoninë e Veriut, Bekim Sali: Fokus te zbatimi efikas dhe rezultatet konkrete për qytetarët

Admin2

Hoxha: Menaxhimi i qëndrueshëm i ujërave është pjesë e agjendës evropiane

Admin2