Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbajti Kuvendin Zgjedhor të Degës së Karposhit, në praninë e kryetarit Ali Ahmeti, delegatëve, veteranëve, anëtarëve, aktivistëve dhe përkrahësve të shumtë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Ali Ahmeti vlerësoi kontributin e shqiptarëve të Karposhit në proceset e rëndësishme politike dhe shoqërore, duke kujtuar sfidat dhe sakrificat e bëra ndër vite për realizimin e të drejtave dhe aspiratave kombëtare.
Ai theksoi se qëndresa, organizimi dhe besimi në vlerat kombëtare kanë qenë shtyllat kryesore që kanë ndihmuar shqiptarët të përballojnë padrejtësitë e së kaluarës dhe të avancojnë në rrugëtimin e tyre politik e shoqëror.
Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Ahmeti nënvizoi rëndësinë e unitetit, organizimit dhe angazhimit të vazhdueshëm politik si garanci për ruajtjen dhe avancimin e të drejtave të fituara. Sipas tij, të gjitha arritjet e deritanishme janë rezultat i një rruge të gjatë përkushtimi, pune dhe sakrifice kolektive.
Në kuadër të procedurave statutare të Kuvendit, delegatët zgjodhën Komitetin e Veteranëve, Këshillin Mbikëqyrës dhe Kryesinë e Degës së Karposhit, duke konfirmuar vazhdimësinë organizative dhe përkushtimin e strukturave partiake për realizimin e objektivave programore të BDI-së.
Me këtë rast, u ritheksua përkushtimi i Bashkimit Demokratik për Integrim për përfaqësim dinjitoz, barazi të plotë dhe avancimin e interesave të shqiptarëve, duke vazhduar misionin e saj politik të ndërtuar mbi vlerat e barazisë, demokracisë dhe integrimit euroatlantik.







