Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka reaguar lidhur me rastin e arrestimit dhe më pas lirimit të Dodë Ivanajt, duke theksuar se “e vërteta ka dalë në dritë” dhe se çdo përpjekje për padrejtësi apo keqinterpretim të fakteve do të dështojë.
Në reagimin e tij, Gjeloshaj shprehet se rasti ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, si në Mal të Zi ashtu edhe në diasporë, duke ngritur shqetësime për mënyrën e veprimit të institucioneve dhe bazën e procedurës së ndjekur.
Ai thekson se ndalimi i Ivanajt ka hapur debate të rëndësishme mbi trajtimin e qytetarëve dhe nevojën për transparencë të plotë institucionale në raste të tilla.
“E vërteta doli në dritë. Ashtu si çdo herë kur padrejtësia përpiqet të zëvendësojë faktet,” citohet të ketë thënë Gjeloshaj.
Sipas tij, ky rast nuk duhet të shërbejë si mjet për përçarje, por si thirrje për respektim të ligjit, drejtësi dhe trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Ai shton se çdo përpjekje për të dërguar mesazhe frikësuese ndaj shqiptarëve apo diasporës nuk do të ketë efekt dhe vetëm sa forcon më tej unitetin e tyre.
Gjeloshaj thekson gjithashtu rëndësinë e besimit në institucione dhe nevojën që raste të tilla të sqarohen plotësisht për opinionin publik, në mënyrë transparente dhe të bazuar në fakte.
Në përfundim, ai nënvizon se shqiptarët mbeten të bashkuar dhe të vendosur në mbrojtje të dinjitetit dhe të drejtave të tyre, pavarësisht zhvillimeve të tilla.
Ja postimi plotë:
E vërteta doli në dritë.
Ashtu si çdo herë kur padrejtësia përpiqet të zëvendësojë faktet.
Nëse dikush mendoi se me këtë rast do t’u dërgohej mesazh shqiptarëve dhe sidomos mërgatës që të heshtin, të tërhiqen apo të mos vijnë të votojnë në qershorin e ardhshëm, e ka gabuar rëndë.
Sot çdo shqiptar e ndjen këtë si çështje të vetën.
Nuk jemi pak dhe nuk jemi vetëm.
Ky rast erdhi në një moment kur shqiptarët po forcojnë bashkimin e tyre politik. Ndoshta dikush mendoi se mund të na ndalojë apo të na tregojë se bashkimi shqiptar ka një çmim.
Por historia ka treguar se çdo padrejtësi vetëm na bën më të bashkuar dhe më të vendosur.
Nga Tuzi në Ulqin, nga Plava e Gucia deri te mërgata jonë në Amerikë e kudo në botë, ne jemi një. Koha e politikës “përça e sundo” ka marrë fund.
Edhe për këtë kemi votuar ligjet për reformimin e strukturave të sigurisë, që institucionet të mos përdoren më për presione, përndjekje apo larje hesapesh politike me shqiptarët dhe qytetarët e tjerë.
Jemi të vetëdijshëm se kjo reformë nuk përfundon brenda natës dhe se ende ka individë në sistem që bartin mentalitetin e strukturave të vjetra të sigurisë. Pikërisht për këtë arsye, reformat duhet të vazhdojnë pa kompromis.
Le ta dijë secili: çdo përpjekje për të na ndalur do të prodhojë efektin e kundërt. Do të jemi edhe më të bashkuar, edhe më të fortë, edhe më të vendosur.
Të bashkuar. Të vendosur. Pa kompromis.
NGJ
