
Delegacioni i komunës së Drenasit, në krye me kryetarin Ramiz Lladrovci, zhvilloi vizitë treditore në qytetin e Gospiqit, ku zhvilluan takime me kryetarin e Bashkisë, prefektin e Qarkut të Lika‑Senjit dhe morën pjesë në shënimin e përvjetorit të themelimit të Qarkut.
Delegacioni fillimisht është takuar me kryetarin e qytetit dhe bashkëpunëtorët e tij e më pas edhe me prefektin dhe bashkëpunëtorët e tij në ndërtesën e qarkut.
Programi është përmbyllur me pjesëmarrjen në seancën solemne me rastin e Ditës së Qarkut Lika‑Senj dhe në programin përkatës festiv, ku morën pjesë zëvendës kryeministri, ministra të Qeverisë kroate dhe të Qarkut Lika-Senj.
Delegacioni i qytetit të Drenasit, zhvilloi takime shumë të frytshme me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore midis dy qyteteve.
Takimi i parë u mbajt në ndërtesën e Administratës së Qytetit të Gospiqit ku u prit nga nënkryetari i bashkisë Ivica Kovaçeviq dhe sekretari i qytetit të Gospiqit, Slaven Stilinoviq.
Diskutimi u zhvillua rreth lidhjeve të përbashkëta historike midis dy popujve, të cilat u forcuan veçanërisht gjatë Luftës Atdhetare të Kroacisë kur shumë shqiptarë nga Kosova morën pjesë në mbrojtjen e Gospiqit dhe Kroacisë.
U ra dakord për hapa konkretë për të vazhduar procesin e vendosjes së marrëdhënieve miqësore midis qyteteve.
Delegacioni i qytetit të Drenasit ftoi përfaqësuesit e Qytetit të Gospiqit në një vizitë kthimi në Drenas.
Pas takimit në Administratën e Qytetit, Ramiz Lladrovci dhe delegacioni i Drenasit u pritën nga Prefekti i Qarkut Lika-Senj, Ernest Petry, Zëvendës prefektja e Qarkut, Jasna Oreshkoviq Brkljaçiq dhe Drejtori i Agjencisë për Zhvillim, Marko Juriq.
Në takim, kryetari Ramiz Lladrovci prezantoi historinë, gjendjen aktuale të zhvillimit, lidhjet e trafikut dhe gjendjen ekologjike të komunës së Drenasit.
Prefekti i Qarkut, Ernest Petry i njohu mysafirët me potencialin e zhvillimit dhe gjendjen e qarkut dhe sugjeroi mundësi për bashkëpunim.
Pas takimit, Drejtori i Agjencisë për Zhvillim, Marko Juriq i paraqiti delegacionit propozime konkrete për ndihmë në krijimin e një agjencie të ngjashme zhvillimi në Drenas, si dhe mundësi për trajnimin e personelit.
U ra dakord që delegacioni i Qarkut Lika-Senj të kthej vizitën zyrtare në qytetin e Drenasit në vjeshtë për të vazhduar bashkëpunimin konkret.
Kryetari Lladrovci dhe delegacioni i Komunës së Drenasit, gjatë vizitës, vendosën kurora me lule pranë bustit të atit të shtetit kroat, Ante Starçeviq dhe ish presidentit, Dr. Franjo Tugjman si dhe vizituan zonat e luftimeve të Brigadës vullnetare shqiptare, me 420 luftëtarë, të cilës i printe Fehmi Lladrovci.
Delegacioni ka qenë i përcjellur nga Tom Kaçinari dhe Pal Lumezi nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së Kroacisë, të cilët meritojnë falënderim për shoqërimin e vazhdueshëm dhe prezantimin para strukturave qendrore e lokale të shtetit mik, Kroacisë.
https://www.facebook.com/share/1KVjaHbecK/?mibextid=wwXIfr










