
Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Tetovë ka mbajtur mbledhjen e parë të Kryesisë së re, pas përfundimit të procesit të ristrukturimit dhe Kuvendit Zgjedhor.
Në këtë mbledhje është konstatuar mbarëvajtja e procesit të organizimit dhe konsolidimit të brendshëm partiak, ku, sipas BDI-së, theks i veçantë i këtij faze të re po i jepet përfshirjes së të rinjve dhe energjisë së re politike.
Nga dega e BDI-së në Tetovë bëhet e ditur se në periudhën në vijim do të vazhdojë procesi i konsolidimit të strukturave në çdo nëndegë, me qëllim rritjen e afërsisë me qytetarët dhe adresimin e problemeve të tyre.
Në mbledhje është diskutuar edhe situata politike në vend, me theks të veçantë në, siç thuhet, pozicionimin e faktorit politik shqiptar në qeverisjen aktuale.
Po ashtu, janë trajtuar edhe çështje lokale që prekin qytetarët e Tetovës, përfshirë menaxhimin e pushtetit lokal, transparencën, fondet komunale dhe çështjen e pronës publike.
BDI Tetovë thekson se ky proces shënon një “fillim të ri politik”, me fokus te organizimi i brendshëm dhe angazhimi më i madh në terren.
Ja postimi i plotë:
🤝Fillojmë një rrugëtim të ri për Tetovën
Sot mbajtëm mbledhjen e parë të Kryesisë së re të Bashkimit Demokratik për Integrim – Dega Tetovë, pas përfundimit të procesit të ristrukturimit dhe Kuvendit Zgjedhor.
Në mbledhje u konstatua mbarëvajtja e procesit të organizimit dhe konsolidimit të strukturave partiake, ku kryefjalë e këtij kapitulli të ri janë të rinjtë, energjia e re dhe përgjegjësia politike ndaj qytetarëve.
Në periudhën që vjen do të vazhdojmë me konsolidimin e bazës partiake në çdo nëndegë, duke qëndruar edhe më afër qytetarëve, halleve, kërkesave dhe pritjeve të tyre.
Gjithashtu, diskutuam edhe për situatën aktuale politike në vend, me theks të veçantë te margjinalizimi dhe pozicionimi i dobët i faktorit politik shqiptar në këtë qeverisje.
Në fokus ishin edhe temat lokale që prekin drejtpërdrejt qytetarët e Tetovës: keqmenaxhimi i udhëheqësisë aktuale komunale, mungesa e transparencës, keqmenaxhimi i fondeve komunale dhe tjetërsimi i pronës publike, si një dukuri tepër shqetësuese për çdo qytetar.
Fillojmë një rrugëtim të ri, me energji të reja, me forca të reja dhe me përkushtim të plotë. 🙏








