AKTUALE

Skandal në Komunën e Kërçovës, mbyllet dera e gjatë orarit të punës

Banner

Një situatë e pazakontë ka shkaktuar reagime të shumta në Komunën e Kërçovës, pasi gjatë ditës së djeshme dera kryesore e institucionit është mbyllur fizikisht në kuadër të një kontrolli të brendshëm të prezencës së punonjësve.

Sipas informacioneve dhe reagimeve të publikuara, qytetarët që kishin ardhur për të kryer shërbime komunale janë përballur me dyer të mbyllura, ndërsa punonjësit brenda objektit nuk kanë mundur të dalin për një periudhë kohe.
Ngjarja ka nxitur kritika dhe akuza për tejkalim të kompetencave dhe trajtim jodinjitoz ndaj administratës komunale. Reagimet publike e cilësojnë rastin si formë presioni dhe frikësimi ndaj të punësuarve.

“Ky nuk është menaxhim institucional, por demonstrim force dhe kontrolli ndaj njerëzve”, thuhet në reagimet që qarkulluan pas incidentit.

Po ashtu është kërkuar që Inspektorati Shtetëror i Punës, Avokati i Popullit dhe institucionet kompetente të hetojnë rastin dhe të sqarojnë nëse janë shkelur të drejtat e punëtorëve dhe qytetarëve.
Deri më tani nuk ka reagim zyrtar nga Komuna e Kërçovës lidhur me ngjarjen.

Ja postimi i plotë i Bdi Dega Kërçovë:

🚨 SKANDAL 🔒

Komunën për qytetarët e kanë mbyllur që moti. DJE I VUNË DRYNIN EDHE DERËS.

Njerëzit që mbajnë çelësat e Komunës së Kërçovës e jo çelësat e derës, por çelësat e vendimeve, vendosën dje të bëjnë një “kontroll prezence.”

Tingëllon normal, apo jo?

Por ja çfarë ndodhi në realitet:

U mbyll dera kryesore.

Jo metaforikisht, por fizikisht.

Punëtorët nuk mund të dilnin. Qytetarët nuk mund të hynin. Dhe paniku nuk pyeti askënd për leje.

Njerëz që kishin ardhur për të zgjidhur punë të tyre, punë legjitime, punë urgjente, u gjetën para një dere të mbyllur duke mos kuptuar as çfarë po ndodh, as pse, as sa kohë do të zgjasë kjo.

Brenda, punëtorë me vite përvojë, njerëz me familje dhe me dinjitet, u trajtuan si të burgosur. Jo për shkak të ligjit, por për shkak të etjes së disave për të demonstruar forcë, për të ushtruar kontroll dhe për t’u ndjerë të pushtetshëm mbi njerëzit.

Dua të pyes publikisht:

Me çfarë autorizimi ligjor u mbyll ajo derë? Kush urdhëroi këtë? A ka dikush në këtë institucion që di çfarë do të thotë fjala DINJITET?

Ky nuk është menaxhim.
Ky nuk është kontroll.
Ky është frikësim dhe frikësimi nuk ka vend në asnjë institucion që pretendon se i shërben qytetarit.

Njerëzit nuk janë bagëti që numërohen. Punëtorët nuk janë të burgosur që mbahen prapa grilave. Dhe qytetarët, ata që paguajnë taksa, ata për të cilët ekziston ky institucion, nuk meritonin ta shihnin atë spektakël.

U bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror të Punës, Avokatit të Popullit dhe çdo organi kompetent që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e punëtorëve dhe qytetarëve, të ndërhyjnë dhe të hetojnë atë që ndodhi dje në Komunën e Kërçovës.

Ky vend ka ligje dhe askush, sado lartë të jetë në hierarki, nuk qëndron mbi to.

Related posts

ME DIRIGJENTIN E FAMSHËM NGA GJILANI PROF. IZET KALLABA

Gjyla Halili

Idetë kryesore për modele flokësh të shkurtër: Shumëllojshmëri stilesh femërore

admin

BDI dega në Kërçovë hedh poshtë akuzat e pabaza ndaj Fatmir Deharit

Gjyla Halili