
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, reagoi lidhur me protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për përdorimin e gjuhës shqipe, duke theksuar se çështja e barazisë gjuhësore dhe identitare nuk duhet të jetë më objekt debatesh politike në një shtet që synon standardet europiane.
Spiropali vlerësoi se protesta e studentëve nxori në pah nevojën për respektim të plotë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar se gjuha shqipe nuk është vetëm mjet komunikimi, por pjesë e identitetit, dinjitetit dhe historisë së një populli shtetformues.
Ajo theksoi se shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por zbatim të plotë të të drejtave të garantuara dhe trajtim të barabartë në institucionet shtetërore. Sipas saj, respektimi i gjuhës shqipe dhe i të drejtave kolektive të shqiptarëve është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe përbën një standard demokratik europian.
Spiropali apeloi për më shumë dialog, urtësi dhe vizion politik, duke shtuar se barazia dhe respektimi i diversitetit etnik e gjuhësor e forcojnë shtetin dhe e afrojnë Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Europian.
Ja postimi plotë:
🇦🇱🇲🇰Në Maqedoninë e Veriut, studentët shqiptarë protestuan për gjuhën shqipe. Vetëm ky fakt është mjaftueshëm i rëndë për të kuptuar se problemi nuk është procedural, por thellësisht politik, institucional dhe moral.
Protesta e djeshme tregoi se ndonjëherë një shtet i zbulon çështjet e pazgjidhura jo në sallat e parlamentit dhe as në deklaratat politike, por në rrugë. I zbulon në fytyrat e studentëve. Në mënyrën se si një i ri detyrohet të protestojë për diçka që në Europë do të duhej të ishte zgjidhur prej kohësh.
Problemi nuk është vetëm një provim në gjuhën shqipe. Problemi është shumë më i thellë. Është fakti se barazia e shqiptarëve ende trajtohet si kompromis politik dhe jo si themel kushtetues i shtetit. Një gjuhë nuk është përkthim administrativ. Është dinjitet, kujtesë dhe identitet. Është mënyra se si një popull i mbijeton historisë, kohës dhe çdo përpjekjeje për zbehje apo asimilim.
Dhe kur studentët detyrohen të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtën për të mësuar, për t’u testuar dhe për të jetuar në gjuhën e tyre, atëherë problemi nuk është te studentët. Problemi është te një politikë që ende nuk e ka pranuar plotësisht barazinë si vlerë themelore të shtetit.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk po kërkojnë privilegje. Po kërkojnë atë që duhet të ishte zgjidhur para shumë vitesh dhe që në këtë shekull nuk do të duhej të diskutohej më.
Shqiptarët si etnitet politik, gjuha shqipe dhe të drejtat kolektive duhet të jenë të përcaktuara qartë, fort dhe pa ekuivok në Kushtetutën e shtetit, sepse shqiptarët nuk janë pakicë e toleruar, por një nga shtyllat shtetformuese të vetë Maqedonisë së Veriut.
Këto çështje nuk mund të mbahen pezull përmes interpretimeve politike apo ligjeve që ndryshojnë sipas klimës së pushtetit. Ato duhet të jenë standard kushtetues dhe demokratik, në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe me vetë standardet europiane aq të përsëritura.
Në këtë moment kërkohet më shumë urtësi, më shumë dialog dhe më shumë vizion. Kërkohet besim se barazia nuk e dobëson shtetin, e forcon atë. Se respektimi i gjuhës, dinjitetit dhe identitetit të shqiptarëve nuk është kërcënim për askënd, por garanci për një Maqedoni të Veriut më demokratike, më të qëndrueshme dhe më europiane.
Sepse në fund, gjuha shqipe është pjesë e shpirtit tonë.
Dhe askush nuk mund t’i kërkojë një populli të heshtë në gjuhën e vet. 🇦🇱
(Fotot – Shkup)


