
Ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Denion Meidani, reagoi lidhur me situatën e krijuar pas protestës së studentëve shqiptarë për të drejtat gjuhësore, duke theksuar rëndësinë e respektimit të lirive demokratike dhe të drejtave themelore të shqiptarëve në vend.
Meidani vlerësoi se studentët që udhëtuan nga Tirana drejt Shkupit shprehën në mënyrë paqësore solidaritetin e tyre qytetar për një çështje që lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin, barazinë dhe të drejtën për përdorimin e gjuhës amtare.
Sipas tij, çdo shqetësim që prek të drejtën për arsimim, testim dhe ushtrim të profesionit në gjuhën shqipe meriton trajtim institucional, dialog dhe mirëkuptim demokratik, në përputhje me standardet europiane dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Ambasadori theksoi se respektimi i gjuhës shqipe dhe i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk duhet parë si çështje politike e momentit, por si pjesë e vlerave mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike dhe multietnike.
Ai apeloi për qetësi, dialog dhe bashkëpunim institucional, duke shtuar se rruga europiane e rajonit kërkon më shumë respekt për diversitetin, barazinë dhe të drejtat themelore të çdo komuniteti.
Ja postimi plotë:
Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon. 🇦🇱🇲🇰
Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare.
Këta të rinj nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore.
Dhe një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet kurrë si kërcënim, sidomos në vende që synojnë t’i bashkohen familjes europiane dhe të ndërtojnë të ardhmen mbi vlerat e demokracisë, barazisë dhe të drejtave themelore. 🤝

