AKTUALE

Brigada 112 “Mujdin Aliu” bën homazhe në Pollog për 5 Majin, Hazbi Lika: “Dëshmorët janë themeli i lirisë”

Banner

M

e rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, Komandanti i Brigadës 112 “Mujdin Aliu”, Hazbi Lika, i shoqëruar nga bashkëluftëtarë dhe bashkëveprimtarë si Resi Abdurahmani, Fazli Veliu, Hisen Xhemaili dhe shumë të tjerë, zhvilluan homazhe në vendprehjet e dëshmorëve të kombit në rajonin e Pollogut.

Aktiviteti përkujtimor u organizua në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificën sublime të dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e popullit. Delegacioni vendosi kurora me lule dhe bëri homazhe në disa nga pikat më të rëndësishme përkujtimore, duke rikujtuar me përulësi idealin dhe rrugën e tyre.

Homazhet nisën nga Kalaja e Sellcës, një simbol i qëndresës dhe sakrificës historike në këtë rajon, për të vijuar më pas në lokacione të tjera në Pollog, ku të pranishmit ndaluan për të nderuar kujtimin e dëshmorëve. Aktiviteti u përmbyll në Kompleksin memorial në Teqenë e Tetovës, ku u mbajt edhe një moment reflektimi dhe përkujtimi kolektiv.

Gjatë këtij aktiviteti, Komandanti i Brigadës 112 “Mujdin Aliu”, Hazbi Lika, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të respektit të përhershëm ndaj dëshmorëve. Ai u shpreh se sakrifica e tyre nuk duhet harruar asnjëherë dhe se ajo mbetet themel i rrugëtimit kombëtar.

“Dëshmorët janë themeli i lirisë që gëzojmë sot. Ata dhanë jetën për një të ardhme më të drejtë dhe më dinjitoze për të gjithë ne. Është detyrë e secilit prej nesh që këtë sakrificë ta kujtojmë, ta nderojmë dhe ta përcjellim tek brezat e rinj, në mënyrë që historia të mos harrohet kurrë,” theksoi ai.

Më tej, ai shtoi se uniteti dhe përkushtimi ndaj vlerave kombëtare janë mënyra më e mirë për të nderuar veprën e dëshmorëve, duke apeluar për bashkim dhe angazhim në të mirë të shoqërisë.

Pjesëmarrësit në këtë përkujtim vlerësuan lart figurën dhe sakrificën e dëshmorëve, duke theksuar se ata mbeten burim frymëzimi për të ardhmen. Ata nënvizuan rëndësinë e kultivimit të kujtesës historike dhe të respektit ndaj atyre që dhanë më të shtrenjtën për lirinë.

Ky aktivitet u zhvillua në një atmosferë dinjitoze dhe plot respekt, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin për të mos harruar sakrificën e dëshmorëve dhe për ta mbajtur gjallë idealin e tyre ndër breza.

Banner

Related posts

Izet Mexhiti: Flamurin kombëtar s’ka birë nëne që e prekë

Gjyla Halili

Spitali modular në Tetovë, 1 vit e gjysmë burg për dy ish-drejtorët! Besimi: S’e kam nënshkruar dokumentin për pranimin e objektit!

Gjyla Halili

Si do të shkojë ASH-ja e Selës në zgjedhje?

Gjyla Halili