AKTUALE

Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…

Banner

Dr. Ardiana MICI

Mbi romanin “Brenga”, të Dr. Pashko Camaj.

Kur e mora romanin në dorë dhe fillova ta shfletoj, më erdhi në mendje biseda e parë me Dr. Pashkon për nxitjen fillestare që ai pati mbi shkrimin e këtij libri: një brengë sa personale aq edhe përgjithësuese e lidhur me përvojën e një brezi të tërë shqiptarësh që jetuan diktaturën komuniste, pjesë e të cilës ndihem edhe unë. Ndërsa faqet e romanit hapeshin njëra pas tjetrës dhe historia filloi të merrte formë, ndjeva nevojën ta lexoja ngadalë, duke përthithur narrativën që shpalosej gradualisht dhe aktivizimin e të gjitha shqisave për ta përjetuar atë.

Ngjarjet e romanit “Brenga” vendosen në sfondin e instalimit të diktaturës komuniste në Shqipëri, e cila kufizoi liritë individuale, solli izolim dhe ndëshkoi kundërshtarët politikë. Libri sjell në mënyrë sintetike fakte sesi sistemi u shtri përmes një zinxhiri dënimesh që fillonte nga izolimi shoqëror, punët e rënda e të detyruara, deri tek burgimet, vrasjet dhe internime të familjeve të tëra. Qëndrimi i shkrimtarit Pashko Camaj është i qartë kundër komunizmit; kjo vihet re me përdorimin e termave të tilla si: “regjim komunist”, “diktaturë komuniste”, “parti komuniste”, dhe tek përgjegjësia që ai vendos mbi këto “për vuajtjet e shqiptarëve”. Pa synuar të përshkruajë të gjithë realitetin e jetës në komunizëm, autori përqendrohet në dy nga aspektet më të errëta të kësaj periudhe: represionin në burgje dhe arratisjen drejt botës së lirë. Në këtë mënyrë romani ndërton një panoramë dramatike të dy zgjedhjeve që kishin njerëzit përballë diktaturës: të largoheshin nga vendi apo të qëndronin e të përballeshin me pasojat.

Në qendër të romanit autori vendos dy personazhe të zakonshëm, malësorë punëtorë të rritur në ajrin e maleve, ku “besonin se do të gjenin mbrojtje” ashtu si të parët e tyre kishin gjetur historikisht mbrojtje nga pushtuesit e hershëm. Por regjimi komunist ia doli të nënshtronte edhe malet, edhe cepat më të larta e të izoluara, ku as bora e as mali nuk shërbenin më si shpëtim. Pas malit ishte kufiri, perëndimi, ikja… Pikërisht këtu lind dilema themelore e romanit: a ishte ikja shpëtim?

Narrativa e romanit zhvillohet paralelisht mes dy fateve të ndara: Nga njëra anë është drama e arratisjes dhe rrugëtimi i Toninit drejt lirisë; ndërsa nga ana tjetër drama e qëndrimit dhe kalvari i vuajtjeve të Markut në burgjet e regjimit. Asnjëra nga këto rrugë nuk është e lehtë. Rrugëtimi i Toninit është i mbushur me sakrifica dhe pasiguri, por në horizont shfaqet shpresa për një jetë të lirë. Ai fillon me arratisjen nga Shqipëria në 20 shtator 1956, në ish Jugosllavi, e vazhdon me katër vjet vuajtje në kampet jugosllave, në kushtet e pasigurisë për jetën, mungesën e identitetit dhe të përkujdesjes deri në humbjen fizike të babait. Deri tani, liria ende ishte vetëm “shpresë”. Në gusht 1960 Tonini ndërmerr arratisjen e dytë nga Kampi i Gerovës në Kroaci drejt Italisë dhe në mungesë të të atit udhëheq familjen drejt perëndimit ku për herë të parë sheh dritat e botës së lirë.

Ndërkohë, fati i Markut mbetet i mbyllur brenda mureve hermetike të burgut, ku njeriu mbështetet vetëm te forca e karakterit dhe te aftësia për të përballuar atë që autori e përshkruan si “thyerje”, por jo shkatërrim të plotë të shpirtit. Ky kontrast mes fatit të dy personazheve shndërrohet në boshtin moral të veprës dhe krijon tensionin kryesor të romanit. Kontrasti i parë është mes rrugës së lirisë dhe diktaturës dhe së dyti është midis reflektimeve filozofike të personazheve mbi fatin e tyre dhe konfliktin e brendshëm moral që i shqetëson derisa ata ritakohen.

Eshtë domethënës dialogu që autori vendos mes Markut dhe Toninit në takimin e tyre kur Marku artikulon një pjesë të dhimbjes: “Ata më lanë mua vetëm të numërueshmet”, dhe ndërsa Tonini e pyet se cilat janë këto, ai numëron ditët, hapat, njerëzit e zhdukur dhe “ lutjet që ti bën deri kur ndalon së besuari se ato vlejnë”. Në këndvështrimin filozofik, romani ngre disa pyetje të rëndësishme mbi natyrën e vuajtjes dhe të lirisë. Sa vuajtje mund të durojë njeriu duke ruajtur dinjitetin? Ku e gjenin shpresën njerëzit e privuar nga liria? A ishte liria e plotë edhe pas arratisjes? Si mund të çlirohet ndërgjegjja nga konflikti i brendshëm që buron nga zgjedhjet që individi bën në jetë? Në këtë mënyrë romani shkon përtej një historie personale dhe shndërrohet në reflektim mbi moralin, përgjegjësinë dhe lirinë njerëzore.

Ndonëse ngjarjet e kanë zanafillën në Shqipëri dhe brenda një konteksti kulturor shqiptar, prekja e temave universale, të tilla si liria, qëndrueshmëria përballë vuajtjeve, dinjiteti njerëzor, pushteti dhe diktatura e bëjnë romanin të ketë audiencë ndërkombëtare. Fenomeni i arratisjes nuk ishte vetëm shqiptar, menjëherë në vitet e para të pas LIIB shumë njerëz u larguan nga vendet ku po instaloheshin regjimet komuniste. Viti 1956, kur Tonini arratiset nga Shqipëria, shënon një rritje të të ikurve, pas disa vitesh më të qeta, kur regjimi komunist testohej nëse do të kishte atë egërsi sa në vitet e para. Më pas numri i të arratisurve erdhi duke u ulur, dhe marrë përmasa më sporadike, ndërkohë që regjimi ishte konsoliduar dhe shpresat për përmbysje të tij ishin vakur.

Kampe për strehimin e refugjatëve ishin krijuar në Greqi, Itali dhe ish Jugosllavi. Në kampet e ish-Jugosllavisë ku autori i romanit ndërton kronikën e tij bazuar tek dëshmitë e personazhit kryesor Toninit mikpritja dhe kushtet ishin më të pasigurta edhe pse Konventat Ndërkombëtare synonin të krijonin ura kalimi drejt një vendi të qetë për të jetuar. Autori e quan Kampin e Gerovas në Kroaci, “një kryqëzim të çuditshëm të historisë”, me refugjatë nga e gjithë lindja komuniste. Ëndërra dhe liria e refugjatëve identifikoheshin me Amerikën, gjë që nga konteksti historik përkon me programin e posaçëm “për të ikurit” nga vendet komuniste që Amerika ndërtoi në vitin 1948 dhe me ligjin e shpëtimit të refugjatëve në vitin 1953 mbi lejimin e tyre në Amerikë. Autori në libër përmend Kontrollin që Kombet e Bashkuara ushtronin në kampet apo Konventën e Gjenevës për refugjatët duke i qëndruar besnik të vërtetës historike. Ishin vitet 1959-1960 kur Kombet e Bashkuara shpallën Vitin Botëror të Refugjatëve dhe krijuan programin për mbylljen e kampeve të refugjatëve në Evropë.

Kësaj periudhe i përkasin kryesisht të arratisurit nga Shqipëria dhe bashkë me ta edhe Tonini i romanit me familjen e tij. Pas një kalvari pesëvjecar nëpër kampe dhe arrati, të përshkruar mjeshtërisht në roman, Tonini largohet nga kampi i refugjatëve në Itali drejt SHBA në 24 Shkurt, 1961, duke prekur ëndrrën amerikane ndërsa mbarte me vehte brengën e të lënëve pas.
Ekzistenca, nevoja për dashuri dhe liri, ndjenja e fajit dhe e përgjegjësisë dhe mbi të gjitha rezistenca njerëzore ndaj të keqes, shoqërojnë rrëfimin nga fillimi deri në fund duke e gjetur zgjidhjen tek clirimi dhe komunikimi njerëzor. Personazhet e romanit nuk janë figura të shquara apo intelektualë disidentë. Ata janë njerëz të thjeshtë që ëndërrojnë gjërat më bazike të jetës: lirinë, familjen dhe të ardhmen. Pikërisht kjo thjeshtësi i bën ata të përfaqësojnë një përvojë kolektive dhe universale. Faji i Toninit ishte trashëgimia e tij familjare, mbiemri shqetësues për regjimin, ndërsa Marku eshtë fajtori pa faj, njëlloj si malësori Marash Deda, bariu.

Gjetja e Markut si personazh është merita e shkrimtarit Camaj për të përfaqësuar atë kategori njerëzish që nuk e kuptuan pse u dënuan. Fati i brishtë i njeriut në diktaturat komuniste mund të përcaktohej edhe nga një qëndrim, një lidhje gjaku, një miqësi si e Toninit me Markun, apo edhe një gjest bujarie apo një ngjarje rastësore si bariu malësor. Bariu Marash Deda në roman, është duke shtruar sofrën sipas zakonit, kur sheh nga larg njerëz që vijnë në lartësitë e izoluara të maleve të tij. Duke hapur derën për ta e duke thënë “Mirse u ka pru Zoti”, ai përfundon i torturuar dhe i vrarë nga sistemi që pretendonte të ndërtonte drejtësi duke shpalosur absurditetin dhe brutalitetin e vetë sistemit. Faji i vetëm i bariut ishte mirësia njerëzore. Por sistemi nuk kërkonte arsye, kur nuk i gjente, ai i shpikte vetë. Fate të ngjashme gjenden pothuajse në çdo familje shqiptare. Edhe pse kundërshtarët e hapur të regjimit dukeshin më të paktë, sistemi i përgjegjësisë kolektive bënte që ndëshkimi të përhapej përmes lidhjeve familjare dhe shoqërore, duke përfshirë shumë më tepër njerëz sesa imagjinohej.
Romani karakterizohet nga një stil narrativ i qetë, por emocionalisht i ngarkuar. Gjuha e thjeshtë u është përshtatur natyrës dhe formimit të personazheve.

Autori përdor me mjeshtëri metafora, simbolika dhe imazhe shqisore që e përfshijnë lexuesin në përjetimin e historisë. Përmes rrëfimit të ndërtuar me kujdes, gjuhës së pasur dhe sidomos përshkrimeve të hollësishme të detajeve, aromave, ngjyrave dhe tingujve, autori krijon një përvojë të fuqishme shqisore dhe emocionale dhe një atmosferë bindëse që synon të zgjojë empati te lexuesi. Kjo qartësi stilistike dhe aftësia tregimtare e bëjnë romanin të lexohet me interes dhe të nxisë reflektim. Lexuesi përfshihet thellësisht në përjetimet e personazheve, duke ndarë me ta ankthin, dilemën dhe brengën që mbartin. Për lexuesin shqiptar, romani prek edhe kujtesën personale dhe familjare. Gjatë leximit, është e vështirë të mos kujtosh histori të ngjashme nga familja ose rrethi i afërt. Arratisja ishte një krim që shpesh ndëshkonte më shumë familjen e mbetur në atdhe. Punët e rënda, kufizimi i arsimimit dhe stigma shoqërore ishin vetëm fillimi i pasojave, të cilat në shumë raste pasoheshin nga internimi dhe burgimi. Në memorien time vjen ashtu si në librin “Brenga”, kamioni i internimit, apo marrja e fëmijeve direkt nga shkolla, ndërsa më pas dëgjoheshin pëshpëritjet; “do ti internojnë”.

Romani hedh dritë mbi përvojat më të dhimbshme të individëve gjatë periudhës së diktaturës komuniste, përvoja që për një kohë të gjatë mbetën të pazëshme. Letërsia e realizmit socialist nuk përcillte vërtetësi, kështu që këto dhimbje kanë qenë të kycura mes vuajtësve dhe shkaktarëve të tyre. Edhe pas rënies së regjimit, të persekutuarit nuk e patën audiencën e duhur për të bërë të njohur të vërtetat e tyre. Sistemi i shkatërruar nxitonte të gjente zgjidhjet për mbijetesë dhe për tu përshtatur kushteve të reja, ndërsa të vuajturit përpiqeshin të gjenin kohën e humbur për të ndërtuar jetët e tyre, pa bërtitur dhe me ato forca që u kishin mbetur.

Përmes personazhit të Markut, autori trajton dimensione të thella të natyrës njerëzore, të tilla si qëndrueshmëria, dinjiteti njerëzor edhe në vuajtje, por edhe rrezikun e rrëshqitjes drejt fajësimit, hakmarrjes apo urrejtjes. Dr. Camaj me mjeshtëri e kanalizon dhimbjen drejt komunikimit, kujtesës dhe faljes. Kur Marku i thotë në letrën e tij Toninit, “nëse më mban mend, dmth që ia ka vlejtur” ndërton bazën e komunikimit përmes të cilës çlirohet brenga, ndjesia e fajit, energjia e mbledhur në vite dhe realizohet falja. Pema e gështenjës, e cila shfaqet në fillim dhe në fund të rrëfimit simbolizon paqen që njeriu gjen në natyrë dhe çlirimin që vjen nga komunikimi i ndjenjave.
Vepra e Dr. Pashko Camaj përcjell një mesazh të rëndësishëm për nevojën e ndërgjegjësimit shoqëror dhe të njohjes së të vërtetës historike.

Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë, pasi në emër të frikës nga hakmarrja apo urrejtja, ajo i la të vuajturit në hije. Madje në disa rrethe shoqërore dhe intelektuale artikulohej mendimi se “të gjithë kishin vuajtur në sistemin komunist, pasi të gjithë jetonin nën diktaturë”. Diktatura ishte korniza ku ishte mbërthyer vendi, ku edhe xhelati jetonte në izolim dhe palumturi, por nën dritën e fakteve të njohura, tashmë është e qartë se nuk kanë vuajtur të gjithë njësoj.
Në kontrast me atë qëndrim, romani Brenga kontribuon në ndërtimin e një letërsie të kujtesës, e cila synon të ruajë të vërtetën, të nxisë reflektimin dhe ti shërbejë kombit që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Edhe pse titulli i tij flet për dhimbjen dhe brengën, romani në thelb është një homazh për qëndrueshmërinë njerëzore, për aftësinë e njeriut për të ruajtur dinjitetin dhe vlerat përballë një sistemi të ndërtuar për ti shkatërruar ato. Autori i qëndron besnik të vërtetës historike, si në zhvillimet jashtë Shqipërisë ashtu edhe brenda saj, duke e shndërruar romanin në një burim të rëndësishëm për njohjen e së kaluarës. Ai nxit jo vetëm kujtesën, por edhe mendimin kritik dhe reflektimin më të thellë e më të ndjeshëm, shpesh më të fuqishëm sesa ai që ofrohet nga tekstet shkollore të historisë. Në letërsinë që trajton temat e identitetit, emigrimit dhe traumës historike, “Brenga” do të zërë një vend të çmuar si dëshmi artistike dhe njerëzore e një periudhe nga më të vështirat e historisë shqiptare.

Banner

Related posts

Policia Financiare bastisi kompaninë nga Kumanova, dyshohet se janë përvetësuar mbi 22 milionë denarë

Gjyla Halili

Bajram Rexhepi takon misionin e OSCE-ODIHR: Garantojmë proces zgjedhor të lirë dhe demokratik në Tetovë

Gjyla Halili

ALI AHMETI KA MBIJETUAR NË KATËR ATENTATE

Gjyla Halili